Vendimi gjyqësor e ka pezulluar vendimin e autoriteteve komunale për rrënimin e atij që cilësohet si “një ndër objektet e pakta të qytetit të Vushtrrisë, i cili prezanton kohën moderne të arkitekturës në Kosovë”. Ministria e Kulturës i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë për këtë rast, derisa të vendosë nëse – objektin që Komuna nisi ta rrënonte – ta mbrojë si monument të trashëgimisë kulturore. Por Komuna e Vushtrrisë ngulmon që ta konkretizojë rrënimin. Vendimin që ia ndalon një gjë të tillë e cilëson absurd
Komuna e Vushtrrisë duhet të heqë dorë nga vendimi për rrënimin e ndërtesës së viteve ’60 në qendër të qytetit. Ai vendim do të jetë veç një dokument në sirtar derisa institucionet e drejtësisë të vendosin ndryshe.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës që të mos ekzekutohet vendimi i Komunës së Vushtrrisë, derisa Gjykata të vendosë në lidhje me kërkesë-padinë e MKRS-së për anulim të vendimit të Komunës. Kësisoj konflikti midis Komunës dhe MKRS-së është zgjidhur përkohësisht.
Bëhet fjalë për ish-ndërtesën e Gjykatës në Vushtrri, për të cilën Kuvendi Komunal ka nxjerrë vendim për rrënim qysh në mars, kurse MKRS-ja ka nisur ta vlerësojë atë nëse i plotëson kushtet për ta marrë statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme. Para dhjetë ditësh, në mëngjesin e së dielës, Komuna kishte nisur rrënimin e ndërtesës. Ishte dashur ndërhyrja e Policisë për ta ndalur atë. Këtë veprim Komuna e kishte ndërmarrë pavarësisht shkresave të MKRS-së dhe institucioneve të tjera të nivelit qendror. Por edhe tash e kundërshton vendimin gjyqësor teksa e cilëson si absurd.
“Aprovohet si i bazuar propozimi i paditësit/propozuesit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me seli në Prishtinë, të cilën e përfaqëson Avokatura shtetërore e Republikës së Kosovës”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i protokolluar më 31 maj. “Shtyhet ekzekutimi i vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Vushtrrisë, nr.69/21 të datës 25.3.2021, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, shkruhet në pikën numër dy të vendimit të nënshkruar nga gjyqtari Kreshnik Kaçiu.
Departamenti për çështje administrative i Gjykatës Themelore të Prishtinës kishte pranuar kërkesë-padinë e MKRS-së më 27 maj. Në arsyetimin e vendimit shkruhet se për bazë është marrë Ligji për konflikte administrative. Aty sqarohet se MKRS-ja ka bërë kërkesë-padi për anulimin e vendimit të Komunës së Vushtrrisë dhe ka propozuar shtyrje të ekzekutimit të vendimit derisa të vendosë Gjykata për këtë rast.
“Gjykata vlerësoi se paditësi/propozuesi ka ofruar argumente të besueshme, të cilat e vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimit, i cili nënkupton rrënimin e ndërtesës së ish-Gjykatës Themelore në Vushtrri, e cila gjendet në vendin e quajtur ‘Varosh Marshall Tito’, me sipërfaqe 473 metra katrorë, do të sillte dëm të pariparueshëm jo vetëm për paditësin, por edhe për vetë të paditurën, si dhe për të gjithë banorët e Komunës së Vushtrrisë”, shkruhet në arsyetim të vendimit.
Po ashtu aty sqarohet se Gjykata ka konstatuar se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të Komunës deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore nuk është në kundërshtim me interesin publik e as nuk sjell ndonjë dëm të madh ndaj palës kundërshtare.
“Shtyrja e ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar do të shmangte pasojat e mundshme që do të shkaktoheshin në të ardhmen...”, shkruhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës.
Por Komuna e Vushtrrisë nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës. Do ta dërgojë atë në Gjykatën e Apelit.
“Është vendimi më absurd në historinë e gjyqësorit të Kosovës. Si mundet me e shty Gjykata zbatimin e një vendimi të Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë pa pasur një vendim të MKRS-së, pra pa asnjë bazë ligjore, në bazë të të cilit nen, të cilit ligj? Jam i sigurt që Apeli ka për ta anuluar këtë vendim absurd”, ka thënë kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në një përgjigje për KOHËN.
Të mërkurën e javës së kaluar Ministria e Kulturës kishte mbledhur komisionin për të bërë vlerësimin e ish-ndërtesës së Gjykatës në Vushtrri. Komisioni ka vendosur që të mblidhen ende të dhëna në mënyrë që çështja të jetë e sqaruar në detaje.
