EXPRESS

Filharmonia zbërthen vepra romantike e ritme folklorike

Është program që prek veprat që nga romantizmi e deri në ato që bashkojnë ritme bashkëkohore e tradicionale. Harpistja turke Şirin Pancaroğlu i është bashkuar Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës duke sjellë muzikë moderne që gërsheton edhe ngjyrat e folklorit.

Atelieja e Pallatit të Rinisë është adresa e kahershme për koncertet e Filharmonisë së Kosovës. Aty është mbajtur koncerti i parë për këtë muaj. 

Ka nisur me veprën “Simfonietta” për orkestër harqesh e kompozuar nga Drinor Zymberi. Harqet në këtë vepër harmonizohen krejt së bashku në lojë. Një violë nis lojën solo e krejt bashkohen gradualisht në melodi. Është luajtur në “presto energica”, “andante” e “allegro” me ritme që variojnë nga ato melankolike në kulmin e dinamikes.

Orkestrës i është bashkuar harpistja Şirin Pancaroğlu për të interpretuar “Vallen për harpë dhe orkestër harqesh” të kompozitorit francez Claude Debussy. Vepra është dypjesëshe. Ajo mbërthen me tinguj të lehtë si një vals i butë. Me harpën që i shton ngjyrat e interpretimit magjik, harqet zhvillojnë lojën magjepsëse.

Loja solo e harpistes Pancaroğlu e sjell edhe figurën e saj prej kompozitoreje. Në veprat e saj “Vaji i flamengos” dhe “Ata që duan, nuk vdesin” ka sjellë rrëfimet për natyrën e dashurinë nëpërmjet tingujve që hipnotizojnë dhe dërgojnë në rrugëtimin imagjinar në brigjet e liqeneve të mbushura me flamengo. Prej aty Pancaroğlu edhe është inspiruar për të shkruar “Vajin e flamingos”.

“Dy vjet më parë shkova ta vizitoja Bodrumin, një habitat i flamengove gjendet aty. I shikoja me orë të tëra sesi fluturonin, sesi ushqeheshin. U ktheva në shtëpi dhe ditën tjetër në gazetë pashë se në atë hapësirë po planifikohej të ngrihet një kompleks banesor. U mërzita shumë me këtë ide. Kompozimi ndihmon në organizimin e ideve, emocioneve, kështu që unë e kam shkruar këtë vepër. Tre muaj më pas e luajta atë dhe më pas lexova në gazetë se projekti ishte anuluar. Mendova se mbase ia kam dërguar universit një sinjal të mirë”.

Në pjesën e fundit të koncertit është interpretuar “Suita e Holbergut, Op. 40” e kompozitorit norvegjez Edvard Grieg, i cili konsiderohet një prej të parëve të muzikës së periudhës së romantizmit. Veprën e kishte kompozuar në nderim të shkrimtarit, historianit e skenaristit norvegjez Ludvig Holberg.

Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës e ka sjellë veprën të plotë me pesë pjesët e saj. E fundit me titull “Rigaudon” ka qenë tejet atraktive ku veçohet loja solo e disa instrumentistëve.
Koncert-mjeshtri Festim Fanaj ka qenë njëri prej atyre që ka sjellë lojën tejet atraktive. Veprën në tërësi e ka konsideruar tejet melodike, ndërsa sfiduese pjesën e fundit të saj.

“Është me të vërtetë një sfidë, pasi kompozitori i ka targetuar shumë instrumente, pra të gjithë luajnë solo nga pak. Barrën, edhe pse duket se e ka violina e parë, pra koncert-mjeshtri, atë e ka në fund, por barrën kryesore e ka çelloja. Pas saj është edhe viola, ku luan shumë pjesë solo. Në fund përfundon me një solo nga koncert-mjeshtri. Është një vepër shumë atraktive, shumë e bukur, melodike dhe ne me shumë kënaqësi e interpretojmë”.

Dirigjenti Edon Ramadani, që ka udhëhequr Orkestrën, e ka vlerësuar veprën e kompozitorit Drinor Zymberi e atë të turkes Şirin Pancaroğlu, bashkë me punën profesionale të Orkestrës. Ka vënë theksin në kushtet ku Filharmonia zhvillon koncertet e mungesën e hapësirës për të akomoduar publikun që, sipas tij, po rritet çdoherë.

“E pamë sonte se nuk pati vend për të gjithë në sallën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë. Filharmonia që nga dje ka bllokuar sistemin, sepse të gjitha vendet janë rezervuar, gjë që është një alarm emergjent për një sallë. Definitivisht edhe nga shfaqja e Operës, edhe në koncertet e Filharmonisë, që audienca e muzikës klasike është rritur me të madhe, kështu që shpresojmë që të kemi një sallë të Filharmonisë e kështu me radhë”, deklaroi Ramadani.

Koncertin e ardhshëm Filharmonia e Kosovës do ta mbajë më 8 mars në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve nën dirigjimin e izraelitit Maayan Franco, ndërsa si solist do të paraqitet pianisti Misbah Kaçamaku.