Kulturë

Inteligjenca Artificiale e fton njeriun në magjinë e “DokuFestit”

Ka qenë Inteligjenca Artificiale që i ka asistuar njeriut në hapjen solemne të edicionit të 22-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”, të premten mbrëma në Prizren. Në fakt, njeriu ia ka lënë në dorë ta shpallë të hapur, por paraprakisht e ka pyetur se çfarë kuptimi ka qenia humane për Inteligjencën Artificiale, që është temë e sivjetme e më të madhes ngjarje kulturore në Kosovë. Është përthekuar në “I AM AI AM I” ose “UNË JAM IA A JAM” në shqip. Projektori në “Lumbardh” është ndezur me “2001: A Space Odyssey” nga regjisori legjendar, Stanley Kubrick”, një udhëtim në hapësirë e në kohë i vitit 1968. “DokuFesti” sapo ka nisur dhe janë edhe tetë ditë që ofrojnë udhëtimin në magjinë e filmit

Është bërë e zakonshme që hapja e “DokuFestit” të jetë befasuese, e magjishme dhe kuptimplote. Kësisoj ka qenë edhe të premten mbrëma. Njeriu ia ka lënë në dorë Inteligjencës Artificiale, e ka provokuar paraprakisht duke e pyetur për qenien humane dhe të tjera tema, por ka qenë IA-ja që edicionin e 22-të, të më të madhes ngjarje kulturore në vend, e ka shpallur të hapur zyrtarisht. Krejt kjo lidhet me temën. “I AM AI AM I” – ose në shqip “UNË JAM IA A JAM” e gjeneruar edhe prej teknologjisë “provon” ta zëvendësojë njeriun. Por janë njerëzit ata që e bëjnë festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, është publiku që ia jep frymën.

Tollovi është krijuar jashtë dyerve të “Lumbardhi Bahçe”, prej më shumë se një orë para kohës së paraparë për hapjen e tyre. Të pranishmit veçse kanë qenë të rrethuar me shenjat e edicionit të sivjetmë, veçmas me temën.

Fiks në orën 20:00 janë hapur dyert e eksplorimit të programit të sivjetmë. Kinemaja ka qenë e stërmbushur dhe kjo flet qartë për audiencën që ka rrëmbyer festivali tanimë me nam. Dritat u fikën, një duartrokitje e fuqishme i parapriu krejt ngjarjes. Eroll Shporta u ngjit në skenë bashkë me përshtypjen e atij që do të hapte festivalin. Krejt situata ndërroi kur pranë tij u shfaq edhe në tjetër mjet, një pajisje digjitale që flet.

Image
Dritat u fikën, një duartrokitje e fuqishme i parapriu krejt ngjarjes. Eroll Shporta u ngjit në skenë bashkë me përshtypjen e atij që do të hapte festivalin. Krejt situata ndërroi kur pranë tij u shfaq edhe në tjetër mjet, një pajisje digjitale që flet (Foto: Elmedina Arapi)

Është e njohur tanimë për publikun, por jo edhe për hapjet e festivalit. Në përputhje me temën “I AM AI AM I” të edicionit të 22-të, mekanizmi u mat në hapje. Rezultoi në zëvendësuesin e njeriut kur mori primatin e drejtimit të ngjarjes. Madje të pranishmëve iu drejtua me disa fjalë. “Përshëndetje të gjithëve në festivalin e filmit ‘DokuFest’! Është nder të jesh pjesë e kësaj ngjarjeje emocionuese. Si model i gjuhës AI, unë jam këtu për të ofruar informacione dhe për të ndihmuar me ndonjë pyetje që mund të keni. Shpresoj që të gjithë ta shijoni festivalin dhe të kaloni një kohë të mrekullueshme duke eksploruar botën e kinemasë”, u tha në hapje.

Performanca e praktikoi qartë të ardhmen e aktivitetit të njeriut. Pos punës së prezantuesit, edhe atë të këngëtarit. Nga AI është kërkuar madje edhe të këndojë. Ka qenë si sprovë se edhe skena e muzikës ka të ngjarë të zëvendësohet, e çka jo tjetër. Një mjegull e madhe e ka mbuluar krejt hapësirën dhe e ka bërë spektakolare hapjen derisa dritat e kuqe kanë krijuar efektet e tyre. Gjuha digjitale, algoritmet e enigma kanë qenë kryefjalë të këngës së gjeneruar me muzikë elektronike.

Ndezja e projektorit me udhëtimin hapësinor

Me Inteligjencë Artificiale është shpallur i hapur festivali e menjëherë ka pasuar “2001: A Space Odyssey” (2001: Një odise hapësinore), filmi ikonik i vitit 1968 i të madhit Stanley Kubrick. Nis me atë që para publikut paraqitet si ‘Agimi i njeriut’. Paraqet njeriun primitiv, që i takonte botës së egër miliona vjet më parë. Aty i janë shfaqur publikut shenjat e para të njeriut. Janë vetëm zhurma majmunësh, hapësira boshe, qetësi.

