Kulturë

Orkestra Harkore e Filharmonisë me virtuozen në harpë zbërthejnë vepra romantike e deri te ritmet e folklorit

Orkestra Harkore e Filharmonisë

Koncerti i parë i Filharmonisë së Kosovës për muajin mars ka nisur me veprën “Simfonietta” për orkestër harqesh e kompozuar nga Drinor Zymberi. Harqet në këtë vepër harmonizohen krejt së bashku në lojë. Një violë nis lojën solo e krejt bashkohen gradualisht në melodi. Është luajtur në “presto energica”, “andante” e “allegro” me ritme që variojnë nga ato melankolike në kulmin e dinamikes. Orkestrës i është bashkuar harpistja Şirin Pancaroğlu për të interpretuar “Vallen për harpë dhe orkestër harqesh” për të vazhduar me dy vepra të saj

Është program që prek veprat që nga romantizmi e deri në ato që bashkojnë ritme bashkëkohore e tradicionale. Harpistja turke Şirin Pancaroğlu i është bashkuar Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës duke sjellë muzikë moderne që gërsheton edhe ngjyrat e folklorit.

Atelieja e Pallatit të Rinisë është adresa e kahershme për koncertet e Filharmonisë së Kosovës. Improvizimet në atë sallë nuk kanë fund. Platforma ku formohej një lloj shkallëzimi për instrumentistët ka kaluar te publiku, që të paktën kësaj here një pjesë e tyre kanë pasur mundësi të shohin qartë lojën e instrumentistëve. Dyshemeja është skena për Orkestrën.

Koncerti i parë për muajin mars ka nisur me veprën “Simfonietta” për orkestër harqesh e kompozuar nga Drinor Zymberi. Harqet në këtë vepër harmonizohen krejt së bashku në lojë. Një violë nis lojën solo e krejt bashkohen gradualisht në melodi. Është luajtur në “presto energica”, “andante” e “allegro” me ritme që variojnë nga ato melankolike në kulmin e dinamikes.

Orkestrës i është bashkuar harpistja Şirin Pancaroğlu për të interpretuar “Vallen për harpë dhe orkestër harqesh” të kompozitorit francez Claude Debussy. Vepra është dypjesëshe. E qetë në tërësi. Ajo mbërthen me tinguj të lehtë si një vals i butë. Me harpën që i shton ngjyrat e interpretimit magjik, harqet zhvillojnë lojën magjepsëse. Dominon harpa, ndërsa në disa raste krejt instrumentet i bashkohen në lojë me gishtërinj në tela.

Dirigjenti Edon Ramadani, që ka udhëhequr Orkestrën, e ka vlerësuar veprën si sfiduese për harpë, por e luajtur mrekullueshëm nga harpistja turke.

“Një vepër e mrekullueshme dhe gjithashtu e vështirë për harpë. Por e ka luajtur në mënyrë të suksesshme duke pasur parasysh përvojën dhe natyrisht talentin e saj si harpiste. Jemi të lumtur që e kemi pasur mysafire. Njëkohësisht dua të falënderoj edhe Orkestrën që gjatë procesit të provave, gjatë këtyre ditëve kanë qenë profesionalë si gjithmonë. Është gjithmonë kënaqësi të jem mysafir në Filharmoninë e Kosovës”, ka thënë Ramadani.

Loja solo e harpistes Pancaroğlu e sjell edhe figurën e saj prej kompozitoreje. Në veprat e saj “Vaji i flamengos” dhe “Ata që duan, nuk vdesin” ka sjellë rrëfimet për natyrën e dashurinë nëpërmjet tingujve që hipnotizojnë dhe dërgojnë në rrugëtimin imagjinar në brigjet e liqeve të mbushura me flamengo.

Prej aty, Pancaroğlu edhe është inspiruar për të shkruar “Vajin e flamingos”.

“Dy vjet më parë shkova ta vizitoja Bodrumin, një habitat i flamengove gjendet aty. I shikoja me orë të tëra sesi fluturonin, sesi ushqeheshin. U ktheva në shtëpi dhe ditën tjetër në gazetë pashë se në atë hapësirë po planifikohej të ngrihet një kompleks banesor. U mërzita shumë me këtë ide. Kompozimi ndihmon në organizimin e ideve, emocioneve, kështu që unë e kam shkruar këtë vepër. Tre muaj më pas e luajta atë dhe më pas lexova në gazetë se projekti ishte anuluar. Mendova se mbase ia kam dërguar universit një sinjal të mirë”, ka thënë harpistja e kompozitorja turke.

Shumë prej veprave të saj janë të frymëzuara nga çështjet e shoqërisë, veçmas kur ndërhyrja e njeriut në natyrë bëhet e dukshme. “From ashes” është një tjetër vepër në repertorin e saj me rrëfim unik.

“Këto tema më impresionojnë. Kam shkruar edhe një tjetër vepër që quhet ‘From Ashes’ kur në verën e vitit 2021 shpërthyen zjarre kudo në botë. Kishte zjarre në Spanjë, në Kaliforni, në Turqi, kudo. E kam shkruar veprën duke menduar se mbase natyra do të ribëhet prapë nga hiri në të cilin gjendej. Më pëlqen të punoj kur ndihem e dëshpëruar kësisoj”, ka thënë ajo.

