Në vitin 1967, anëtarët e “The Beatles” ishin duke shijuar namin e zotave, në një rrafsh ndërkombëtar.
Qysh prej kohës kur lansuan komedinë muzikore “A Hard Day’s Night”, më 1964, britanikët me flokë të valëzuara, e kishin pushtuar planetin - ose siç kishte thënë John Lennon, më 1966, ishin bërë “më të mëdhenj sesa Jezusi”, shkruan DW, transmeton “Koha Ditore”. Por, në vend se të vazhdonin në rrugën e sigurt të suksesit, në vitin 1967 bendi hyri në një territor krejtësisht të ndryshëm me albumin tashmë legjendar, të titulluar “Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band”.
“Gjithmonë na kishin thënë ‘do t’i humbni të gjithë adhuruesit tuaj me këtë album’”, e ka pohuar rishtas Paul McCartney në një intervistë për revistën “Mojo”. “Dhe ne do t’u thoshim ‘paj, do të humbim disa adhurues, por do t’i fitojmë disa të tjerë. Duhet të avancohemi”.
E në të vërtetë, kur u lansua albumi “Sgt. Pepper’s…” më 26 maj të vitit 1967, muzika eksperimentale, tekstet surreale dhe ballina abstrakte e albumit, nënkuptonin se katërshja e mrekullueshme, e kishte çuar në një drejtim të ri radikal muzikën me incizimin e tyre të nëntë me radhë.
I lansuar si një prej albumeve të para të mëdha që kishte një koncept me rrëfim të gjatë, “Sgt. Pepper’s…” po ashtu ishte albumi i parë në histori që u shoqërua me tekste të shtypura të këngëve.
Eksperimentimi që kishin bërë “Beatles”, ishte po ashtu evident në vetë ballinën e albumit, që i pasqyronte katër anëtarët e bendit me rroba të ndritshme, shumëngjyrëshe, tek qëndronin midis njerëzve të famshëm, duke përfshirë edhe magjistarin kontrovers, Aleister Crowley, në një fotomontazh. McCartney e ka shpjeguar rëndësinë e kostumeve shumëngjyrëshe në një intervistë të dhënë për revistën “Rolling Stone”.
Edhe
50 vjet Beatles ,“Sgt. Pepper” albumi më i mirë i të gjitha kohërave
“Mendova, ‘le të dalim përtej vetes. Le të zhvillojmë alter-ego në mënyrë që të mos na duhet ta projektojmë imazhin që ne e njohim. Do të ishte shumë më e lirshme. Ajo që do të ishte vërtet interesante do të ishte që të merremi me personazhet e këtij bendi në një mënyrë krejtësisht tjetër’”.
Pop-artistët Peter Blake e Jann Haworth ishin paguar rreth 3 mijë e 400 euro, për këtë ballinë arti, e që ishte gati se pesëdhjetë për qind më tepër se sa mesatarja që paguhej asokohe. Megjithatë, nuk ia dolën që “Beatles” të pozonin me mendje të qartë: “Nëse e shihni afër, e vëreni që dy prej nesh janë shumë lart”, kishte thënë njëherë Lennon për “Rolling Stone” ... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.