Kulturë

Gjysmëshekulli prapa: Prej “Shtetrrethimit” te hitet e frizurat

Pesëdhjetë vjet më parë “Shtetrrethimi” i Kamysë ishte njëra prej shfaqjeve kryesore në skenën kosovare, “E kujtoj atë takim” ishte hit e Jusuf Gërvalla kritikonte “Akordet…”. Nexhmije Pagarusha në natën e Vitit të Ri këndoi në “Gërmi”, frizura duhej të ishte ”e bukur dhe spikatëse” e për “Rilindjen” më 1974, “kosovarët e pritën Vitin e Ri më të pasur se kurrë...”

Tek po perëndonte viti 1974, “Rilindja” përmblidhte edhe ngjarjet në skenën kulturore, e cila kapte thelbin e një kohe ku shprehja artistike synonte t’u shkonte për shtat edhe zhvillimeve politike për pozicionin e Kosovës në ish-Jugosllavi. Faqet e fundvitit në gazetë ishin rezervuar për premiera teatri, ekspozita, festivale e të arritura nga artistët lokalë të kohës. Por edhe për modele flokësh, receta me “produkte vendore”. Aty zbardhen edhe hitet.

Për një premierë teatri në dhjetor të vitit 1974, shkruan reporteri i nënshkruar me inicialet M.I. Qe vepra e Albert Kamysë, “Shtetrrethimi”, e luajtur nga trupa e dramës shqipe në të ashtuquajturin Teatrin Krahinor, nga Istref Begolli, Melihate Ajeti e Shani Pallaska. Në mes rreshtave ai nxjerr citate nga intervista me regjisorin mysafir, kroatin Tomisllav Durbeshiq.

“Ardhja ime në dramën shqipe të Teatrit të Prishtinës është nxitur nga një sërë faktorësh, në radhë të parë se ky teatër ka trupë të mirë profesionistësh, e cila ka bërë interpretime të mira të shumë pjesëve të rëndësishme dhe të vështira, si rrallë ndonjë tjetër në vendin tonë. Trupa të mira e teatro të vërteta, të këtij entuziazmi, sot është vështirë të gjenden”, ishte shprehur Durbeshiq, duke vlerësuar lojën e aktorëve. Anash nuk u lanë as ekspozitat. Viti u përmbyll me një kushtuar artistëve aplikativë nga Vojvodina. Aty u ekspozuan më shumë se njëqind vepra nga gjashtëdhjetë disenjatorë e arkitektë.

As kinematografia kosovare s’kishte mbetur pa u vlerësuar. “…në vazhdim të bashkëpunimit në mes të Shoqatës së Punëtorëve të Filmit e TV të Kosovës dhe Shoqatës së Punëtorëve të Filmit të Sllovenisë, në Lubjanë, prej 20 deri më 24 dhjetor mbahen Ditët e Filmit Kosovar. Me këtë rast spektatorët e kryeqendrës së Sllovenisë do të kenë rastin të shikojnë katër filma të produksionit kosovar. “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, “Si të vdiset”, qenë dy filmat artistikë që u prezantuan për publikun slloven, ndërkaq dy filmat dokumentarë “Kosova këndon dhe vallëzon” dhe “Pajtim gjaqesh” ishin dy dokumentarët që ishin veçuar, sipas publikut slloven.

Image
“Akordet e Kosovës”, 1974

“Akordet…” dhe dy hitet e vitit

Gazetari i kulturës, Jusuf Gërvalla, do të njoftonte se kishin nisur dhe provat për festivalin e fundvitit “Akordet e Kosovës”, ngjarjen kryesore të vitit në skenën kulturore. Ky festival mes rreshtave të shtypit të atyre viteve portretizohet si një hapësirë ku tradita takonte eksperimentin e ku fryma e kohës gjente reflektimin në kompozimet, tekstet e paraqitjet skenike në të.

Kritikat qenë të pranishme për të tri netët e këtij festivali, herë të drejtpërdrejta e thumbuese e herë mjeshtërisht të nënzëshme. “Akordet…” nisnin me matinenë për fëmijë, një festë për të vegjlit, e cila prezantonte ata me botën e muzikës duke nxitur dashurinë e tyre për artet.

“Duke dëgjuar matinenë e pardjeshme të ‘Akordeve ’74’, na u imponua të mendojmë për këngën e fëmijës, mënyrën se si është shkruar ajo dhe për mundësitë e fëmijës që ta interpretojë atë […] mund të pohojmë se kemi fëmijë muzikantë që nuk do të na turpëronin kudo të paraqiten. Po kompozitorët tanë, shpesh, duke marrë si punë jo aq serioze këngët për fëmijë, u shtrohen disa sprovave jo aq të mbara, duke bërë këngë që nuk kanë se si të bëjnë vend në botën e fëmijës”, kritikonte Gërvalla.

