Një legjendë antike thoshte se kur Orfeu luante me harpë, magjia e tingujve të saj joshte edhe shkëmbinjtë e lumenjtë, njerëzit e kafshët. Butësia e tingujve të harpës përfaqësonte një moment të bashkimit shpirtëror me hyjnitë e Olimpit. Me efektin e fuqishëm në trup dhe shqisa, sidomos kur luhej mjeshtërisht e me ndjenjë, harpa e bartte dëgjuesin në një gjendje të lartësuar të kënaqësisë estetike.
Përjetime të tilla nga tingujt e harpës dhe flautit jehuan edhe të mërkurën mbrëma në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Koncerti recital për flaut (Erëmira Çitaku) dhe harpë (Çagatay Akyol) është bërë i mundur nga mbështetja e programit “Kultura për ndryshim”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë. Këtij recitali i kishte paraprirë hapja e konkursit ndërkombëtar për pranimin e veprave të reja në faqen e internetit “The Composer’s Site”. Në konkursin ku u paraqitën 80 vepra, Rain Worthington dhe Jinhee Han patën fatin të përzgjidheshin si më të mirat. Gjatë koncertit recital, flautistja Erëmira Çitaku dhe harpisti turk Çagatay Akyol interpretuan dy premiera botërore (njëra e kompozitores Rain Worthington dhe tjetra e Dafina Zeqirit-Nushi), si dhe një tjetër evropiane (Jinhee Han). Të bashkërenduar me njëri-tjetrin, ata interpretuan shkëputje lirike të kompozitorëve Witold Lutoslawski, Astor Piazzolla dhe Jacques Ibert. Në pjesën e dytë të recitalit, Akyol, pjesë e Orkestrës Simfonike Presidenciale në Turqi, rikrijoi me telat e harpës shkëputje kompozicionale nga Albertt Zabel (“La Saurce”), Ferench Farkas (“5 Dance Ungariese”), Ashik Veysel (“Çigdem der ki”) dhe një tjetër kompozim vetjak (“Hittie Suitte”). Me ndjenjë të veçantë e pasion, ai rikumboi vargjet e poetit turk Ashik Veysel, për të cilin ka thënë se përfaqëson traditën e vjetër ashike të Anadollit. Mbyllja e recitalit u bë me interpretim të përbashkët të “Bariut zviceran”, vepër e flautistit italian Pietro Morlacchi. Kompozitorja Dafina Zeqiri-Nushi, e cila ka qenë një nga organizatorët e recitalit bashkë në bashkëpunim me festivalin “Tingujt e Flautit”, ka vlerësuar se është hera e parë në Kosovë që paraqitet diçka e tillë.
“Qëllimi kryesor i koncertit ka qenë kombinimi mes flautit dhe harpës. Këtë herë u paraqitën dy premiera botërore të veprave të reja, që janë përzgjedhur në konkursin ndërkombëtar”, ka thënë ajo. Sipas saj, “koncerti pati një laramani në program”.
Ndërkaq flautistja Erëmira Çitaku ka thënë se shpreson që koncerte të tilla do të shërbejnë për të nxitur interesimin për harpën.
“Shpresoj se do të frymëzohen njerëz për të luajtur me harpë, pasi kemi mungesë të kuadrove për harpë”, ka thënë ajo. Teksa ka përmendur planin për nxjerrjen e një CD-je me veprat më te reja gjatë fundit të këtij viti, Çitaku ka vlerësuar lart performancën e Akyolit.
“Harpisti është me të vërtetë një virtuoz, i cili është pjesë e Orkestrës Presidenciale të Ankarasë dhe natyrisht se është kënaqësi të luhet me të”, ka thënë ajo. Çagatay Akyol, njëri nga harpistët më të njohur në Turqi, ka thënë se është ndierë mirë në vizitën e tij të parë në Prishtinë/ Salih Mehmeti.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")