Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kuvendi s’e miraton propozimin për themelimin e muzeut të gjenocidit

Deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk ua ka mbushur mendjen propozimi i kryetarit të këtij institucioni, Kadri Veseli, që një muze për gjenocidin të zërë vend në hapësirat e ish-Tjegullores në Prishtinë.

Në seancën plenare të së enjtes propozimet e Veselit për ndërtimin e muzeut të gjenocidit dhe memorialit të dëbimit të shqiptarëve te Stacioni i Trenit në Prishtinë bashkë me propozimin për caktimin e ditës së gjenocidit i janë bashkuar “pakos” që do ta trajtojë një komision parlamentar.

Ky komision do të harmonizojë qëndrimet sa i përket propozimit për themelimin e komisionit shtetëror për krijimin e tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë. Sa i përket muzeut të gjenocidit dhe memorialit, deputet kanë ngritur disa dilema, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kontestuar mundësinë që Kuvendi të vendosë për këto dy çështje.

“Propozoj që pikat dy dhe tre nuk janë në fushëveprimtarinë e Kuvendit. Mund të parashihen në rezolutën që do të vijë në Kuvend. Aty mund të parashihen hapat për ndërtimin e muzeut të gjenocidit, memorialit dhe caktimin e ditës së gjenocidin”, ka thënë Hoti. Në këtë rast ka reaguar vetë propozuesi i këtyre projekteve, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ka përdorur një “argument”.

“Kuvendi merret edhe me ujërat e zeza e kanalizimet. Kuvendi miraton çdo buxhet dhe autorizon qeverinë. Njëjtë është edhe këtu. Autorizohet qeveria”, ka thënë ai.

Edhe Tjegullorja, jo muze gjenocidi por qendër për të rinjtë Arbëri Tjegullorja, jo muze gjenocidi por qendër për të rinjtë

Ligjërisht themelimi i muzeve është goxha i paqartë. Në Ligjin për institucionet e kulturës nuk përmendet themelimi i muzeve. E sipas tij, institucionet e kulturës mund të themelohen edhe nga Kuvendi i Kosovës. Por në nenin 7 të këtij ligji përcaktohet diçka tjetër.

“Institucionet publike të kulturës të një rëndësie të veçantë janë institucionet e themeluara në bazë të ligjeve të veçanta”, shkruhet në këtë nen. Një tjetër çështje që është ngritur në seancë ka qenë pronësia e hapësirës së ish-Tjegullores.

“Bllaca 1999” do të jetë një qendër përkujtimore së cilës në prill të këtij viti i është vënë guri themeltar.(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")