“E kujtoj atë takim” qe njëra nga ato kryevepera që dolën nga ajo skenë. Ky krijim i kompozitores së shquar Pranvera Badivuku, ani pse në masë njihet nga interpretimi i pakrahasueshëm i bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, në vitin 1974, në “Akorde...” kishte fituar vendin e parë të jurisë dhe “Okarinën e Artë” me interpretimin e Esat Bicurrit. “Pika më e dobët e koncertit të parëmbrëmshëm, që u paraqit si pengesë prej kënge në këngë (e që si e tillë ka qenë sëmundje e ligë e mbarë ‘Akordeve’, që nga fillimi i tyre), qe gjithsesi teknika e zërit të cilën si duket teknikët tanë nuk e kanë ndër mend ta zotërojnë dot”, qe kritika e radhës për natën e dytë. Nata e fundit e festivalit e dedikuar melodive argëtuese u cilësua si më e arrira për atë vit. “Nivel kualiteti përmbi mundësitë reale”, iu dha titulli artikullit të kushtuar mbrëmjes finale, e cila u shënjua me fitoren e melodisë me titullin “Kënga e Rinisë” nga Musa Piperku me tekst të Migjenit e interpretim nga Sabri Fejzullahu. “Me gjithë kushtet e vështira, në të cilat përgatitet festivali ynë, kualiteti i melodive të sivjetme argëtuese qe në një nivel të lakmueshëm jo vetëm për kompozitorët kosovarë, po edhe për të gjithë dashamirët e muzikës argëtuese, që nëpër disa qendra të tjera ka zënë të bredhë rrugicave të zymta, pa gjetur frymëzime të vërteta”, ishte vlerësimi për natën përmbyllëse të “Akordeve...” të mbajtur në sallën e “Kino Rinisë”. Drejtuar nga Faik Hima, Dunja Lango e Elma Aksoy, në kryeqytet ishte një nismë e festimeve të fundvitit me një shou trinetësh, i cili ua dhuroi spektatorëve të vitit ‘74 tri net festive, e historisë muzikore të Kosovës dy hite të pavdekshme.

Image
Atmosferë festive, “Rilindja”, dhjetor 1974

“Elegancë festive”, “karameli vendas” dhe “peshqiri me tentene”

Në faqet e “Rilindjes” përfundimin e vitit e shoqëronin artikuj të mbushur me magjinë dhe ngrohtësinë e përgatitjeve për festa. Gazeta, duke qenë udhërrëfyes për jetën e përditshme dhe kulturën, nuk harronte t’u ofronte lexuesve edhe udhëzime dhe sugjerime se si të përgatiteshin për festë. Nisnin prej propozimeve për dekorimet e shtëpisë, shënime për gatimin e ushqimeve në tryezën festive dhe detaje mbi stilin dhe pamjen e grave.

“Lulet e kuqe të vëna për zbukurim krijojnë një harmoni të domosdoshme. Peshqiri me tentene dhe enët luksoze kërkojnë një dekorim më të bukur. Por, mos harroni mbi tavolinën me bredh nuk vihen lule me erë kundërmuese”, shkruhet në numrat e fundit të dhjetorit të vitit 1974, krahas recetave të ëmbëlsirave në të cilat inkurajohej përdorimi i “karamelit vendas” për të cilin jepet edhe receta.

Në rubrikat e modës dhe të stilit lexueset gjenin këshilla se çfarë të vishnin për mbrëmjen e Vitit të Ri, duke përfshirë sugjerime për grimin dhe frizurat festive. Një rubrikë në numrin e 21 dhjetorit u ishte kushtuar propozimeve se çfarë të vishnin zonjat në natën e Vitit të Ri.

“Për ato femra të cilat akoma nuk kanë vendosur për modelin e fustanit të Vitit të Ri, kreatorja jonë e modës, Shukrane Xhabiri, ju propozon katër modele të fustaneve prej kadifes. Ata janë të qepur thjesht, mirëpo kanë stoli të vogla sikurse janë lulet dhe rruazat”, shkruhet në artikull të cilit i bashkëngjitet dhe një ilustrim i thjeshtë me modelet e përshkruara. Ofrohen edhe këshilla për grim dhe kujdesin ndaj fytyrës nga kozmetistet e kohës, por një artikull i veçantë i titulluar “60 minuta për tërë natën” jepen hapat për një orë kushtuar dukjes së gruas në vorbullën e përgatitjeve për natën e Vitit të Ri. Nis nga kujdesi për lëkurën e duke përfunduar me përzgjedhjen e veshjes dhe stilit të flokëve.

“Mbani në mend se frizura duhet të jetë e bukur dhe spikatëse që të dallohet shumë prej frizurës suaj të zakonshme. Kur kryhet frizura, lyeni buzët dhe festoni!”, përfundon artikulli.