Patrullat e Policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë tek ish-ndërtesa e Gjykatës në Vushtrri. E ruajnë atë që Komuna të mos e rrënojë nëpërmjet një kompanie punëkryerëse të angazhuar për ta rrafshuar atë.
Pjesa qendrore e ndërtesës nga prapa ishte dëmtuar goxha mëngjesin e së dielës së 25 majit, kur kishte nisur rrënimi. Reagimi i opozitës, shoqërisë civile, MKRS-së dhe Policisë kishte bërë që puna të ndalej.
Ministria e Kulturës të martën e javës së kaluar i ishte drejtuar me një shkresë Policisë së Kosovës. Ka sqaruar se qysh në fillim të këtij muaji ka nisur me procesin e vlerësimit të ndërtesës.
“Kërkojmë nga Policia e Kosovës që të sigurojë hapësirën ku ndodhet ndërtesa deri në momentin kur institucioni kompetent të ketë vlerësuar rëndësinë e ndërtesës dhe rrjedhimisht të ketë përcaktuar statusin ligjor të ndërtesës”, shkruhet në letrën që i është drejtuar koloneles Afërdita Mikullovci.
Në anën tjetër, Komuna e Vushtrrisë, të martën e kaluar kishte lëshuar një komunikatë për media. Ato që ka thënë Komuna janë renditur në 9 pika.
Sipas komunikatës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, në vizitën e bërë në terren “gojarisht ua ka kumtuar zyrtarëve komunalë që ky objekt nuk përbën trashëgimi kulturore”. “Zyrtarët komunalë janë të gatshëm të dëshmojnë kudo e në çdo kohë se ky ishte qëndrim zyrtar i QRTK-së në Mitrovicë, në vizitën në terren e mbi këtë vlerësim gojor...”, shkruhej në komunikatë. Nënvizohej se Komuna nuk ka dashur të humbë kohë që të njëjtin vlerësim ta presë edhe me shkrim. Aty tërthorazi bëhej e ditur se çështja do të përfundojë në gjykatë.
“Tani MKRS-ja me ndikim politik po tenton të ndërhyjë në vlerësimet e QRTK-së në Mitrovicë. Ne në proces gjyqësor do të kërkojmë deklaratë nën betim të QRKT-së në Mitrovicë, sepse ose atë ditë e kanë vënë në lajthitje institucionin e Komunës, ose tani po e ndryshojnë vendimin sipas instruksioneve politike”, shkruhej në komunikatë.
Por sipas zejtarëve në Bulevardin qendror të Vushtrrisë, prapa ndërtesës që Komuna synon ta rrënojë me arsyetimin që të krijojë hapësira për qytetarët, posedon prona një prej biznesmenëve më të zotë në qytet. Zejtarët kanë thënë se Komuna tenton që me rrënim të objektit t’i krijohet biznesmenit qasje direkte në Bulevard.
Prej vitit 2015, dega e Gjykatës Themelore në Vushtrri nuk e shfrytëzon atë ndërtesë. Në fund të marsit të këtij viti Kuvendi Komunal kishte nxjerrë vendim për rrënim. Reagimet e opozitës dhe të shoqërisë civile nuk i kishin bërë përshtypje autoriteteve komunale.
Komunën nuk e kishte zmbrapsur as vendimi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që përcakton se “akti i Komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”.
E në ditën e 6-të të majit ekipi i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë kishte vizituar ndërtesën e vitit 1964. Sipas raportit të përgatitur, objekti prezanton një arkitekturë të unifikuar të objekteve të ndërtuara për funksion si gjykatë në kohën e ish-Jugosllavisë.
“Ai është edhe një ndër objektet e pakta të qytetit të Vushtrrisë, i cili prezanton kohën moderne të arkitekturës në Kosovë”, shkruhet në raport. Aty sqarohet se gjendja e ndërtesës është e favorshme dhe ka krejt pak kërcënime të lokalizuara.
Katër zyrtarët e QRTK-së, që e kanë hartuar raportin, kanë ardhur në përfundim se ndërtesa që gjendet në bulevardin kryesor të qytetit të Vushtrrisë paraqet stilin modern me etazhitet B+P+2 me formë drejtkëndore.
“Vlerat artistike të stilit modern shprehen në fasadën ballore të objektit. Në strukturën e vjetër urbane integrimi i ndërtesës në fjalë ka shkaktuar ndërhyrje të vrazhdë urbane. Sot objekti është jashtë funksionit dhe si i tillë me predispozita të shndërrohet në ‘ndotës potencial ambiental’. Objekti në tërë periudhën e eksploatimit nuk ka pësuar transformime”, shkruhet në raport.