Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Historia e suksesit dhe egërsisë ndaj komunitetit “queer” në Berlin

queer

Klubet “queer” si “Eldorado” ishin ambiente të konsoliduara në Berlinin e epokës së Vajmarit

Tash Berlini shihet gjerësisht si një nga qytetet më miqësore ndaj komunitetit “queer” në botë  dhe kjo ishte e vërtetë edhe rreth një shekull më parë, para se nacionalsocialistët të merrnin pushtetin në fillim të viteve ‘30 të shekullit të kaluar.

Në vitet ‘20, gjatë periudhës së njohur si Republika e Vajmarit në Gjermani, Berlini u bë jo vetëm një strehë për jetën e natës “queer”, por edhe një nga qendrat më të rëndësishme në botë për kërkimin e hershëm mbi LGBTQ+, aktivizmin dhe ndërtimin e komunitetit, duke ndihmuar në formësimin e mendimit modern mbi seksualitetin dhe gjininë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në vitin 1871, Gjermania miratoi Paragrafin 175, i cili kriminalizonte marrëdhëniet seksuale mes burrave. Ai bazohej në legjislacion më të hershëm prusian dhe u zbatua me intensitete të ndryshme nga viti 1872 deri në vitin 1945. Gjermania Lindore e hoqi këtë ligj në vitin 1968, ndërsa Gjermania Perëndimore e reformoi në fund të viteve ’60 dhe fillim të viteve ’70, por nuk e shfuqizoi plotësisht deri në vitin 1994.

Zbatimi fillestar i ligjit shkaktoi kundërshtime nga aktivistë, mjekë dhe shkrimtarë, ndër të tjerë, duke çuar në një nga lëvizjet më të hershme të dukshme për të drejtat e homoseksualëve në Evropë.
Një figurë qendrore në atë lëvizje ishte Magnus Hirschfeld, një mjek dhe studiues i seksualitetit, i cili argumentonte se orientimi seksual dhe identiteti gjinor janë pjesë natyrore e diversitetit njerëzor dhe jo dështime morale apo krime. Në vitin 1897, ai themeloi Komitetin Shkencor-Humanitar në Berlin, i konsideruar si organizata e parë në botë e dedikuar mbrojtjes së të drejtave të homoseksualëve. Një nga qëllimet kryesore të këtij komiteti ishte sfidimi i Paragrafit 175.

Në vitin 1919, Hirschfeld themeloi Institutin për Shkencën Seksuale në Berlin, i cili kombinonte kërkimin dhe edukimin me kujdesin ndaj pacientëve. Instituti u bë i njohur ndërkombëtarisht për punën e tij jashtëzakonisht progresive mbi seksualitetin, shprehjen gjinore dhe atë që sot kuptohet si identitet transgjinor. Ai ofronte këshillim, mbante arkiva të gjera dhe promovonte ide shumë përpara kohës së tyre. Gjithashtu sfidonte ndarjet e ngurta mashkull-femër.

Në këtë atmosferë, shumë artistë ndiheshin rehat të ishin të hapur për identitetet e tyre joheteroseksuale.

“Në atë kohë, Berlini ishte padyshim një nga qytetet më liberale në botë”, ka thënë Birgit Bosold, anëtare afatgjatë e bordit të Muzeut Gay të Berlinit (Schwules Museum), në një intervistë të mëparshme për DW.

Kishte shumë klube, botime dhe vende takimi për persona “gay”, lezbike dhe me identitete gjinore jokonformiste, pavarësisht rreziqeve ligjore dhe paragjykimeve që ende ekzistonin.
Statusi i Berlinit si një nga qendrat më të rëndësishme urbane të jetës “queer” në fillim të shekullit 20 ndryshoi me ardhjen në pushtet të nazistëve në vitin 1933. Më 6 maj të atij viti, Instituti i Hirschfeldit u bastis dhe u shkatërrua. Biblioteka dhe arkivat e tij kërkimore u plaçkitën, dhe shumë libra e dokumente u dogjën në djegien famëkeqe naziste të librave në Berlin më 10 maj 1933.
Sot, vizitorët në Berlin mund të shohin një pllakë përkujtimore në vendin ku dikur ndodhej Instituti.
Ashtu si edhe sot, lagjja perëndimore e Berlinit, “Schöneberg”, ishte një vend takimi për artistë dhe krijues. Një nga vendet e njohura të epokës së Vajmarit ishte kafeneja “Dorian Gray”, në “Bülowstrasse”, një vend i njohur takimesh “queer” që ishte veçanërisht i rëndësishëm në skenën sociale lesbike të Berlinit. Sipas burimeve historike, ai ishte një ambient i përzier, me disa mbrëmje të dedikuara për gratë dhe të tjera për burrat. Vendi organizonte performanca muzikore, mbrëmje me kostume dhe lexime letrare, përpara se të mbyllej nga nazistët.

Një nga klubet më të famshme “queer” të Berlinit të epokës së Vajmarit ishte “Eldorado”. U hap për herë të parë në vitin 1924 në “Kantstrasse”, në lagjen pranë “Charlottenburg”, përpara se të zhvendosej në disa lokacione të ndryshme gjatë viteve. Më shumë se një vend argëtimi, ai ishte një pikë takimi për artistë, shkrimtarë, performues dhe komunitetin LGBTQ+ të Berlinit, duke organizuar performanca “drag” dhe duke ofruar liri sociale pas dyerve të tij të mbyllura.

Atmosfera e klubit frymëzoi shumë njerëz: artisti Otto Dix pikturoi skena nga “Eldorado”, ndërsa këngëtarja e famshme me origjinë gjermane Marlene Dietrich thuhet se ka performuar aty. Shkrimtari britanik Christopher Isherwood erdhi në Berlin në fund të viteve ‘20 dhe shkroi librin “The Berlin Stories” pasi vizitoi vende si “Eldorado” gjatë udhëtimit të tij. Libri bazohet shumë në botën boheme, “queer” dhe politike të Berlinit të viteve ‘20.

Pasi morën pushtetin, nazistët i dhanë fund brutalisht kulturës së tolerancës së epokës së Vajmarit. Ata ashpërsuan legjislacionin dhe arrestuan burra homoseksualë: të paktën 50 mijë dënime u shqiptuan sipas Paragrafit 175, dhe vlerësohet se 5 mijë deri në 15 mijë  prej këtyre burrave u dërguan në kampe përqendrimi, sipas të dhënave të Muzeut Memorial të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa përndjekja naziste e ndërpreu në mënyrë të dhunshme jetën e gjallë “queer” të Berlinit, kryeqyteti gjerman gradualisht përjetoi një rilindje, duke u bërë qendra e kulturës “queer” që është sot.