Kulturë

Gjirokastra 17 vjet në UNESCO, thesar i gjithë botës

Gjirokastra, e shndërruar tash e sa vjet në destinacion kryesor turistik në Shqipëri, të premten ka shënuar 17-vjetorin e hyrjes në UNESCO. Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Eva Margariti, me këtë rast, në rrjete sociale ka shpërndarë një video me pamje nga qyteti i gurtë si ishte dhe si është transformuar pas ndërhyrjeve restauruese në banesat dhe rrugët karakteristike të tij.

“U mbushën 17 vjet qëkurse Gjirokastra, ky muze i gjallë nën qiell të hapur, nuk është më vetëm thesar yni, por i gjithë botës. Në vitin 2005 u bë pjesë e listës së trashëgimisë botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe dita-ditës, falë vëmendjes së Qeverisë, investimeve nga buxheti i shtetit dhe me donatorë, në rrugë, në muze, pazar, objekte kulti, po del në dritë si një zonjë e madhe”, ka thekuar ministrja Margariti.

Gjirokastra u pranua në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) në korrik të 2005-tës nëpërmjet një procesi shumë mikpritës dhe dashamirës nga të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate.

Çdo fundjavë Gjirokastra mbushet plot vizitorë vendas e turistë të huaj, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit. Gjirokastra është një qytet që përbën dëshmi unike të një tradite kulturore të jetës së zhvilluar në shekujt XIV-XIX.

Në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet. Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit. Ajo ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore. Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.

Kalaja, e ndërtuar në shekullin XIII, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa pazari (shekulli XVII), i vendosur në qendër të qytetit,- ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional, me ndërtesa të njëpasnjëshme të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj.