Ka nisur ceremonia e hapjes zyrtare të bienales evropiane të artit bashkëkohor “Manifesta 14”. Kjo ngjarje e madhe kulturore për 100 ditë sjell ekspozita e ngjarje të shumta artistike të emrave më të shquar të artit nëpër botë.
Në pllatonë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në mbrëmjen e së premtes, pas performancës nga Astrit Ismajli, të pranishmëve do t’u adresohen krerët e shtetit dhe kryetari i Prishtinës.
“Manifesta si bienale, si aktivitet apo si një organizim i ka bashkuar të gjitha partitë e të gjithë komunitetin. Ka qenë ndjenjë e mirë që të gjithë bashkë me qenë që me e realizu një ngjarje të tillë. Po të mos ishim bashkë, do të ishte problem”, ka thënë koordinatori i eventeve, Adrian Berisha, për KTV-në nga ceremonia e hapjes.
Ai ka bërë të ditur se pas fjalimeve në ceremoni do të performojë një bend që vjen dhuratë nga Komuna e Amsterdamit, e më pas do të vazhdohet nga “Prishtina All Star”, që është kombinim i cili synon të tregojë muzikën që ka mbizotëruar në 40 vjet në Prishtinë.
Autoritetet vendore e lokale kanë thënë se presin shumë nga kjo bienale si nga ngritja e imazhit të Kosovës, po ashtu edhe në aspektin ekonomik.
Qeveria ka përkrahur bienalen me mbi dy milionë euro. Drejtoresha e “Manifestas” është zotuar se do t’i kthejë më shumë se dyfishin e investimeve.
Edhe
Panairi i Librit – thirrja e përvitshme për lexim dhe refreni për kushte
Ka prani të madhe edhe të gazetarëve të huaj.
“Manifesta 14” për 100 ditë do të sjellë shumë aktivitete duke bërë ndërhyrje artistike në 25 lokacione.