Valdet Deva, i cili prezantohet si nipi i Xhafer Devës, ka njoftuar se Gjykata e Berlinit ka hedhur poshtë padinë e tij ndaj ambasadorit gjerman, Joern Rohde, për “shpifje të rëndë ndaj figurës së Xhafer Devës”. Siç ka njoftuar Valdet Deva në Facebook, padia është hedhur poshtë nga Gjykata “në bazë të asaj se pala paditëse nuk ka përmbushur kushtin për tentimpajtimi/marrëveshjeje midis palëve”.
“Unë me rastin e paraqitjes së dëshmive pranë kësaj gjykate, kam parashtruar dëshmitë me shkrim, ndër të tjera të gjitha letrat e dërguara në adresën e ambasadorit Rohde, ku i kërkoj takim dhe i jap mundësinë për paraqitjen e provave ose kërkimfalje për deklaratën e tij. Duket se kjo nuk paska mjaftuar për Gjykatën e Berlinit. Në anën tjetër, mbas paraqitjes së provave në lidhje me këtë padi pranë Gjykatës, asnjëherë nuk mu prezantua përgjigja nga pala tjetër, gjë që është e domosdoshme dhe normale në procedurën ligjore në rast padije private. Siç thotë fjala e popullit ‘I forti ban gjithçka’!” ka shkruar Valdet Deva në Facebook të mërkurën në mëngjes.
Ai ka thënë se ky rast vetëm sa e ka “forcuar dhe i ka dhenë kurajë të vazhdojë punën në ndriçimin e figurës së Xhafer Devës dhe kthimin e pronave të familjes Deva që u konfiskuan nga pushtuesi serbosllav dhe argatët e tyre shqipfolës”.
Historia e kësaj nisme të Valdet Devës i cili jeton në Suedi, zë fill në shkurt të vitit të kaluar. Asokohe, Ministria e Kulturës së bashku me partnerët ndërkombëtarë, ishte gati për ta nisur restaurimin e ish-shtëpisë së Xhafër Devës në Mitrovicë. Projekti ishte pezulluar kur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, kishte deklaruar publikisht duke thënë që të “mos shtrembërohet e vërteta në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendës”.
Deklarata e ambasadorit të Gjermanisë në shkurt kishte bërë që procesi i restaurimit të shtëpisë që prej pas Luftës së Dytë Botërore, është shtetëzuar të pezullohej. Në ditën e 8-të të shkurtit Zyra e BE-së në Kosovë bashkë me atë të UNDP-së kishin dalë me një deklaratë të përbashkët duke bërë të ditur pezullimin e projektit. E MKRS-ja kishte paralajmëruar se do të presë një kohë, por do ta zbatojë projektin vetë nëse partnerët ndërkombëtarë heqin dorë. Para se çështja të shndërrohej në telash të madh, shkaku i veprimtarisë së ish-pronarit të ndërtesës ikonike, MKRS-ja po bashkëpunonte për restaurim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe UNDP-në. Këto dy institucione ndërkombëtare nuk kanë bërë hapa të tjerë pos pezullimit.
Edhe
Pasardhësi i Xhafer Devës padit ambasadorin e Gjermanisë, kërkon drejtësi
Ish-pronari i Shtëpisë, Xhafer Deva, qe ministër i Brendshëm i Shqipërisë prej vitit 1943 deri më 1944, në kuadër të Këshillit të Regjencës. Deva është figurë polarizuese e historiografisë. I takoi Qeverisë, që për disa historianë synonte një Shqipëri të Madhe, e për disa të tjerë ishte bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë.
Në shkurt të vitit të kaluar, historiania zvicerane, Franziska Zaugg, që është docente në Universitetin e Freiburgut në Zvicrën franceze dhe drejton një projekt shkencor në Universitetin e Bernit, kishte thënë se Xhafer Deva ishte politikan mes kolaboracionizmit dhe patriotizmit. E intervistuar nga gazetari Enver Robelli ajo kishte thënë se nuk i pëlqejnë shpjegimet bardh e zi, aq më pak kur bëhet fjalë për historinë e Kosovës të shekullit XX.
“Xhafer Deva është një person i larmishëm dhe me dritëhije jashtëzakonisht të ndryshme”, kishte thënë ajo.
Por Shtëpia, ish-pronar i së cilës qe Xhafer Deva, mbrohet me ligj si trashëgimi arkitekturore. E ndërtuar në vitin 1930, ndërtesa solli frymë të arkitekturës evropiane në Mitrovicë. Pas restaurimit llogaritet të jetë qendër kulturore dhe seli e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.
Qeveria më 9 shkurt të vitit të kaluar, qe shprehur e vendosur për restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës, kur bëri të ditur se nuk do tërhiqej nga investimi në një prej monumenteve më reprezentative, jo veç në Mitrovicë.
Edhe
Historiani Buxhovi distancohet nga padia ndaj ambasadorit të Gjermanisë për rastin e Xhafer Devës
Në një konferencë për media, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte thënë se diskutimi i hapur ka burimin në Serbi.
“Debati i ditëve të fundit ka origjinën në Serbi dhe është shumë e qartë”, kishte thënë Çeku. Me këtë u ishte referuar deklaratave të ministres së Kulturës dhe Informacionit në Serbi, Maja Gojkoviq, e cila kishte bërë thirrje që të ndalej projekti, shkaku i figurës së Xhafer Devës.
“Paradoksalisht, një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve i ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretizuar Kosovën si mohuese të Holokaustit ose duke e paraqitur projektin e restaurimit të këtij monumenti si përpjekje për rishkrim të historisë. Është narracion i gënjeshtërt që vjen nga Serbia, sepse faktet historike janë kokëforta dhe qartësisht s’janë në anën e Serbisë”, kishte komentuar ministri Çeku thirrjen e homologes së tij në Serbi. Sipas tij, monumenti i mbrojtur, që në Listën e Trashëgimisë Kulturore formalisht figuron me emrin Shtëpia e Xhafer Devës, është monument me pronësi publike. Kishte shpjeguar se gjatë historisë së saj ka pasur funksione të shumta publike, përfshirë Shtëpinë e Shëndetit apo funksione të tjera.
Historia e ndërhyrjeve në këtë monument daton qysh prej vitit 2010. Janë nënshkruar disa kontrata, janë bërë ndërhyrje emergjente e restauruese. Më 2015, Shtëpia qe përfshirë nga zjarri dhe për shumëkënd bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë ka ngelur në kuadër të aludimeve. Më pas, më 2018, ka nisur procesi tjetër i ndërhyrjeve që ishte ndërprerë pas vendosjes së pllakave.
Edhe
Familjarët e Xhafer Devës padisin ambasadorin gjerman Rohde
MKRS-ja zyrtarisht ka shpenzuar 92 mijë e 996 euro deri më tash sa i përket këtij monumenti.