Pompeii është pasuruar me një artefakt që i ishte grabitur para pesë dekadash. Një person para 50 vjetësh, gjatë vizitës që ia kishte bërë një prej lokaliteteve arkeologjike më me nam në botë, kishte arritur të grabiste një artefakt. Bëhet fjalë për një fragment të një portreti. Por pasi e ka mbajtur atë për krejt atë kohë, ka ndërruar mendjen.
“50 vjet më parë e kam marrë këtë nga një ndërtesë në Pompeii. Jam turpëruar dhe dua ta kthej atë te pronari. Më vjen keq”, shkruhet me shkronja të mëdha në italisht në letrën mbi të cilën është lënë artefakti. Fotografia është publikuar nga drejtori i muzeve kombëtarë në Ministrinë e Kulturës së Italisë, Massimo Osanna.
Ky nuk është rasti i vetëm kur vizitorët kanë kthyer artefakte në Pompeii. Lajme të tilla kanë qarkulluar edhe më herët. Përndryshe, qyteti që nuk ekziston qysh prej shekullit të parë të erës sonë vazhdimisht nxjerr në sipërfaqe gjetje të rëndësishme arkeologjike që e pasurojnë edhe më shumë këtë lokalitet.
Pompeii, 23 kilometra në juglindje të Napolit, ishte shtëpia e rreth 13 mijë njerëzve kur u varros nën hi, guralecë shtuf dhe pluhur, ndërsa duroi forcën e një shpërthimi në vitin 79 pas Krishtit, ekuivalent me shumë bomba atomike.
Vendi i cili nuk u zbulua deri në shekullin e 16-të ka parë një shpërthim të aktivitetit arkeologjik të kohëve të fundit që synon të ndalojë vitet e kalbjes dhe neglizhencës. Qyteti antik është në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Është një nga vendet turistike më të njohura të Italisë.