Shtojca për Kulturë

Si të gjendet gjuha kur mungojnë fjalët? Jehona Kicaj na tregon këtë – me një roman të furishëm

Si të gjendet gjuha kur mungojnë fjalët? Jehona Kicaj na tregon këtë –  me një roman të furishëm

Ky roman nuk është një përpjekje për të shpjeguar një shkronjë të veçantë të alfabetit të shqipes. Në të vërtetë, kjo vepër është mësymja e parë serioze letrare e një autoreje me rrënjë nga Kosova në Gjermani për t’i dhënë zë, për ta bërë të lexueshme dhe të dëgjueshme jetën, vuajtjet dhe historinë e mërgimit që shtrihet mes dy botëve

Shkrimtarja gjermano-kosovare, Jehona Kicaj, ka shkruar një roman të rëndësishëm mbi gjetjen e gjuhës për përshkrimin e vuajtjeve të një jete mes dy botëve – mërgimit gjerman dhe Kosovës me shumë plagë

Çdo kosovar i rritur në Perëndim në vitet 1990 do ta gjejë shpejt veten në romanin e parë të Jehona Kicajt. Por për këtë pak më vonë. Titulli i librit me pak fletë (vetëm 176 faqe) e me shumë tema është i shkurtër: “ë”. Kjo zanore dhe shkronjë e tetë e alfabetit shqip është e veçantë: përdoret në mënyrë inflacionare gjatë shkrimit të gjuhës shqipe, herë s’shqiptohet fare, shpesh ngatërrohet dhe nganjëherë vendoset aty ku nuk duhet (ose s’vendoset aty ku e ka vendin). Personazhja kryesore dhe e paemër e romanit “ë” thotë: “Kjo është e vështirë për t’u shpjeguar. Kur në shqip i drejtohesh dikujt drejtpërdrejt, kalon nga trajta e shquar në atë të pashquarën. Tek emrat femërorë, nga ‘a’-ja në fund del kjo shkronjë”. Shkronja “ë”.

Ky roman nuk është një përpjekje për të shpjeguar një shkronjë të veçantë të alfabetit të shqipes. Në të vërtetë, kjo vepër është mësymja e parë serioze letrare e një autoreje me rrënjë nga Kosova në Gjermani për t’i dhënë zë, për ta bërë të lexueshme dhe të dëgjueshme jetën, vuajtjet dhe historinë e mërgimit që shtrihet mes dy botëve: atdheut të paharruar dhe shoqërisë së re në të cilën –  deshe apo s’deshe –  duhet të integrohesh, përkundër barrierave dhe keqkuptimeve.

Kujt nuk i kujtohet shqetësimi që rritej pas çdo metri kur në vitet 1990-të vetura i afrohej kufirit serb nga ana e Hungarisë ose anasjelltas: polici kufitar serb që kërkonte 100 marka, doganieri që të maltretonte sapo shihte emrin apo mbiemrin shqiptar, polici tjetër që të pyeste: “A di të thuash ‘ç’? Mirë. Shko atje dhe ma blej një Chivas”. Një uiski skocez, i cili gjendej në raftet e njërit nga Duty-free-Shopat e zonës meskufitare; këto dyqane në vitet e luftërave në Ballkan i kontrollonte Marko Millosheviqi, i biri i diktatorit serb.

Në romanin e Jehona Kicajt kjo situatë përshkruhet kështu: “Më kujtohet që duart e nënës time dridheshin, kur baba i kërkoi t’ia jepte pasaportat, që ajo nuk ishte në gjendje të hapte zinxhirin e çantës së kuqe prej lëkure me të gjitha dokumentet tona. Ajo ia dha çantën e pahapur, me kokën ulur. Më kujtohen shikimet e ftohta të policit kufitar, me të cilat na shikonte përçmueshëm nga lart nëpërmjet dritareve të veturës, kujtoj kur na shtynë të gjithëve të zbrisnim dhe të nxirrnim gjërat nga vetura”.

Jehona Kicaj (Foto: Carl Philipp Roth)

Personazhja kryesore e Jehona Kicajt vuan nga bruksizmi, një çrregullim që shkakton shtrëngim të pavullnetshëm të dhëmbëve, kërcitje dhe bluarje, si gjatë gjumit ashtu edhe kur je i zgjuar. Ky shtrëngim dhëmbësh jehon gjatë gjithë romanit. “Unë bluaj secilën fjalë, përpara se të flas”. Ky është një problem i theksuar veçanërisht te ata fëmijë dhe të rinj, të cilët, pasi vijnë në Gjermani apo gjetiu në Perëndim, japin gjithçka për të mësuar gjuhën e shoqërisë shumicë.

