Kulturë

Gjakova në rikthim të magjisë së kinemasë që i mungoi tri dekada

Projektori i kinemasë në Gjakovë, që ishte ndezur për herë të parë në vitin 1979, u fik pas një dekade. Gjatë kohës së regjimit serb e ndërpreu aktivitetin. Në sallën që mblidhte adhurues të filmit, për tri dekada më pas nuk kishte gjurmë të kinemasë. Por, punimet në muajt e fundit ia kanë kthyer funksionin e dikurshëm. Tash, me iniciativë private, këtij qyteti i është rikthyer magjia e kinemasë dhe mban emrin e aktores së njohur Hyrije Hana

Salla poshtë pallatit të kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, që dikur ishte kinema, për disa vjet qe jashtë funksionit dhe në gjendje jo të mirë. Projektori, që ishte ndezur për herë të parë në vitin 1979, u fik pas një dekade. Gjatë kohës së regjimit serb kinemaja ndërpreu aktivitetin. Në sallën që mblidhte adhurues të filmit, për tri dekada më pas nuk kishte gjurmë të kinemasë. Por, punimet në muajt e fundit ia kanë kthyer funksionin e dikurshëm.

Me investim privat, salla është veshur përsëri me ngjyrat e kinemasë. Ka marrë emrin e ikonës së aktrimit dhe aktivistes së dalluar, Hyrije Hana. Emërtimi është bërë me qëllim të përjetësimit të emrit të aktores, që për një periudhë iu mohua skena për shkak të aktivizmit të saj. Si pjesëtare e organizatës Lëvizja për Liri dhe Bashkim Kombëtar, ajo vuajti burgun disa herë gjatë jetës së saj. Por Hana, që ishte ndër aktoret pioniere në Kosovë, nuk u thye. Portreti i saj sot është në ballë të hyrjes së kinemasë në qendër të Gjakovës. Në korridorin që të çon te ulëset e kinemasë janë varur edhe portretet e 16 aktorëve të tjerë nga Gjakova dhe atyre që kontribuuan në jetën kulturore të këtij vendi. Objekti i shndërruar në kinema, tash menaxhohet nga kompleksi “KINO”.

Ilire Shala, drejtoreshë e kinemasë “Hyrije Hana”, shprehet e lumtur që publikut ia kanë kthyer kinemanë që i ka munguar kaherë.

Image

Me investim privat, salla është veshur përsëri me ngjyrat e kinemasë. Ka marrë emrin e ikonës së aktrimit dhe aktivistes së dalluar, Hyrije Hana. Emërtimi është bërë me qëllim të përjetësimit të emrit të aktores, që për një periudhë iu mohua skena për shkak të aktivizmit të saj. Portreti i saj sot është në ballë të hyrjes së kinemasë


“Për ne si kompani ka qenë një projekt shumë ambicioz, duke u lidhur me atë pjesën emocionale që t’ia kthejmë publikut kinemanë e munguar që 30 vjet. Unë mendoj që kjo është pika jonë ambicioze sepse e kemi kthyer një vend që ka qenë katrahurë në një vend shumë modern”, ka treguar Shala për KOHË-n.

Kinemaja ka vendosur të ndezë ekranin me një rrëfim autentik, që vlerësohet si triumf i kinematografisë kosovare në botë. Në mbrëmjen e hapjes, më 28 nëntor, salla ka qenë plot për të parë filmin “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit, i cili është fitues i trefishtë i festivalit të madh amerikan “Sundance Film Festival” dhe kandidat i Kosovës për “Oscar”. Shikuesit, të cilët me entuziazëm e kanë pritur kinemanë, nuk kanë munguar as të hënën. Ajkune Rama, njëra ndër ta, ka thënë se hapja e kinemasë ka qenë e domosdoshme.

“E kemi pritur jashtëzakonisht mirë këtë vendim. Kemi pasur shumë nevojë për kinema sepse Gjakova është qytet i kulturës”, ka thënë ajo.

Disa prej shikuesve një ditë pas ceremonisë së inaugurimit, kinemaja në qendër të qytetit ua ka kthyer nostalgjinë e fëmijërisë, kur Gjakova kishte dy kinema.

Faton Haxhiavdyli është aty, pas tridhjetë vjetësh së bashku me familjen e tij dhe këtë thotë se do ta bëjë më shpesh, pasi që kinemaja i jep një përjetim të veçantë të shikimit të filmave.

“E kemi pritur me shumë gëzim sepse kur kemi qenë fëmijë dhe të rinj qyteti ka pasur dy kinema, që kanë qenë qendër e argëtimit dhe edukimit tonë. Ky qytet ka pasur nevojë të kamotshme që ta ketë një kinema”, ka thënë Haxhiavdyli, para se të ulet në njërën nga ulëset e kinemasë në qendër të qytetit të Gjakovës.

Kinemaja “Hyrije Hana” synon t’i sjellë filmat më të rinj me teknologjinë e fundit digjitale 3D, si dhe teknologjinë më të re të zërit ‘Dolby Surround 5.1’. Në sallën me kapacitet prej 250 ulësesh, kinemaja premton për shikuesit një përvojë të re të artit të shtatë. Këtë përvojë shikuesit e kanë përjetuar me rrëfimin e Fahrije Hotit dhe të grave nga Krusha e Madhe, i cili është i pasqyruar në filmin “Zgjoi” me skenar të Doruntina Bashës. Për shikuesit e ditës së parë, filmi është shfaqur në katër terminë të ndryshëm. Për shikuesit gjakovarë që e kanë parë atë, e kanë vlerësuar si një përballje me realitetin e së kaluarës nëpërmjet kinemasë.

Image

Në sallën me kapacitet prej 250 ulësesh, kinemaja premton për shikuesit një përvojë të re të artit të shtatë


“Jam i kënaqur që kinemaja është kthyer pas disa vjetësh. Filmi ishte shumë i mirë dhe janë të vërteta ato që trajtohen në film, jam i kënaqur me të film dhe me lojën e aktorëve”, ka thënë Kujtim Berisha, pasi që ka dalë nga kinemaja “Hyrije Hana”.

Kinemaja do të jetë e hapur për shikuesit çdo ditë të javës, duke shfaqur filma në deri shtatë terminë në ditë. Pjesë e programit të filmave që do të shfaqen janë edhe “James Bond: No Time to Die”, “Ghostbusters”, “House of Gucci”, “Eternals, Queenpins” e të tjerë.

Funksionalizim i kinemave nëpër qytete ka qenë çështje e trajtuar ndër vite, e veçmas prej pasluftës. Kosovës i mungon rrjeti i kinemave, përderisa me iniciativa organizatash e private, kinema të reja e të dikurshme, janë funksionalizuar në Prizren e Pejë. Në vitin 2016, rrjeti i njohur “Cineplexx”, i shtrirë edhe në Kosovë, me kinema në Prishtinë e pas tre vjetësh edhe në Prizren.