Autorit tanzanian, i cili jeton në Mbretërinë e Bashkuar, iu nda çmimi “Nobel” në tetor për romanet që eksplorojnë ndikimin e migracionit tek individët dhe shoqëritë. Gurnah u rrit në ishullin Zanzibar dhe mbërriti në Angli si një refugjat në vitet ‘60. Ai ka marrë përvojat e tij për 10 romane, duke përfshirë: “Kujtimin e nisjes”, “Rruga e pelegrinëve” e “Parajsa”
Laureati i “Nobelit” për letërsinë, Abdulrazak Gurnah, të hënën mori çmimin për vitin 2021 në një ceremoni gjatë mesditës në rezidencën e ambasadorit suedez në Londër.
Autorit tanzanian, i cili jeton në Mbretërinë e Bashkuar, iu nda çmimi “Nobel” në tetor për romanet që eksplorojnë ndikimin e migracionit te individët dhe shoqëritë.
Gurnah u rrit në ishullin Zanzibar dhe mbërriti në Angli si një refugjat në vitet ‘60.
Ai ka marrë përvojat e tij për 10 romane, duke përfshirë: “Kujtimin e nisjes”, “Rruga e pelegrinëve” e “Parajsa”.
Ai ka thënë se migrimi “nuk është vetëm historia ime, është një fenomen i kohës sonë”.
Për të dytin vit koronavirusi shkatërroi organizimin tradicional zyrtar në Stokholm, ku morën pjesë fitues të çmimeve në kimi, fizikë, mjekësi, letërsi dhe ekonomi.
Fituesit e çmimeve në vitin 2021, siç shkruan AP, do të vazhdojnë të marrin çmimet e tyre në ceremonitë lokale të zvogëluara të përshtatura për kohët pandemike.
Të hënën laureati italian i fizikës, Giorgio Parisi, ka marrë çmimin e tij në një ceremoni në Romë.
Laureati i fizikës në SHBA, Syukuro Manabe, laureati i kimisë, David W.C. MacMillan, dhe laureati i shkencave ekonomike, Joshua D. Angrist, kanë marrë medaljet në Uashington.
Më shumë ceremoni do të mbahen gjatë gjithë javës në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara.
Të premten, në përvjetorin e vdekjes së themeluesit të çmimit, Albert Nobel, do të ketë një ceremoni festive në komunën e Stokholmit për një audiencë lokale, e cila do të përfshijë Mbretin Carl XVI Gustav dhe anëtarë të lartë mbretërorë suedezë.
Çmimi “Nobel” për paqe jepet në Oslo, sepse Nobeli e donte ashtu, për arsye që e mbajti për vete.
Një ceremoni do të mbahet atje të premten për fituesit, gazetarët Maria Ressa nga Filipinet dhe Dmitry Muratov nga Rusia.
Sa i përket Abdulrazak Gurnah, ai u shpall laureat i sivjetmë i çmimit më të madh letrar më 7 tetor. U vlerësua për “depërtimin e tij të pakompromis dhe të dhembshur në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit në gjirin midis kulturave dhe kontinenteve” e për “betejën e pakompromis kundër kolonializmit”.
Shkrimtari tanzanian brenda pak orësh u bë një nga shkrimtarët më të përfolur. Deri në ditën kur u bë laureat i “Nobelit” ka qenë krejt pak i njohur në qarqet letrare, ani pse ai shkruan në anglisht. I lindur më 1948, Gurnah u largua nga Zanzibari në moshën 18-vjeçare si refugjat pas një kryengritjeje të dhunshme të vitit 1964, në të cilën ushtarët rrëzuan qeverinë e vendit, ka shkruar “The New York Times”. Ai është i pari afrikan që fiton çmimin në gati dy dekada. Anders Olsson, pjesë e Komitetit të Çmimit “Nobel”, kishte thënë për mediat e huaja se Gurnah ishte në kuzhinë kur u informua se ishte zgjedhur fitues dhe Komiteti kishte “një bisedë të gjatë dhe shumë pozitive” me të. Çmimi jepet nga Akademia Suedeze dhe ka vlerë prej 1.14 milionë dollarësh.
Romani i tij më i njohur është “Paradise” (Parajsa), me të cilin mori çmimin “Booker” më 1994. Përveçse një shkrimtar i respektuar, ai është edhe profesor i Letërsisë Angleze në Universitetin e Kentit.
“Paradise” (Parajsa) bazohet në historinë e një djali afrikan, një histori tragjike dashurie dhe një përrallë e korrupsionit të modeleve tradicionale afrikane nga kolonializmi evropian. Ai paraqet një zë të madh afrikan për lexuesit amerikanë – një zë që e shtyu Peter Tinniswoodin të shkruante në “London Times”, duke rishikuar romanin e mëparshëm të Gurnah – “ai është një shkrimtar shumë i mirë. Unë jam i sigurt se ai do të bëhet një shkrimtar i jashtëzakonshëm”.
Siç shkruhet në recensione mediash të huaja për “Paradise”, në moshën dymbëdhjetëvjeçare Jusufi, protagonisti i kësaj odiseje të shekullit XX, shitet nga babai i tij për shlyerjen e një borxhi. Nga jeta e thjeshtë e Afrikës rurale, Jusufi është hedhur në kompleksitetin e Afrikës Lindore urbane parakoloniale – një botë magjepsëse, në të cilën afrikanët myslimanë, misionarët e krishterë dhe indianët nga nënkontinenti bashkëjetojnë në një hierarki të brishtë dhe delikate shoqërore. Përmes syve të Jusufit, Gurnah përshkruan komunitetet në luftë, safarit tregtarë të shkuar keq dhe sprovat universale të adoleshencës.
Një çmim “Nobel” vjen me një diplomë, me një medalje ari dhe me një çmim prej 10 milionë kronash (1.15 milionë dollarë), i cili ndahet nëse ka fitues të shumtë.