Showbiz

Paul McCartney thotë se John Lennon e ka iniciuar shpërbërjen e grupit “The Beatles”

Për gati 50 vjet, Paul McCratney, e ka marrë përsipër fajin për shpërbërjen e grupit “The Beatles”.

Dëshmia e supozuar ishte një deklaratë për shtyp për albumin e tij solo të vitit 1970, “McCartney”, ku ai zbuloi se po pushonte pak nga bendi më i madh i muzikës rok. Atëkohë, muzikanti i njohur nga Liverpooli kishte deklaruar se nuk mund të parashikonte një kohë kur ai dhe John Lennon do të bëheshin sërish bashkë për të krijuar këngë të reja.

Por, në një intervistë të re për kanalin “BBC”, McCartney ka deklaruar se shpërbërja e grupit legjendar ishte iniciuar nga Lennoni.

“Unë nuk e kam nxitur ndarjen e grupit. Atë e bëri i dashuri ynë John. Unë nuk jam personi që e inicio këtë veprim. Jo. Një ditë John hyri në dhomë dhe tha se po largohet nga ‘The Beatles’. Tutje ai deklaroi se po ndihej i entuziazmuar për këtë gjë, dhe i dukej sikur një shkurorëzim. Dhe kështu, ne mbetëm të vetëm për t’u ballafaquar me pasojat e këtij veprimi”.

Intervistuesi, John Wilson, e pyeti këngëtarin nëse ata do të vazhdonin të bëjnë muzikë nëse Lennon nuk do të largohej nga grupi, dhe McCartney u përgjigj: “Me siguri po. Çështja ishte se John po e bënte një jetë të re me Yokon dhe ai donte të shtrihej në shtrat për një javë në Amsterdam, në kërkim të paqes shpirtërore. Dhe ne nuk mund të debatoni me këtë gjë. Ishte periudha më e vështirë e jetës sime. Ky ishte grupi im, kjo ishte puna ime, kjo ishte jeta ime. Unë doja që ajo të vazhdonte. Mendoja se po bënim gjëra mjaft të mira. Albumet ‘Abbey Road’ dhe ‘Let It Be’ ishin mjaft të mira dhe të suksesshme, prandaj mendoja se do të vazhdonim të krijonim muzikë të re edhe për shumë vjet”.

Sir Paul po ashtu tregoi se konfuzioni rreth shpërbërjes së “The Beatles”, u bë edhe më i madh ngase menaxheri i ri i grupit, Allen Klein, me të cilin ai kishte refuzuar të bashkëpunonte, tha se i duhej kohë për ta zgjidhur lidhjen e tyre të biznesit.

“Për disa muaj ne u desh të shtiremi sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Ishte e çuditshme ta bënim këtë, sepse të gjithë e dinim se ky ishte fundi i ‘The Beatles’, por nuk mund të largoheshin nga grupi”, shtoi tutje këngëtari.

McCarteny përfundoi duke e paditur pjesën tjetër të grupit në gjykatën e lartë, duke kërkuar prishjen e marrëdhënies së tyre kontraktuale në mënyrë që ta mbante muzikën e tyre larg duarve të Kleinit.

“M’u desh të luftoja dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë ishte duke e paditur pjesën e mbetur të grupit, sepse ata po e konsideronin mundësinë për ta vazhduar bashkëpunimin me Allen Kleinin. Dhe në fakt, pas disa vjetëve ata më falënderuan për këtë veprim. Por, përfundimisht, unë nuk e kam nxitur shpërbërjen e ‘The Beatle’”, përfundoi ai.

McCartney ka thënë më parë se projektet arkivore si “The Beatles Anthology” dhe dokumentari i ardhshëm i Peter Jacksonin, “Get Back”, nuk do të kishin qenë kurrë të mundshme pa veprimin e tij ligjor.

Intervista e plotë e muzikantit britanik do të transmetohet në kuadër të emisionit të ri, “This Cultural Life”, më 23 tetor në “BBC Radio 4”.

Image