Për një prodhim të 55 vjetëve më parë, mbase do të ishte më i kapshëm për nga tema, por ka qenë i paparashikueshëm sesi para gjysmëshekulli e kusur, është parashikuar një e ardhme e tillë. Atëkohë ishte ranguar si film fanta-shkencë, por të premten, kur publikut në Prizren i është shfaqur, ka ngjarë në film të bazuar në ngjarje të vërtetë.

Historia fillon katër milionë vjet më parë në Afrikë, ku një tufë majmunësh luftojnë për mbijetesë. Një prej tyre rrëmben një kockë dhe e përdor për të vrarë kafshët që i kërcënonin. Prej aty jepet perceptimi i luftës për mbijetesë. Për një moment njëri prej majmunëve hedh kockën në qiell dhe papritur kthehet në anije kozmike.

Nga kjo lëvizje edhe sillet filmi dhe rrëfimi për revolucionin njerëzor. Një tjetër objekt shfaqet në Hënë dhe një tjetër rreth Jupiterit, ku një astronaut lidhet me një kompjuter. Sinopsisi e thotë se pesë dekada më parë i lidhur me kohën e sotme vjen si paranojë e së ardhmes, se edhe sa do të arrijë teknologjia. Skenari flet për historinë e ardhshme të revolucionit.

Image
“I AM AI AM I” – ose në shqip “UNË JAM IA A JAM” është tema e sivjetme e “DokuFestit”, gjeneruar edhe prej teknologjisë “provon” ta zëvendësojë njeriun. Por janë njerëzit ata që e bëjnë festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, është publiku që ia jep frymën (Foto: Elmedina Arapi)

Në sekuencën e fundit duket se njeriu përfundimisht i tejkalon makinat, ose do të tërhiqet përtej tyre. Më pas bëhet sërish fëmijë, por i një race krejtësisht më të avancuar. Është kronologji e nisjes së njerëzimit e deri në tej avancimin e tyre për të gjeneruar Inteligjencën Artificiale.

“2001: A Space Odyssey” ka qenë veç një prej filmave që janë shfaqur të premten në hapje. Në platonë e “DokuKino” është shfaqur filmi “Home Invasion”, në “Kino Lumi” filmi “My name is Alfred Hitchock”, në “Lunar Cinema” është shfaqur paralelisht filmi “Apolonia”, ndërsa në “Sonar Cinema” filmi “The Eco”. Dhe krejt kjo është veç një copëz e programit të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest”.

Mbijetesa si dilemë e vazhdueshme

Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ka thënë se pret që secili edicion të jetë më i mirë se tjetri. E ka vënë theksin te tema duke vlerësuar se kjo e sivjetmja lidhet ngushtë me atë të edicionit të kaluar – “How to survive?”.

“Nëse mbizotëron puna e Inteligjencës Artificiale, atëherë puna jonë, e secilit zëvendësohet. Unë ende mendoj se ka nevojë për të pyetur vetëm se si të mbijetojmë. Lufta në Ukrainë vazhdon e gjëra të tjera. Mendoj se duhet bërë më shumë për të dalë nga ky cikli i ndryshimeve klimatike. Nëse vazhdohet kështu, gjeneratat e ardhshme do ta kenë shumë më të vështirë të mbijetojnë”, ka thënë Nurkollari.

Për drejtoreshën ekzekutive të “DokuFestit”, Linda Llulla, ka qenë goxha domethënëse ceremonia e hapjes.

“Është hera e parë që po e shoh performancën e hapjes. Më pëlqeu shumë dhe nga publiku komentet e tyre ishin shumë pozitive. Unë pres shumë njerëz, pres të jetë Prizreni si çdoherë gjatë ‘DokuFestit’. Ajo çfarë ofron festivali çdo vit është programi fantastik i filmave, plus aktivitete të tjera. Është edhe publiku besnik, një atmosferë që nuk e di nëse e ka një qytet tjetër”, ka thënë Llulla.

Si çdo vit, filmat e shkollës “Future is Here” të programit “DokuLab” do të pasurojnë programin e edicionit të sivjetmë.

Image
Fill pas hapjes, projektorin në “Lumbardh” e ka ndezur “2001: A Space Odyssey” (2001: Një odise hapësinore), filmi ikonik i vitit 1968, i të madhit Stanley Kubrick (Foto: Kushtrim Haxha)

Ardhja e një gjenerate që do të mbahet në mend

Udhëheqësi i “DokuLab”, Eroll Bilibani, ka treguar se janë tetë filma gjithsej që marrin pjesë.

“Jam shumë krenar me këtë gjeneratë të studentëve, sepse filmat janë jashtëzakonisht të mirë, janë të rinj tepër të guximshëm, të cilët kanë trajtuar tema tepër specifike e delikate, të problemeve me të cilat ballafaqohen sot të rinjtë në Kosovë. Është një gjeneratë të rinjsh, emrat e të cilëve do t’i mbajmë mend”, ka thënë Bilibani, i cili ka treguar se tërthorazi ata i përshtaten temës së sivjetme.

