Prishtinë, 15 shtator - Imazhi i Justitias, gruas që në mënyrë alegorike personifikon moralin në sistemin e drejtësisë ka marrë formë në murin e objektit që shfrytëzohet nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Nëpërmjet këtij murali, artisti nga Holanda i është përgjigjur kërkesës që të realizojë një vepër që bën thirrje për të drejtat e njeriut. Jo fort larg prej objektit që ndodhet në qendër të qytetit, edhe një mur tjetër është ngjyrosur qëllimshëm.
Në objektin e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, përtej skeleve që i kanë shfrytëzuar dy artistë, dallohet miu që bën eksperimente laboratorike. Të dyja këto murale po realizohen në kuadër të festivalit “Guerilla Art Festival”, që ka nisur më 10 të këtij muaji e do të finalizohet të dielën. Festivali i artit të rrugës që po mban edicionin e tretë, sivjet e ka pasur për qëllim t’i tematizojë muralet dhe përmes tyre të shpërndajë mesazh.
“Është hera e parë që festivalin e kemi bërë tematik. Vitin e kaluar jemi fokusuar më shumë tek teknika, ndërsa sivjet janë zgjedhur edhe temat. Murali për të drejtat e njeriut ka qenë kërkesë e një donatori, ndërsa miu tek FShMN-ja është bërë që të ndërlidhet me shkencën”, ka thënë Agon Xhelili, drejtor i “Guerilla Art Festival”.
Simian Switch, një artist grafitesh nga Holanda. Ai është duke i dhënë dorën e fundit muralit, teksa me sprej i thekson detajet e imazhit të gruas që ka barrën ta shpërndajë një mesazh të veçantë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.