Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Hajde” si shprehje që bashkon gjuhët e Ballkanit

Seminari

Në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë edhe këtë javë ka vazhduar organizimi i ligjëratave që po mbahen në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ligjërata me temën “Shënuesi i diskursit ‘hajde’ në kontekstin ballkanik” u prezantua nga albanologia bullgare, Ekaterina Tompomanova.

Në një shqipe mjaft të rrjedhshme, Tompomanova ligjëroi për shënuesin e diskursit “hajde” duke pasur për bazë studimi gjuhën bullgare, shqipe, greke dhe rumune, megjithëse herë pas here inkuadronte edhe atë serbokroate dhe turke.

Si fillim Tompomanova kishte planifikuar që të ligjëronte në gjuhën angleze, por meqenëse të gjithë kishin ligjëruar në shqip, ajo ndërroi mendje.

Fillimisht Tompomanova nisi duke cituar Jakobsonin dhe Trubetzkoyin dhe të ashtuquajturin “Sprachbund”. Termi “Sprachbund” është i njohur si zonë gjuhësore, zonë e konvergjencës gjuhësore ose zonë e përhapjes dhe si një grup gjuhësh që ndajnë veçori zonale që rrjedhin nga afërsia gjeografike dhe kontakti gjuhësor. Që nga koha kur nisi përdorimi i kësaj shprehjeje, “Sprachbundi” ballkanik, sipas Tompomanovës konsiderohet reprezentativ për teorinë e lidhjeve gjuhësore.

“Trubetzkoy nënvizon karakteristikat e përbashkëta që janë zhvilluar në morfosintaksë dhe kësaj e tutje studimet përgjithësuese të gjuhësisë ballkanike merren pikërisht me bashkëpërkimet e morfosintaksës sepse këto janë ndikimet më të thella në gjuhë, ndryshe nga bashkëpërkimet në sintaksë ose në leksik, të cilët janë më të sipërfaqshme”, ka thënë Tompomanova.

Lidhur me “Sprachbundin” ballkanik, Tompomanova ishte bazuar edhe në studimet e dy linguistëve: bullgares Petya Asenova dhe shqiptarit Shaban Demiraj. Nga e para ajo kishte marrë pjesën ku Asenova flet mu për korpusin e leksemave të krijuara në Gadishullin Ballkanik.

“Sipas Petya Asenovas, një korpus i madh leksemash identike u krijuan si rezultat i simbiozës kulturore midis grupeve etnike që banonin në Gadishullin Ballkanik: Leksiku me origjinë shqiptare, frazeologjizmat e përbashkëta: kalket semantike dhe modelet e fjalëformimit”, ka thënë Tompomanova, duke e bërë një krahasim paralel me studimin e Shaban Demirajt, i cili arrinte në konkludim se “huazimet nuk mund të vështrohen si ballkanizma të mirëfilltë, pasi nuk përbëjnë ndonjë dukuri të veçantë”.

Ndërkaq sa i përket vetë Tompomanovës, përhapja dhe huazimet kanë ardhur më shumë si pasojë e rrethanave historiko-shoqërore.

“Në një vepër përgjithësuese për gjuhët ballkanike, të shumtën mund të vihen në dukje rrethanat historike shoqërore që kanë kushtëzuar përhapjen e huazimeve të ndryshme në këto gjuhë, si edhe sferat ku ndikimet kanë qenë më të fuqishme”, ka thënë ajo para të pranishmëve, duke shtuar se shënuesit e diskursit nuk janë thjesht fjalë të huazuara nga një gjuhës në të tjerat, por ato kanë funksione të rëndësishme në organizmin e diskursit dhe komunikimit social.

Për ta sqaruar edhe më shumë temën që trajtonte, albanologia bullgare shpjegoi edhe atë çka përfshijnë shënuesit e diskursit, të cilët i numëroi një nga një.

Sipas Tompomanovës, kur bëhen studime krahasuese mund të shihet se i njëjti shënues diskursi mund të klasifikohet ndryshe në dy gjuhë kur bëhet një studim kontrasti ose e njëjta fjalë brenda një gjuhë mund të përfshihet në një klasë të ndryshme në varësi të funksioneve të saj.

“Pra, shënuesit e ligjërimit përfshijnë fjalë dhe fraza të ndryshme me funksione të shumëllojshme, me interpretim të varur nga konteksti dhe me klasifikim problematik”, sqaroi ajo.

Natyrisht, lidhur me temën e cila trajtonte shënjuesin e diskursit ‘hajde’, Tompomanova shpjegoi edhe origjinën e ‘hajde’, e cila, bazuar në studiues të ndryshëm, ka origjinë nga gjuha osmanishte.

“Me rastin e shënuesit, ‘hajde’, gjërat duken të sigurta, shumica e burimeve kanë konstatuar se është huazim nga turqishtja, ‘Haydi’ apo ‘Hayde’ që është trashëguar nga osmanoturqishtja dhe përbëhet nga kombinimi i hay + di/ de”, shpjegoi Tompomanova.

Ndërkaq, karshi kësaj, ajo dha edhe disa shembuj të përdorimit të kësaj shprehjeje në gjuhët ballkanike.

“Në bullgarishte kemi shumë variante bisedore krejt joformale si ‘ae’, në greqishte nuk e kemi tingullin në fillim ‘k’, por kemi ‘ajte’ dhe ‘hajde’, në rumanisht prapë kemi shumë variante fonetike si: haide, aide, haid, haidea, haida, aida dhe serbokroatisht: Hajde, ajde dhe ajd”, tregoi ajo.

Por, përveç kësaj Tompomanova kishe konstatuar dy kuptimet kryesore ballkanase të shprehjes “hajde” dhe qëndrimin e “hajde”, i cili herë është pozitiv e herë negativ.

“Lidhur me përgjithësimin e saj kemi dy kuptime kryesore, të cilat shfaqen në gjuhët ballkanike. E para kur folësi kërkon që të bëhet një veprim: nxit adresantin që të bëjë diçka duke përfshirë të bëjë një lëvizje të drejtuar (‘shko’, ‘eja’); kërkon që veprimi doemos të bëhet ose të mos bëhet. Gjithashtu, përmes saj folësi shpreh qëndrimin e vet nga një situatë (diçka që është thënë ose është bërë) dhe e cila mund të ketë qëndrim pozitiv apo negativ”, ka thënë ajo.

Si pjesë e ligjëratës, sipas studiueses bullgare, “hajde’” shfaqet në dy mënyra. Në shqip, greqisht dhe rumanisht është pasthirrmë, ndërsa në bullgarisht është pjesëz.

Në fund Ekaterina Tompomanova konkludoi se shënuesi i diskursit “hajde” është huazuar nga turqishtja, por është integruar dhe adaptuar në gjuhët ballkanike. Sipas saj, ajo nuk shikohet si ndonjë element i huaj leksikor por përkundrazi, përdorimet e tij duken të natyrshme në çdo gjuhë ballkanike.

Artikuj të ngjashëm