“Tërthorazi këta filma trajtojnë probleme që kanë dalë nga përdorimi i rrjeteve sociale, disi ndërlidhet me jetën virtuale. Tema ka qenë diçka shumë specifike për ne sivjet, sepse u hap një debat shumë i madh i asaj se çfarë është Inteligjenca Artificiale, a duhet ta shfrytëzojmë dhe ne deshëm ta hapim debatin si festival”, ka treguar Bilibani më tej.

Pushtimi me filma

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” sivjet trazon me pyetje e pohim për Inteligjencën Artificiale.

Madje edhe tema e sivjetme është gjeneruar pjesërisht me ndihmën e Inteligjencës Artificiale dhe Chat GPT. Festivali sivjet synon dhe fton në zhvillimin e debatit në lidhje me temën aktuale. Ka ardhur si shqyrtim i çështjeve urgjente që preokupojnë botën. Kësisoj sërish vjen përmes filmave dhe jo vetëm, në ditët në vijim do të trajtohet raporti ndërmjet njeriut dhe Inteligjencës Artificiale. Me atë që në shqip përkthehet si “UNË JAM IA A JAM” , filmi hapës dhe mbyllës janë homazh për zhanrin fantastiko-shkencor, si dhe për interpretimin e Inteligjencës Artificiale në vetë historinë e kinemasë.

Si tema e vitit të kaluar, që vinte në pikëpyetje ekzistencën e njeriut, sivjet vjen me një tjetër dilemë globale: atë të pasojave të zhvillimit teknologjik në të ardhmen. Me të ajo sivjet mëton të shpalosë edhe ndikimin e njeriut në Inteligjencë Artificiale, kur mes kodesh që formësojnë temën kryesore, në shkronja me përmasa më të vogla shkruhet “I contain human stories” (Përmbaj tregime të njeriut).

Ne zbërthim të saj do të shfaqen gjithsej 104 filma në garë, përfshirë këtu një numër sish që do të kenë premierat e tyre. Do të jenë në garë për Filmin më të mirë ballkanik, Çmimin e distribuimit, Çmimin e publikut, Çmimin kombëtar, Filmin më të mirë të shkurtër ndërkombëtar, dhe në kategoritë “Green Dox”, “Human Rights Dox”, “Truth Dox”, “Short Dox” dhe “International Feature Dox”. Në total janë 240 filma.

Filmat garues do t’i vlerësojë juria e veçantë në secilën kategori. Ata janë kritikë filmi, filmbërës, kinematografë, producentë e profesorë të fushës nga bota, rajoni e vendi.

Në përgjithësi kishin aplikuar filmbërës nga 111 shtete të botës me afërsisht tre mijë e 500 filma. Kjo shifër përbën rritje prej 22 për qind në krahasim me aplikimet e vitit të kaluar.

Kinemaja “Lumbardhi” bashkë me Bahçen e tij, “DokuKino” dhe plateja e tij, “KinoKlubi e “CineMarine” edhe sivjet do të jenë mikpritësit tradicionalë të filmave dokumentarë dhe të shkurtër të “DokuFestit”. “Sonar Cinema”, “Lunar Cinema” e “Kino Lumi” edhe sivjet janë formësuar si kinema. “Andrra Stage” është tjetër hapësirë e improvizuar, ku do të shpaloset programi muzikor i “DokuNights”.

Në qendrën kulturore “Shani Efendi” do të zhvillohet programi i diskutimeve “DokuTalks”, sikurse edhe do të jetë në shfaqje ekspozita digjitale “How do I see you – Kosovo?”. Nuk do të mungojë programi i filmave për fëmijë “DokuKids”, sikurse edhe punëtori e programi për teknologji “DokuTech”.

Edicioni i 22-të i “Dokufestit” sivjet shtrin programin deri më 12 gusht dhe shpërndahet në Qendrën Historike të Prizrenit, si dhe në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve.

Vjet Festivali tashmë me nam ndërkombëtar ishte hapur me thirrjen për vetëdijesimin për mbrojtjen e natyrës. “How to survive?” ka qenë një lloj pyetje-temë për mbijetesën ndaj kushteve klimatike, luftës, dhunës, fashizmit e për ekzistencën. Ka qenë edhe pyetje për mbijetesën e Festivalit përballë përkrahjes nga institucionet. Në ceremoninë hapëse në “Lumbardhi Bahçe” ishte shfaqur filmi “Fire of Love” i regjisores amerikane Sara Dose që shfaqte ndotje, shkatërrim e ironi me në qendër shpërthimin e vullkaneve.

E sivjet, magjia e “DokuFestit” sapo ka nisur. Pret njerëzit që ta ndiejnë frymën e tij.