Kulturë

Harrohen nismat për dy muze si dëshmi të krimeve ndaj shqiptarëve

Paraditja e 14 majit të këtij viti, tash ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministrin e Kulturës në detyrë, Kujtim Gashi, e drejtorin ekzekutiv të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj, dhe kryesuesin i Bordit të kësaj Agjencie, Bajram Zejnullahu, i kishte gjetur në hapësirat e ish-Tjegullores në Prishtinë.

Asokohe, kur Veseli ishte në kulmin e një lufte deklarative për krimet e Serbisë në Kosovë, katërshja kishte shëtitur nja 15 minuta nëpër hapësira. Më pas vetëm Veseli kishte folur për media. Kishte thënë se Ministria e Kulturës do të kujdeset që qysh sivjet të ndahet buxhet për shndërrimin e kësaj hapësire në atë që e kishte quajtur muzeu për gjenocidin e luftës së fundit në Kosovë dhe të nisnin procedurat e shpronësimit. Gazeta asokohe kishte raportuar se tre shoqëruesit Veselit i kishin hyrë në punë më shumë si “statistë”, pasi nuk kishin folur asnjë fjalë. Thjesht ishin pajtuar me anë të lëvizjes së kokës.

Por edhe tre muaj më vonë gjithçka ka mbetur statike sa i përket këtij projekti.

MKRS-ja nuk ka ndërmarrë asnjë hap. Gjërat nuk kanë lëvizur as për shndërrimin e ish-Burgut të Prishtinës në muze, një tjetër ide e proklamuar jo pa pompozitet.

“Për vitin 2020 parashihet ta kemi buxhetin dhe të nisë puna”, ka thënë të enjten ministri i Kulturës në detyrë, Kujtim Gashi.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")