Kulturë

Familjarët e Xhafer Devës padisin ambasadorin gjerman Rohde

Joern Rohde

Familjarët e ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Xhafer Deva, kanë dorëzuar padi në Gjermani ndaj ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, në lidhje me mënyrën se si ambasadori kishte reaguar ndaj planeve të Ministrisë së Kulturës për ta rinovuar shtëpinë e dikurshme të Devës.

“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. Asnjë zbardhje e historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas. Mbro Faktet”, ka shkruar Rohde në llogarinë e tij në Tëitter.

Ndërkohë nipi i Devës, Valdeti, në Facebook ka shkruar se të mërkurën do të dorëzohet padia ndaj Rohdes në Gjykatë në Berlin.

Familjarët thonë se Deva me veprimet e tij ka shpëtuar mijëra hebrenj. Ndërsa po ashtu ka thënë se do të ftohet në mesin e dëshmitarëve edhe historiani Jusuf Buxhovi. Po ashtu ish-deputeti Faton Bislimi.

“Sot, dorëzohet padia ndaj ambasadorit gjerman në Prishtinë, Joern Rohde, për shpifje të rëndë ndaj figurës së Xhafer Devës. Padia dorëzohet në Gjykatën e Berlinit në Gjermani. Ambasadori ka vazhduar me akuza të rrejshme dhe të pabaza ndaj figurës së Xhafer Devës, dhe ka marrë rolin e guvernatorit duke na treguar se si të veprojmë me punët tona të brendshme”, ka shkruar Valdet Deva në Facebook.

Valdet Deva ka thënë se është për keqardhje që “Rohde e as kolegët e tij në Serbi, nuk reaguan aq ashpër për festimin e përkujtimin e Drazha Mihajloviqit e Sllobodan Millosheviqit, të cilëve u kanë ngritur edhe përmendore në shumë vende në Serbi”.

Valdet Deva ka thënë se “duket që ambasadori gjerman, po i shërben dikujt tjetër, dhe jo shtetit e popullit bujar gjerman”.