Të hënën patrullat e Policisë së Kosovës kanë qenë gjatë gjithë kohës tek ish-ndërtesa e Gjykatës në Vushtrri. E kanë ruajtur atë që Komuna të mos e rrënojë nëpërmjet një kompanie punëkryerëse të angazhuar për ta bërë rrafsh ndërtesën. Por Ministria e Kulturës planifikon që këtë javë të dalë me vendim nëse ndërtesa e vitit 1964 do të marrë statusin e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme ose jo
Ministria e Kulturës dhe Komuna e Vushtrrisë nga distanca i kanë kërkuar njëra-tjetrës bashkëpunim për ish-ndërtesën e degës në Vushtrri të Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Po ashtu kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje ligjore e politizim të trashëgimisë kulturore. Përplasja midis këtyre institucioneve ka vazhduar edhe të hënën. Por Ministria e Kulturës planifikon që këtë javë të dalë me vendim nëse ndërtesa e vitit 1964 do të marrë statusin e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme ose jo.
Të hënën patrullat e Policisë së Kosovës kanë qenë gjatë gjithë kohës tek ish-ndërtesa e Gjykatës në Vushtrri. E kanë ruajtur atë që Komuna të mos e rrënojë nëpërmjet një kompanie punëkryerëse të angazhuar për ta bërë rrafsh ndërtesën. Aty ka qenë edhe buldozeri. Pjesa qendrore e ndërtesës nga prapa është dëmtuar goxha në mëngjesin e së dielës, kur kishte nisur rrënimi. Reagimi i opozitës, shoqërisë civile dhe MKRS-së dhe Policisë kishte bërë që puna të ndalej.
Ministria e Kulturës të martën i është drejtuar me një shkresë Policisë së Kosovës. Ka sqaruar se qysh në fillim të këtij muaji ka nisur me procesin e vlerësimit të ndërtesës.
“Kërkojmë nga Policia e Kosovës që të sigurojë hapësirën ku ndodhet ndërtesa deri në momentin kur institucioni kompetent të ketë vlerësuar rëndësinë e ndërtesës dhe rrjedhimisht të ketë përcaktuar statusin ligjor të ndërtesës”, shkruhet në letrën që i është drejtuar kolonelës Afërdita Mikullovci.
Autorja e kësaj shkrese, drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, ka thënë se procesi ka nisur prej ditës së 5-të të këtij muaji, kur kanë pranuar një kërkesë për vlerësim të ndërtesës. Ajo ka thënë se MKRS-ja ka njoftuar Komunën e Vushtrrisë për procesin e nisur.
“Në momentin që fillon procesi i vlerësimit ndalohet çdo veprim ndërhyrës në atë ndërtesë dhe ndërhyrja përbën shkelje ligjore”, ka thënë ajo të martën. Aliu ka bërë të dituar se gjatë javës Komisioni do të mblidhte për të përcaktuar statusin ligjor të ndërtesës.
Në anën tjetër, Komuna e Vushtrrisë, të martën, ka lëshuar një komunikatë për media. Ato që ka thënë Komuna janë renditur në 9 pika.
Sipas komunikatës, Qendra rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, në vizitën e bërë në terren “gojarisht ua ka kumtuar zyrtarëve komunalë që ky objekt nuk përbën trashëgimi kulturore”. “Zyrtarët komunalë janë të gatshëm të dëshmojnë kudo e në çdo kohë se ky ishte qëndrim zyrtar i QRTK-së në Mitrovicë në vizitën në terren e mbi këtë vlerësim gojor...”, shkruhet në komunikatë. Shkruhet se Komuna nuk ka dashur të humbë kohë që të njëjtin vlerësim ta presë edhe me shkrim. Aty tërthorazi bëhet e ditur se çështja do të përfundojë në Gjykatë.
“Tani MKRS-ja me ndikim politik po tenton të ndërhyjë në vlerësimet e QRTK-së në Mitrovicë. Ne në proces gjyqësor do të kërkojmë deklaratë nën betim të QRKT-së në Mitrovicë, sepse ose atë ditë e kanë vënë në lajthitje institucionin e Komunës, ose tani po ndryshojnë vendim sipas instruksioneve politike”, shkruhet në komunikatë. Aty bëhet e ditur se sipas një vlerësimi të dy ekipeve të ekspertëve, ndërtesa “përbën rrezik për jetën e qytetarëve”. ”Nëse MKRS-ja politikisht e fut në listë për vlerësim të mëvonshëm, duhet urgjent të sigurojë buxhet për këtë objekt që të eliminojë rrezikun për qytetarët”, shkruhet në komunikatë. Është akuzuar MKRS-ja se po vepron politikisht.
“Se MKRS-ja po vepron politikisht, mjafton fakti që ju jeni interesuar për këtë objekt vetëm pasi Kuvendi ka nxjerrë vendim për rrënim, i cili vendim pastaj nga partia juaj është sjellë te ju për vlerësim”, shkruhet në komunikatë. Por sipas zejtarëve në Bulevardin qendror të Vushtrrisë, prapa ndërtesës që Komuna synon ta rrënojë me arsyetimin që të krijojë hapësira për qytetarë, posedon prona një prej biznesmenëve më të zotë në qytet. Zejtarët kanë thënë se Komuna tenton që me rrënim të objektit t’i krijohet biznesmenit qasje direkte në Bulevard.
Prej vitit 2015, dega e Gjykatës Themelore në Vushtrri nuk e shfrytëzon atë ndërtesë. Në fund të marsit të këtij viti, Kuvendi Komunal kishte nxjerrë vendim për rrënim. Reagimet e opozitës dhe shoqërisë civile nuk i kishin bërë përshtypje Komunës.
Komunën nuk e kishte zmbrapsur as vendimi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që përcakton se “akti i Komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”. Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal kërkon nga Komuna që ta rishqyrtojë këtë vendim.
Në ditën e 6-të të këtij muaji ekipi i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë kishte vizituar ndërtesën. Sipas raportit të përgatitur objekti prezanton një arkitekturë të unifikuar të objekteve të ndërtuara për funksion si gjykatë në kohën e ish-Jugosllavisë. “Ai është edhe një ndër objektet e pakta të qytetit të Vushtrrisë, i cili prezanton kohën moderne të arkitekturës në Kosovë”, shkruhet në raport. Aty sqarohet se gjendja e ndërtesës është e favorshme dhe ka krejt pak kërcënime të lokalizuara.
Katërshja ka ardhur në përfundimin se ndërtesa që gjendet në bulevardin kryesor të qytetit të Vushtrrisë paraqet stilin modern me etazhitet B+P+2 me formë drejtkëndore.
“Vlerat artistike të stilit modern shprehen në fasadën ballore të objektit. Në strukturën e vjetër urbane integrimi i ndërtesës në fjalë ka shkaktuar ndërhyrje të vrazhdë urbane. Sot objekti është jashtë funksionit dhe si i tillë me predispozita të shndërrohet në “ndotës potencial ambiental”. Objekti në tërë periudhën e eksploatimit nuk ka pësuar transformime”, shkruhet në raport.