Kulturë

Heshtja e një vajze të ikur nga lufta

Jehona Kicaj

Jehona Kicaj ka lindur në vitin 1991 në Suharekë dhe ka ardhur në Gjermani kur ishte ende e vogël. Ajo thotë se vjen nga një familje punëtorësh; pasionin për letërsinë e ka zbuluar në orët e gjermanishtes (Foto: DPA)

Me romanin e saj debutues “ë“ Jehona Kicaj i jep zë heshtjes – dhe tregon atë që zakonisht mbetet e pathënë

Anila Shuka

Shkronja “ë“ nuk ekziston në gjermanisht. Në shqip ajo është shkronja më e shpeshtë, por në fund të fjalës, thuajse e padëgjueshme. Si zëri i figurës kryesore në romanin e Jehona Kicajt “ë”. Gjuha e saj është e heshtur por e fuqishme. Quhet bruksizëm dhe është aq e fortë sa mund të shkatërrojë lëndën më të fortë të njeriut: zmaltin. Zakonisht ndodh kur mëson të ndrydhësh dhimbjen. “Të tregosh mungesën e fjalës përmes letërsisë është sfida më e madhe“, thotë Jehona Kicaj në një intervistë për DW. “Këtë kam dashur të bëj në këtë roman.“

Personazhi kryesor është një vajzë që në vitin 1998 largohet nga Kosova me familjen e saj për t’u bashkuar me babanë, i cili punonte në Gjermani. Në atë kohë, në Kosovë ndodhnin masakra kundër popullsisë shqiptare, ndërsa në Gjermani diskutohej nëse vendi duhej të merrte pjesë në ndërhyrjen e NATO-s kundër Millosheviqit.

Në Gjermani përpiqet të gjejë miq, por sikur e ka gjuhën të lidhur. Nuk është vetëm gjuha e huaj që e ndan nga bashkëmoshatarët, por edhe kujtimet që ka sjellë me vete. Janë kujtime që njerëzit preferojnë t’i harrojnë. “Nuk po m’kujtohet“ – një nga fjalitë e shpeshta të së ëmës.

Vite më vonë, si e rritur, përpiqet të kuptojë heshtjen e asaj kohe. Kthehet në Kosovë, hap albumet e vjetra të fotografive, bisedon me Shpresën, kushërirën që e ka përjetuar luftën nga afër, ndjek një kurs për identifikimin e kufomave në varret masive, flet me një mik të studimeve, Eliasin, që ka dëgjuar për luftën vetëm nga televizori. Nga këto takime lind një rrëfim me shumë zëra – për ata që e kanë përjetuar luftën, kanë debatuar mbi të dhe ata që kanë heshtur.

Në romanin “ë” flasin edhe eshtrat e të zhvarrosurve nga varret masive të luftës së Kosovës. Jehona Kicaj kujton se hulumtimi për krimet e luftës ka qenë emocionalisht shumë i rëndë

Krime jashtë imagjinatës njerëzore

Jehona Kicaj ka lindur në vitin 1991 në Suharekë dhe ka ardhur në Gjermani kur ishte ende e vogël. Ajo thotë se vjen nga një familje punëtorësh; pasionin për letërsinë e ka zbuluar në orët e gjermanishtes. 
“Në shkollë kuptova se sa shumë mund të të ndryshojë letërsia“, kujton ajo. Shkrimtari që e ka frymëzuar më shumë është Heinrich von Kleist. “Prej tij mësova se njerëzit mund të flasin edhe pa fjalë – me gjeste, me trup, me heshtje“, thotë Kicaj.

Në romanin “ë” flasin edhe eshtrat e të zhvarrosurve nga varret masive të luftës së Kosovës. Jehona Kicaj kujton se hulumtimi për krimet e luftës ka qenë emocionalisht shumë i rëndë. “Disa ngjarje ishin tërësisht jashtë imagjinatës së një njeriu“, kujton ajo. Fakti që libri u nominua për çmimin më të rëndësishëm gjerman, Deutscher Buchpreis, e gëzon sidomos për shkak të faktit që tani më në fund ky kapitull i dhimbshëm po merr kaq shumë vëmendje.  “Për këtë luftë flitet shumë pak – si në Kosovë, si në vendet ku sot jetojnë kosovarët që u larguan atëherë, si në Zvicër, në Austri, por edhe në Gjermani. or përvojat e asaj kohe jetojnë ende në njerëz – edhe tek brezi i fëmijëve të tyre“

Perspektiva e diasporës

Prandaj ajo e tregon luftën nga perspektiva e fëmijës së diasporës. Si botuese dhe bashkëthemeluese e shtëpisë botuese “Resonar Verlag” në Hanover, ajo edhe më parë është marrë me këtë temë – në një libër për gastarbeiterët dhe fëmijët e tyre.

Në “ë” shumë fjali janë lënë në shqip, madje në dialekt. Kush nuk e njeh gjuhën, pengohet për një çast. Por kjo është pikërisht ideja: edhe pse fjalia përkthehet, ajo në origjinal mbetet si një gur pengese dhe njëkohësisht një ftesë për të hyrë në një botë të panjohur.

Ndoshta nuk është rastësi që babai i personazhit kryesor nuk është refugjat lufte, por punëtor emigrant. Ai i përket asaj gjenerate që Gjermania e shihte për shumë vite vetëm si fuqi punëtore – njerëz që do të vinin, do të punonin dhe pastaj do të ktheheshin. Por ata qëndruan, krijuan familje, ndërtuan jetë të reja. Politika gjermane dikur e pranoi këtë gabim dhe u përpoq ta korrigjonte me refugjatët e luftës së Sirisë: atyre u ofroi kurse integrimi, për të kuptuar Gjermaninë. Por as këta nuk u pyetën për historitë që sjellin me vete. 

Romani “ë” e ndryshon drejtimin dhe tregon se integrimi nuk është një detyrim i njëanshëm por një përvojë e përbashkët.