“Për së prapthi” dhe fishekzjarrët nga “Gërmia”

Shfletimi i arkivit të “Rilindjes” edhe të tjera detaje si vendet se ku festohej. E qartë, ishin një grusht restorantesh e kafehanesh. Por një pikë, e cila si duket qëndron si një ritual që i reziston kohës, ani pse me më pak entuziazëm se dikur, ishte dhe mbetet televizioni. TVP-ja ndër vite kishte përgatitur programin festiv për natën më të gjatë të vitit dhe programin e niste me valët e TV Beogradit me një pike humoristike satirike që përmblidhte ngjarjet në ish-Jugosllavinë e kohës, me komentim nga disa shkrimtarë. “Për së prapthi” do ta hapte përmbajtjen festive më 31 dhjetor të 1974-s. Fill pas urimit të mesnatës që fillonte në 5-minutëshin e fundit të mbrëmjes dhe fishekzjarrëve modeste që ndizeshin nga dikur shtëpia e mallrave “Gërmia” në kryeqytet, koha televizive qe e rezervuar për programin e Vitit të Ri të “TV Prishtinës”. Pjesë kulmore e këtij programi ishte paraqitja me një pikë nga shoqëria kulturore artistike “Rilindja”, me këngë e valle popullore shqiptare. Ndërkaq dita e parë e Vitit të Ri niste me emetimin e valëve të Radio-Prishtinës dhe programit të mëngjesit me “Dëshirat për Vitin e Ri”, pastaj mesdita i kushtohej “Koncertit të Vitit të Ri nga Filharmonia e Vjenës”.

“Kosovarët e pritën Vitin e Ri më të pasur se kurrë...”

“Kosovarët e pritën Vitin e Ri më të pasur se kurrë. Secili vit në rrjedhën e vet lë gjurmë në sferën e jetës, në zhvillimin e gjithmbarshëm të njeriut, kudo në rruzullin tokësor. Viti që iku edhe te ne la gjurmë të thellë, ishte vit i kthesave të mëdha revolucionare, vit i kushtetutave të reja”, shkruhej në “Rilindje”, në një përmbyllje kushtuar vitit 1974. Aty shkruhej për themelimin e Akademisë së Arteve Figurative, daljen e gjeneratës së parë të mjekëve nga Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë e të tjera ngjarje. Alamet epitetesh i jepeshin festës, prapë si se “kosovarët festuan më të pasur se kurrë”

“Kosovarët në mënyrë tradicionale, deri në orët e mëngjesit, e kremtuan më të pasur se kurrë, të tubuar kush në lokalet hoteliere, në qendra turistike, në fshatra e qytete, kush në rrethin familjar me miq e shokë, e kush jashtë atdheut, Selanik, Sofje, Stamboll…Atmosferën e madhështoi edhe bora, që nisi të binte në orët e mbrëmjes”, shkruhej në raportin për natën e Vitit të Ri.

“Bozhuri” në Prishtinë ishte qendra e festës dhe atë natë kishin marrë pjesë afro 500 mysafirë, të cilët i argëtonte orkestra e “Shotës” me soliste Shahindere Bërlajollin, nën patronazhin e kryetarit të Prishtinës, asokohe Nazmi Mustafa. Në shtëpinë e mallrave “Gërmia” atmosfera festive qe në duart e Nexhmije Pagarushës e Luan Hajrës. Publikun mitrovicas e kishte argëtuar Esat Bicurri, fituesi i “Akordeve...” të atij viti. Ndërsa në Pejë gotat ishin cakërruar nën tingujt e Orkestrës së Radio-Prishtinës me Liliana Çavollin dhe me batutat e humoristit Fitim Domi apo Mixha Ramë. Në vargun e urimeve me bollëk nga ndërmarrjet e ndryshme publike të kohës iu kushtua hapësirë dhe çasteve të para të Vitit të Ri, për punëtorët që i zuri ndërresa e moteve në orarin e punës, nga termocentralet në Obiliq e deri tek lindja e parë pas mesnatës në Spitalin e Prishtinës.

Image
“Gëzimi dimëror”, Isan Salihu, numri i fundit i dhjetorit të 1974-s i “Rilindjes”

“Gëzimi dimëror” me borë

Në faqet e fundit të dhjetorit “Rilindja” kishte rezervuar në një qosh borën e fundvitit tok me foton e Isan Salihut që paraqiste një peizazh qyteti gjersa fëmijët luanin me saja. “Gëzimi dimëror” ishte titulli. “E mbuloi shtresa e bardhë Prishtinën... Në bardhësi si prej zgjojesh dolën fëmijët…

Me saja, në qendër të qytetit, nisën periodën e gëzimeve dimërore... Me ta marrë mendja, se bora, kjo që parapriu dimrit me kalendar, do të shkrihet brenda një ore, u mbushën teposhtat me fëmijë në saja... E aty afër, pa u thënë kush: ‘Stop’, po ‘pushojnë’ automjetet, sepse edhe ato shpesh në duart e fillestarëve bëhen saja”, shkruhej në artikull.