Zgjerimi i mëtejmë i komunitetit dhe audiencës së karikaturës është qëllimi i punëtorisë që i shërben këtij arti. Ajo do të jetë vendimtare nëse do të mbahet një tjetër ekspozitë, pos asaj qendrore në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës. Punëtoria synon pjesëmarrësit nga diaspora. Organizatorët kanë thënë se pos që do të mund të dëgjojnë ligjërata, edhe mund ta praktikojnë këtë art, e madje të bëhen pjesë e Shoqatës së Karikaturistëve “HITHI” që organizon ngjarjen.
Ngjarja që i paraprin edicionit të 9-të të Festivalit do të zhvillohet në katër tema. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin punëtorinë “Historiku i zhvillimit të karikaturës dhe konteksti i Kosovës” që zhvillohet më 18 dhe 19 gusht, “Karikatura tematike” më 25 dhe 26 gusht, “Karikatura portret” më 8 dhe 9 shtator. Në këtë muaj gjithashtu zhvillohet edhe punëtoria me temë “Karikatura dhe roli i saj në ruajtjen e trashëgimisë kulturore” që zhvillohet më datë 15 dhe 16. 15 gushti është data e fundit për aplikimin e pjesëmarrësve.
Drejtori i Shoqatës së Karikaturistëve “Hithi”, Imri Musliu, ka thënë se karikatura si art i veçantë kërkon parapërgatitje për t’u marrë me të. Për këtë arsye, fillimisht do të mbahen ligjërata nga ligjërues vendorë, ndërsa më pas pjesëmarrësit edhe do të mund të zhvillojnë punimet e tyre. Qëllimi i ngjarjes, sipas tij, është të aktivizohen të rinjtë e diasporës në shoqatën e tyre.
“Qëllimi ynë është të aktivizohen të rinjtë nga diaspora në shoqatën tonë sepse aktivitet kryesor të Festivalit e kemi ekspozitën e madhe që mbahet në fund të muajit shtator. Kemi edhe aktivitete të tjera, si edhe takime me të rinj. Sidomos vjet dhe sivjet kemi pasur të rinj nga diaspora që kanë qenë të angazhuar. Edhe sivjet mund të dëgjojnë ligjërata, të punojnë e pse jo edhe të anëtarësohen në shoqatën tonë”, ka thënë Musliu.
Sipas tij, “nëse do të ketë interesim për karikaturën mund të ketë një ekspozitë. Kjo varet nëse do të ketë interesim e vlerë të karikaturave”. Imri Musliu që edhe vetë është karikaturist, ka thënë se ngjarje të tilla i kontribuojnë ngjalljes së karikaturës si art.
“Do të ishte interesante që edhe të rekrutohen të rinj, pasi është art deficitar dhe duam ta ngjallim pak aktivitetin e karikaturës. Këtu nuk po mund të angazhojmë artistët, sepse karikatura nuk është art profitabil dhe shumica anojnë kah piktura për ta shitur dhe jetuar prej saj, këtu është problemi më i madh. Ndoshta karikatura është art i veçantë që dikush nuk ka prirje dhe nuk merret me të. Qëllimi ynë është masivizimi i saj”, është shprehur Musliu. Ka treguar se zakonisht nuk ka pasur më shumë se 25 pjesëmarrës, por se sivjet presin një numër prej 40 vetash. Ka thënë se nëse ndodh kjo rritje e pjesëmarrësve, punëtoria do të mbahet në Galerinë e Arteve të qytetit.
Shoqata e Karikaturistëve “Hithi” e mban punëtorinë tash e katër vjet. “Kemi ardhur duke e rritur aktivitetin, duke u rritur edhe përkrahja për ne, sepse në fillim nuk kemi pasur përkrahje materiale dhe shumicën e aktivitetit e kemi zhvilluar vetë. Ne kemi mbajtur ligjërata jo veç tani, por edhe më herët, edhe në shkollën e artit edhe në shkolla fillore e të mesme. Kemi parë se arti po ndikon pozitivisht te të gjithë”, ka thënë Musliu, i cili ka njoftuar se muajin e ardhshëm do të marrin pjesë gjithashtu në një punëtori të stripit në Maqedoni. Ka njoftuar se kjo është hera e tretë që tentojnë të marrin pjesë atje, por se pengohen nga Serbia. Ka thënë se kësaj here pjesëmarrja është e konfirmuar.
Shoqata e Karikaturistëve “Hithi” si organizatore e krejt ngjarjeve, ishte themeluar në vitin 2017 si rezultat i pushimit të aktivitetit të Shoqatës së Karikaturës “Thumbi”. Nëpërmjet saj edhe synohet të zhvillohet aktiviteti i tyre dhe të mblidhen karikaturistë nga vendi dhe jo vetëm.
“Se publiku ferizajas e do karikaturën, për këtë jemi bindur nga pjesëmarrja e tyre masive në hapje dhe pas saj dhe ekspozitat tona kanë qenë më të vizituarat. Ajo që ka gëzuar më së shumti, janë të rinjtë dhe fëmijët të cilët e kanë vizituar ekspozitën në grupe. Interesimi i nxënësve ka qenë i njëmendtë, sepse ata shpesh na kanë bërë ftesë që edhe ne të jemi prezentë në Galeri për t’iu përgjigjur pyetjeve që atyre u interesojnë për karikaturën në përgjithësi”, shkruhet ueb-faqen e shoqatës.
Edicioni i sivjetmë i Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës, i nënti me radhë, që zhvillohet në Ferizaj, ku do të kulmojë me ekspozitën me punimet e karikaturistëve vendorë e ndërkombëtarë. Sipas të dhënave të Festivalit, edicionin e kaluar kishin marrë pjesë 267 karikaturistë nga 56 shtete të botës, me gjithsej 1358 karikatura.
Punëtoria synon pjesëmarrësit nga diaspora. Organizatorët kanë thënë se pos që do të mund të dëgjojnë ligjërata, edhe mund ta praktikojnë këtë art, e madje të bëhen pjesë e Shoqatës së Karikaturistëve “HITHI” që organizon ngjarjen