Kulturë

Romani “ë” lë histori në Çmimin Gjerman për Librin, juria shpërblen “Gratë holandeze”

romani  ë

Kur në shtator juria ishte përcaktuar për gjashtëshen e listës së ngushtë, në arsyetim për “ë” shkruhej se Jehona Kicaj rrëfen historinë e një vajze të re që ikën në Gjermani me familjen e saj pak para shpërthimit të Luftës së Kosovës në vitin 1998. “Duke nisur nga një sëmundje e nofullës që e mundon rrënimtaren – e cila mund të çojë në humbjen e aftësisë për të folur – ajo eksploron origjinën e saj kosovare nga këndvështrimi i diasporës, në nivele të ndryshme rrëfimi dhe kohe, duke përfshirë edhe padijen dhe mungesën e njohurive të bashkëqytetarëve të saj gjermanë për vendin e saj”, shkruhej në arsyetim

Romani me titull “ë” i Jehona Kicajt la nam në kualifikimin për Çmimin Gjerman të Librit, duke hyrë në listën e ngushtë prej gjashtë veprash. Megjithëse Çmimi iu nda romanit “Gratë holandeze” të Dorothee Elmiger, vepra e Kicajt ka marrë vlerësimin më të lartë deri më tash në letërsinë gjermane sa i përket një autoreje që ka prejardhje nga Kosova. Rrëfimi i personazhes së saj për ikjen në Gjermani, sfidat e integrimit në shoqërinë gjermane e ndjesitë prej emigranteje, padyshim se do të zgjojë interes të madh në Panairin e Librit në Frankfurt këtë javë

Historia e një shqiptareje të re të Kosovës që ikën bashkë me familje për në Gjermani në prag të luftës në shtetin ballkanik, tashmë është rrëfim që ka bërë histori në letërsinë gjermane. Romani me titull “ë” i Jehona Kicajt la nam në kualifikimin për Çmimin Gjerman të Librit duke hyrë në listën e ngushtë prej gjashtë veprash. Megjithëse Çmimi iu nda romanit “Gratë holandeze” të Dorothee Elmiger, vepra e Kicajt ka marrë vlerësimin më të lartë deri më tash në letërsinë gjermane sa i përket një autoreje që ka prejardhje nga Kosova. Rrëfimi i personazhes së saj për ikjen në Gjermani, sfidat e integrimit në shoqërinë gjermane e ndjesitë prej emigranteje, padyshim se do të zgjojë interes të madh në Panairin e Librit në Frankfurt këtë javë.  

Për jurinë e Çmimit Gjerman për Librin, “Gratë Holandeze” me titull në origjinal “Die Holländerinnen”, është një ngjarje më vete.

“Një shkrimtare rrëfen udhëtimin e saj në xhunglën e Amerikës së Jugut me një trupë teatri, duke ndjekur gjurmët e dy grave holandeze që kishin zhdukur aty vite më parë. Gjatë rrugës, grupi ndan rrëfime shqetësuese. Sa më thellë që futen në dendësinë dhe baltën e xhunglës, aq më shumë Elmiger e tërheq lexuesin në një vorbull frike”, shkruhet në arsyetimin për Çmimin e ndarë të hënën pasdite. “Romani i saj flet për njerëz që zbresin në ‘të kundërtën më të errët’ të vetes. Jo vetëm gjuha e Elmiger është e tërthortë, e tillë është edhe mënyra se si ajo i referohet së tashmes sonë, e cila po fundoset, hap pas hapi, në teprinë e krenarisë. Stili i saj është njëkohësisht i ftohtë dhe magjepsës. ‘Gratë Holandeze’ është një udhëtim magjepsës drejt zemrës së errësirës”, përfundon arsyetimi.

Juria në përbërje të kryetares Laura de Weck dhe anëtarëve Maria Carolina Foi, Jürgen Kaube, Friedhelm Marx, Kathrin Matern, Lara Sielmann dhe Shirin Sojitrawalla ka vendosur që ky rrëfim ta ketë Çmimin për sivjet. Romani i Dorothee Elmiger për rrënimtare ka një shkrimtare që kontaktohet nga një producent i famshëm teatri, i cili dëshiron ta përfshijë në projektin e tij më të fundit: një shfaqje me njëfarë pasioni tropikal.