Në kërkim të fjalëve Jehona Kicaj gërmon në historinë më të re të Kosovës, duke nxjerrë në sipërfaqe dhimbjen e atyre që humbën më të dashurit e tyre (në roman një antropologe forenzike shpjegon punën e saj në Kosovë), përmend helmimet e nxënësve në Kosovë në fillim të viteve 1990-të, referon mbi keqkuptimet me kolegët studentë gjermanë (gjatë një vizite në një manastir ortodoks serb në Kosovë ata blejnë një dhuratë, e cila i mllefos dy studentët me origjinë nga Kosova: një shishe me raki, me një kryq dhe me shënimin Kosovo në alfabetin cirilik) dhe tregon mbi vështirësitë e integrimit në Gjermani: një ditë personazhja shkon në shkollë dhe vëren se të gjithë shokët dhe shoqet e saj janë të veshur me kostume karnavali, vetëm nxënësja nga Kosova nuk e ka kuptuar porosinë e arsimtares se duhet të vishet me kostum karnavali, andaj shpërthen në vaj.

Kjo është drama e hapave të parë në Gjermani –  një dramë që lë gjurmë në formimin e çdo fëmije. Ai gjendet para pritjeve të mëdha: shteti, shkolla, shoqëria shumicë presin të integrohesh sa më shpejt, familja, ndërkaq, dëshiron të mos e harrosh gjuhën, kulturën, historinë, traditën, Skënderbeun, Nënë Terezën, këngët patriotike.

Kjo përvojë tingëllon kështu në roman: xhaxhai i personazhes kryesore këmbëngulë që “n’ketë shtëpi flitet shqip”, kjo domethënë: ai çdo ditë ecte gjysmë ore deri në stacionin më të afërt të trenit për ta blerë gazetën “Koha Ditore”.

“Sa herë që e vizitoja atë dhe familjen e tij, ai, pa thënë asnjë fjalë, më jepte një faqe të gazetës dhe tregonte me gisht një artikull të caktuar: ‘Lexoje këtë dhe më trego pastaj përmbajtjen’. Më kujtohet tensioni që ndjeja gjatë leximit. Çfarë do të ndodhte nëse që në titull gjendej një fjalë që nuk e njihja? (...) Ndihesha si një filloriste. Çdo herë kisha frikë se mos më kërkonte të filloja me përmbledhjen pa e lexuar të gjithë tekstin. Por ai kurrë nuk e bënte këtë. Kur më drejtohej, belbëzoja diçka të nxjerrë përafërsisht nga konteksti. Ndërsa flisja, shikimi i tij qëndronte ende mbi faqen e gazetës, të cilën e mbante në dorë dhe e lexonte vetë. Ndonjëherë mendoja se nuk më dëgjonte fare. Kur mbaroja fjalën, ai ngrinte sytë dhe thoshte ose mirë, ose: ‘Nuk e ke kuptuar thelbin, lexoje përsëri’”.

Atë vajzën që në fund të viteve 1990 e lexonte gazetën “Koha Ditore” në një strehimore refugjatësh apo banesë të vjetër në Gjermani vite më vonë, pas çlirimit të Kosovës, Jehona Kicaj e kthen në Kosovë. Në ecjet e saj në vendin e origjinës ajo i ngjan antropologes forenzike që shfaqet në roman: qëron realitetin për të kuptuar dhimbjen e humbjes.

Me këtë roman Jehona Kicaj ka gjetur fjalë për pathënësinë, pagojësinë dhe pagjuhësinë e një periudhe të rëndësishme të historisë kosovare të mërgimit. Kësisoj ajo është nisur rrugës për t’u bërë zëri i një gjenerate kosovarësh të rritur e pjekur në Gjermani, Zvicër e Austri në 35 vjetët e fundit.

Nganjëherë romani duket tepër i ngarkuar me një vistër temash, kjo ndoshta është mangësia e vetme e tij. Autorja në disa raste zgjedh vetëm një ton referues, saqë si lexues të duket se je duke lexuar lajmet e ditës në gazetë dhe jo letërsi.

Nga kritika letrare në Gjermani romani “ë” është pritur shumë mirë, recensionet e para janë pozitive. Lajmi se romani i Jehona Kicajt ky hyrë në “Longlist”, në listën e gjatë, për Çmimin Gjerman të Librit, është një premierë e vërtetë: Kicaj është autorja e parë me origjinë kosovare që ngjitet në këto nivele të letërsisë gjermane. Romani i saj i parë tregon se ajo nuk është autore e rastësishme, as nuk është e lindur nga rrethanat jashtëletrare.

Çmimi Gjerman i Librit është një nga çmimet më të rëndësishme për letërsinë gjermanishtfolëse. Fitueses ose fituesit i ndahen 25 mijë euro. Në hapin e ardhshëm, anëtarët e jurisë përzgjedhin nga titujt e listës së gjatë gjashtë romane për listën e shkurtër. Kjo do të shpallet më 16 shtator.