Rreth 100 botues nga hapësirat shqiptare janë bashkuar në Tiranë në edicionin e 26-të të Panairit të Librit, i cili vjen me moton “Libri na bashkon të gjithëve”. Petrit Ymeri, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, në ceremoninë e hapjes, ka bërë thirrje për bashkëpunim të të gjitha palëve, që situata për librin të jetë ndryshe. Ka përmendur uljen e tirazheve dhe rritjen e kostos së librit, teksa ka bërë thirrje për bashkëpunim të të gjitha palëve
“Libri na bashkon të gjithëve” ka bashkuar në kryeqytetin shqiptar rreth 100 shtëpi botuese. Kjo është motoja e edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit në Tiranë, i cili solemnisht është hapur të mërkurën. Shënon edicionin e 26-të.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e pranishme në ceremoninë e hapjes së Panairit në hollin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë në mesin e botuesve shkrimtarë e adhurueseve të librit, citohet ta ketë cilësuar këtë ngjarje si të shumëpritur nga çdo botues, autor, përkthyes.
“Panairi i Librit është një ngjarje që ngre atmosferën në prag të festave kombëtare, që nuk mund të kuptohen pa gjuhën dhe letërsinë. Janë pesë ditë të mbushura me promovime, takime e diskutime mbi sfidat, me të cilat përballet libri e leximi”, citohet të ketë thënë ministrja Margariti.
Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, në ceremoninë e hapjes, ka bërë thirrje për bashkëpunim të të gjitha palëve, që situata për librin të jetë ndryshe. Ka përmendur rritjen e kostos.
“Një aspekt i rëndësishëm i këtij panairi është numri i madh i titujve të rinj që po prezantohen. Me mbi një mijë, nga autorë shqiptarë dhe të huaj, Panairi na sjell më pranë botës së librave. Megjithatë, është vërejtur se, edhe pse jemi pak a shumë në të njëjtat statistika të titujve të rinj si një vit më parë, sivjet është vënë re ulje në tirazhe. Kjo, sepse kostot e botimit janë rritur shumë, duke filluar me rritjen e çmimit të letrës që është rritur gati dyfish, dhe me radhë të gjithë komponentët e botimit të librit janë rritur me nga 3 për qind”, citohet të ketë thënë Ymeri në një prononcim për Top Channel. Ka vlerësuar edhe pjesëmarrjen e më shumë se dhjetë shtëpive botuese nga Kosova, duke treguar një rritje të interesit edhe për letërsinë që vjen nga ky vend.
Panairi i Librit bën bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, të cilët njihen me botimet e reja, diskutojnë mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, të përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë aktivitete të tjera me të autorë dhe studiues.
Edhe
Panairi i Librit hapet me mesazhe për më shumë lexim
Gjatë ditëve të Panairit do të jenë të pranishëm shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova, por edhe të huaj. I ftuar do të jetë Lilian Thuram, futbollist njohur, por këtë radhë vjen si shkrimtar, si dhe Ilide Carmignani, një personalitet i letërsisë, jo vetëm italian por edhe evropian, shkrimtari italian Alessio Puleo, shkrimtarja italiane Viola Ardone, përkthyesja italiane Ilide Carmignani e të tjerë.
Sipas organizatorëve, Panairi do të shoqërohet gjithashtu nga një sërë aktivitetesh promovuese, ndërsa më 18 nëntor do të ndahen edhe katër çmimet e përvitshme, të përzgjedhura nga juria e kryesuar nga gazetarja Arta Marku.