Në Prishtinë ka interpretuar në vitin 2015 me vepra nga projekti i saj “Çeng Tune” (Tingulli i çengut) në kuadër të programit të festivalit “DAM”. Kishte sjellë tingujt e instrumentit të kulturës turke. Të shtunën pas koncertit ka thënë se po vazhdon të punojë në këtë instrument të “harruar, krejtësisht i zhdukur”.

Harpistja e cilësuar nga “Washington Post” si “talente e madhe e nivelit ndërkombëtar” ka thënë se koncerti me Filharmoninë e Kosovës ka qenë moment i çmuar për të.

“Jam shumë e prekur nga zhvillimi i kësaj orkestre kur dimë se pas luftës ishin vetëm 13 muzikantë kur filloi. Ajo rritet vazhdimisht dhe shpresojmë se do të bëhet edhe me një sallë të koncerteve. Është një moment shumë i çmuar për mua. Kjo është hera e tretë që kam luajtur në Kosovë, por asnjëherë më parë nuk kam luajtur me Filharmoninë e Kosovës”, ka thënë Pancaroğlu, e cila vazhdimisht bën përpjekje në zbulimin e identiteteve muzikore sa i përket instrumentit të harpës.

E trajnuar si harpiste klasike në Konservatorin e Gjenevës dhe në Shkollën e Muzikës Jacob të Universitetit të Indianas, ajo është po aq aktive në fushën e muzikës tradicionale turke, të improvizimit, muzikës bashkëkohore, tangos, performancave pjesërisht të inskenuara, por edhe në repertorin kryesor të harpës. Me koncerte në mbi njëzet vende, 12 albume dhe një numër të madh bashkëpunimesh, ajo ka ndarë rrënjët e saj muzikore me audienca, duke lidhur tradicionalen me bashkëkohoren.

Puna e Sirin-it në zbulimin e harpës historike turko-osmane e quajtur "çeng" i ka siguruar vend unik në historinë e harpës, duke i mundësuar të njihet mirë me muzikën turke. Fillimisht duke transkriptuar vepra nga repertori i muzikës tradicionale turke, ajo më vonë filloi edhe të kompozonte muzikë për harpë që lidhet me traditën dhe përtej saj. Sirin është autore e "Harpa turke", një projekt që synon t’ua prezantojë muzikën turke harpistëve në të gjithë botën.

Për KOHËN ka thënë se po vazhdon punën në këtë projekt.

“Po punoj në një projekt që quhet ‘Harpa turke’. Një harpë shumë e vogël, të cilën duhet të ulesh në dysheme për ta luajtur. Ishte instrument krejtësisht i zhdukur. U desh ta bëja një tjetër dhe me të fillova të luaja muzikën antike turke”, ka thënë ajo.

Në pjesën e fundit të koncertit është interpretuar “Suita e Holbergut, Op. 40” e kompozitorit norvegjez Edvard Grieg, i cili konsiderohet një prej të parëve të muzikës së periudhës së romantizmit. Veprën e kishte kompozuar në nderim të shkrimtarit, historianit e skenaristit norvegjez Ludvig Holberg.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës e ka sjellë veprën të plotë për publikun. Ajo hapet me “Praeludim” si lojë energjike dhe e prehtë në tinguj. “Sarabande” e “Gavotte” janë më të lehta. “Air” tingëllon më solemne, ndërsa “Rigaudon” është kulmuese në tingull. Në pjesën e fundit anëtarët e Orkestrës bëhen shpesh solistë. Bartin barrën e krejt pjesës.

Koncert-mjeshtri Festim Fanaj ka qenë njëri prej atyre që ka sjellë lojën tejet atraktive. Veprën në tërësi e ka konsideruar tejet melodike, ndërsa sfiduese pjesën e fundit të saj.

“Është me të vërtetë një sfidë, pasi kompozitori i ka targetuar shumë instrumente, pra të gjithë luajnë solo nga pak. Barrën, edhe pse duket se e ka violina e parë, pra koncert-mjeshtri, atë e ka në fund, por barrën kryesore e ka çelloja. Pas saj është edhe viola, ku luan shumë pjesë solo. Në fund përfundon me një solo nga koncert-mjeshtri. Është një vepër shumë atraktive, shumë e bukur, melodike dhe ne me shumë kënaqësi e interpretojmë”, ka thënë Fanaj.

Maestro Edon Ramadani ka vlerësuar veprën e kompozitorit Drinor Zymberi e atë të turkes Şirin Pancaroğlu, bashkë me punën profesionale të Orkestrës.

Ka vënë theksin në kushtet ku Filharmonia zhvillon koncertet e mungesën e hapësirës për të akomoduar publikun që, sipas tij, po rritet çdoherë.

“E pamë sonte se nuk pati vend për të gjithë në sallën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë. Filharmonia që nga dje ka bllokuar sistemin, sepse të gjitha vendet janë rezervuar, gjë që është një alarm emergjent për një sallë. Definitivisht edhe nga shfaqja e Operës, edhe në koncertet e Filharmonisë, që audienca e muzikës klasike është rritur me të madhe, kështu që shpresojmë që të kemi një sallë të Filharmonisë e kështu me radhë”, ka thënë dirigjenti Edon Ramadani.

Koncertin e ardhshëm Filharmonia e Kosovës do ta mbajë më 8 mars në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve nën dirigjimin e izraelitit Maayan Franco, ndërsa si solist do të paraqitet pianisti Misbah Kaçamaku.