Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Gjurmët në New Mexico, shenja më e vjetër e pranisë së njerëzve në Amerikë

Zbulimi i gjurmëve fosile në New Mexico që datojnë prej 21 mijë deri 23 mijë vjet më parë, përmbysin teorinë e mëparshme se njerëzit arritën në kontinentin amerikan shumë vjet më vonë

Hulumtimet e reja konfirmojnë se gjurmët fosile të njeriut të zbuluara në New Mexico, mund të jenë prova më e vjetër e drejtpërdrejtë e pranisë njerëzore në kontinentin amerikan, një zbulim që përmbys atë që shumë arkeologë mendonin se e dinin deri më tash.

Sipas hulumtimit të botuar të enjten në revistën “Science”, këto gjurmë u zbuluan buzë një shtrati të lashtë liqeni në parkun kombëtar, White Sands, dhe datojnë midis 21 dhe 23 mijë vjet më parë.

Vjetërsia e vlerësuar e gjurmëve u raportua për herë të parë në vitin 2021, por disa studiues ngritën shqetësime për datimet. Dyshimet përqendroheshin te fakti nëse farat e bimëve ujore të përdorura për datimin mund të kenë thithur karbonin e lashtë nga liqeni, i cili, në teori, mund të ndikojë në llogaritje të vjetërsisë së materialeve me bazë karboni që kanë origjinën nga organizmat e gjallë, me mijëra vjet.

Mirëpo, studimi i ri paraqet dy linja shtesë të provave për intervalin më të vjetër të datimit të gjurmëve fosile. Ai përdor dy materiale krejtësisht të ndryshme të gjetura në atë lokacion, polen i lashtë halor dhe grimca kuarci.

Image

Vjetërsia e raportuar e gjurmëve sfidon mendimet dikur konvencionale se njerëzit nuk arritën në Amerikë deri disa mijëra vjet përpara se rritja e nivelit të detit të mbulonte urën tokësore të Beringut, midis Rusisë dhe Alaskës, diku afërsisht 15 mijë vjet më parë.

Edhe Gjurmët më të vjetra të njeriut në Amerikë datojnë para 20 mijë vjetësh Kulturë Gjurmët më të vjetra të njeriut në Amerikë datojnë para 20 mijë vjetësh

“Kjo është një temë që ka qenë gjithmonë e diskutueshme, sepse është kaq domethënëse – ka të bëjë me mënyrën se si ne e kuptojmë kapitullin e fundit të njerëzve në të gjithë botën”, ka thënë Thomas Urban, shkencëtar i arkeologjisë në Universitetin “Cornell”, i cili ishte i përfshirë në studimin e vitit 2021, por jo edhe në hulumtimin e fundit.

Në anën tjetër, Thomas Stafford, gjeolog i pavarur arkeologjik nga Albuquerque, New Mexico, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, ka thënë se fillimisht “ishte pak skeptik”, por tani është bindur.

Studimi i ri izoloi rreth 75 mijë kokrra poleni të pastër nga e njëjta shtresë e shkëmbinjve sedimentarë që përmbante gjurmët e këmbëve.

Gjurmët e lashta të çfarëdo lloji mund t’ua ofrojnë arkeologëve pamjet e një momenti në kohë. Derisa vende të tjera arkeologjike në Amerikë tregojnë për periudha të ngjashme datimesh – duke përfshirë varëse të gdhendura nga mbetjet e gjitarëve gjigantë të tokës në Brazil – shkencëtarët ende dyshojnë nëse materiale të tilla e tregojnë vërtet praninë njerëzore.

Edhe Arkeologët zbulojnë shenjë gishti të neandertalit para 43 mijë vjetësh Kulturë Arkeologët zbulojnë shenjë gishti të neandertalit para 43 mijë vjetësh

“Gjetjet në parkun kombëtar ‘White Sands’ janë unike, sepse nuk ka dyshim se këto gjurmë janë lënë nga njerëzit. Pra, asgjë nuk është e paqartë”, ka thënë Jennifer Raff, gjenetiste në Universitetin e Kansasit.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku