Kulturë

Gjysmëfinalja e parë e “Eurovisionit” kulmon edhe me Rita Orën

Megjithëse Shqipëria përfaqësohet në gjysmëfinale të dytë në “Eurovision”, shqiptarët kanë qenë të pranishëm edhe të martën në Garën Evropiane të Këngës. Rita Ora ka shkëlqyer në “Liverpool Arena” gjatë kohës kur votohej për konkurrentët. Dhjetë finalistët e parë janë zgjedhur në edicionin e 67-të ku nuk kanë munguar mesazhet për paqe në Evropë dhe botë. Ukraina – ku sivjet duhej të mbahej “Eurovisioni” ka qenë kryefjalë edhe me ngjyrat e skenografisë.

Moment kulmor i gjysmëfinales së parë ka qenë edhe paraqitje e këngëtares me prejardhje nga Kosova, Rita Ora. E veshur me fustan të zi, ajo ka elektrizuar arenën gjigante të Liverpoolit. Ka interpretuar një kompilacion nga disa këngë të saj, duke bërë që atmosfera në arenë të jetë spektakolare, ashtu siç edhe është formati i Festivalit.

Menjëherë pas interpretimit – që nga prezantueset Alesha Dixon, Hannah Waddingham, Julia Sanina është vlerësuar si i mahnitshëm – Ora ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale, duke thënë se ishte një nder i madh të jetë në skenën kryesore të “Eurovisionit”, duke interpretuar disa nga këngët e saj të preferuara, përfshirë edhe më të renë “Praising You”.

“Faleminderit krejt ekipit dhe sigurisht juve, mbështetësve të mi të jashtëzakonshëm. Shpresoj se ju pëlqeu aq shumë sa mua më pëlqeu ta performoja. Dashuri për të gjithë ata që e shikojnë në krejt Evropën dhe natyrisht në Ukrainë. Qëndro e fortë, të gjithë të duam”, ka shkruar ajo.

Në gjysmëfinalen e parë finalistë janë zgjedhur: Kroacia, Moldavia, Zvicra, Finlanda, Çekia, Izraeli, Portugalia, Suedia, Serbia dhe Norvegjia. E në konkurrencë ishin edhe përfaqësuesit e Maltës, Letoni, Irlandës, Azerbajxhanit dhe Holandës.

Shqipëria sivjet përfaqësohet nga “Albina & Familja Kelmendi” me këngën “Duje”. Do të performojnë të enjten, në natën e dytë gjysmëfinale. Janë në konkurrencë me 13 përfaqësues të shteteve të tjera dhe 10 prej tyre do të kualifikohen. Shqipëria në “Eurovision” debutoi më 2004 me Anjeza Shahinin. Albina Kelmendi është e treta këngëtare nga Kosova që përfaqëson Shqipërinë në “Eurovision” pas Rona Nishliut me “Suus” dhe Linda Halimit me “World”. Të enjten Shqipëria është në garë me Danimarkën, Armeninë, Rumaninë, Estoninë, Belgjikën, Qipron, Islandën, Greqinë, Poloninë, Slloveninë, Gjeorgjinë, San Maronon dhe Austrinë.

Vjet fituese e Garës Evropiane të Këngës qe Ukraina me “Stefania” nga “Kalush Orchestra”. Por për shkak të sigurisë, është vendosur që edicioni i sivjetmë të mbahet në Britani të Madhe. Skena gjatë spektaklit të dritave shpesh ka kombinuar ngjyrat e flamurit të Ukrainës, duke u solidarizuar dhe duke përkrahur përballë luftës pushtuese të Federatës Ruse. Finalistë të përhershëm janë pesëshja: Mbretëri e Bashkuar, Francë, Gjermani, Spanjë dhe Itali.