“Ajo duhet të regjistrojë përshtypjet e saj personale në detaje, duke dokumentuar kërkimin dhe krijimin e shfaqjes, e cila rrotullohet rreth historisë së dy grave që janë zhdukur në një pyll të Amerikës Qendrore. Një kamerë digjitale e gjetur në vendngjarje nxori në pah një mister. Ajo përmbante 91 fotografi radhazi, pa asnjë tregues se çfarë përpiqeshin gratë të kapnin”, përshkruhet vepra e shkrimtares zvicerane. Dorothee Elmiger (40) ndërton historinë me shkrimtaren si personazh që disa javë më vonë, niset për t’u bashkuar me trupën e teatrit në udhëtimin e tyre drejt thellësive të xhunglës. Ajo ndien një lloj rreziku, një parehati që e pushton, megjithëse nuk është në gjendje të kuptojë nëse kjo ndjesi vjen nga peizazhi dhe klima apo nga planet e regjisorit.

“Ndjenja e dezorientimit që e përfshin për shkak të shkëputjes nga vendi i njohur, rrugët e braktisura, plantacionet e lëna pas dore dhe heshtjet janë pikërisht ato që regjisori i ka kërkuar t’i vërejë dhe t’i transkriptojë. Sa më thellë që zhytet, aq më shumë humbet: gjuhën, konceptet, vetveten, ndjesinë e botës përreth”, përshkruhet romani. Dorothee Elmiger sipas organizatorëve të Çmimit Gjerman për Librin, rrëfen një histori tronditëse për njerëzit dhe përbindëshat, për frikën dhe dhunën, për humbjen në univers dhe për dështimin e vetë rrëfimeve.

Në garë me të për një prej çmimeve më me peshë që ndahen në botën gjermanofolëse qenë edhe Kaleb Erdmann me veprën  “Die Ausweichschule, Thomas Melle me veprën “Haus zur Sonne”, Fiona Sironic me veprën “Am Samstag gehen die Mädchen in den Wald und jagen Sachen in die Luft”, Christine Wunnicke me veprën “Wachs” dhe Jehona Kicaj me “ë”.

Kur në shtator juria ishte përcaktuar për gjashtëshen e listës së ngushtë, në arsyetim për “ë” shkruhej se Jehona Kicaj rrëfen historinë e një vajze të re që ikën në Gjermani me familjen e saj pak para shpërthimit të Luftës së Kosovës në vitin 1998.

“Duke nisur nga një sëmundje e nofullës që e mundon rrëfimtaren – e cila mund të çojë në humbjen e aftësisë për të folur – ajo eksploron origjinën e saj kosovare nga këndvështrimi i diasporës, në nivele të ndryshme rrëfimi dhe kohe, duke përfshirë edhe padijen dhe mungesën e njohurive të bashkëqytetarëve të saj gjermanë për vendin e saj”, shkruhej në arsyetim. Sipas jurisë, nëpërmjet dhëmbëve dhe kockave – që, siç dihet, mund të shërbejnë edhe për identifikimin e viktimave të vrasjeve – ajo ndjek gjurmët e historisë së saj të copëtuar.

“Një roman i jashtëzakonshëm, i cili, duke nisur nga një nofull që kërcet dhe nga shkronja e vogël, por formësuese e identitetit, “ë” në gjuhën shqipe, hap një botë shumështresore dhe e bën atë të prekshme”, shkruhej në arsyetim.

Kurse në ueb-faqen e Çmimit Gjerman për Librin, sqarohet se titulli i pazakontë “ë” i referohet një shkronje që ka një funksion të rëndësishëm në gjuhën shqipe, megjithëse zakonisht nuk shqiptohet. Tregohet se si bijë refugjatësh nga Kosova, rrëfimtarja është në kërkim të një gjuhe dhe një zëri.

“Ajo rritet në Gjermani, ndjek kopshtin, shkollën dhe universitetin, duke kërkuar mirëkuptim, por përballet me paragjykime, moskuptim dhe padije. Kur ndodhi Lufta e Kosovës në fund të viteve ‘90, ajo e përjetoi nga një distancë e sigurt. Megjithatë, lufta dhe vdekja janë të pranishme edhe në diasporë, thjesht përjetohen në një mënyrë tjetër”, shkruhet për romanin.  Tregohet se kjo vepër flet për Luftën e Kosovës dhe kujton vuajtjet e familjeve që humbën atdheun, të atyre që u vranë e u varrosën në mënyrë anonime dhe që ende sot janë të humbur ose të paidentifikuar. “Jehona Kicaj sjell në jetë një të kaluar që nuk mund të zbehet, sepse ajo është ngulitur përgjithmonë në çdo fije të trupit”, bëhet e ditur në përshkrim.

Vepra e Kicajt është botuar nga shtëpia botuese “Wallstein Verlag” me seli në Göttingen. Shkrimtarja me prejardhje nga Kosova me romanin e saj të parë ka bërë bujë në çarqet letrare gjermane. Dhe atë me histori që bashkon dy popujt, shqiptarët e Kosovës dhe atë gjerman.