Kulturë

“Genesis 2.0” me pyetjet për njerëzimin hap kapitullin e filmit zviceran

Prishtinë, 8 maj – Shkencëtarë të rinj festojnë disa arritje në biologjinë sintetike, në modifikimin me gjene e qeliza, ndërkohë që në ishujt e ftohtë të Siberisë Veriore, të ashtuquajturit “gjuetarë të mamutëve” përballen me të ftohtin e sfidat për të nxjerrë nga nëntoka eshtrat e kësaj kafshe që jetoi mijëra vjet më parë. Kështu nis filmi “Genesis 2.0” i regjisorit zviceran, Christian Frei, i cili ka ardhur në Prishtinë edhe me filmin e tij “War Photographer” të nominuar për “Oscar”. Ka hapur aktivitetin “Neo Cinema_CH”, që sjell një pasqyrë të kinematografisë bashkëkohore zvicerane, përkrahur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.

“Genesis 2.0” trajton të panjohurën si aspekt që ia vlen të hulumtohet për shkak të mrekullive që sjell, mirëpo vë në pah edhe shqetësimin, si anë tjetër të pashmangshme të medaljes. Filmi është një observim i jetës së ashpër dhe të rrezikshme që bëjnë njerëzit në kërkim të eshtrave e brirëve me vlerë të çmuar e çmim të lartë të mamutëve. Gërmimi nëpër dheun që ruan e fsheh me mijëra vjet mbetjet e këtyre kafshëve gjigante bën shumë njerëz të pasur, mirëpo jo ata që i gjejnë. Gjuetarët paguhen vetëm disa qindra dollarë, ani pse kjo ekspeditë kërkimore mund t’u kushtojë me jetë. Çmimet e miliona dollarëve nga shitja e tyre i fitojnë tregtarët në pozitat e larta të zinxhirëve biznesorë.

“Genesis 2.0” u shfaq të hënën mbrëma në “Kino Armata” në Prishtinë, ku ishte i pranishëm edhe regjisori Frei. Ai pas përfundimit të filmit ishte i gatshëm t’u përgjigjej pyetjeve të të pranishmëve e të merrte kritika nga ta.

Pasditen e së martës në “Kino Armata”, Frei ka mbajtur një masterklasë me artdashësit e interesuar. Aty ka shpjeguar punimet e zhvillimet e filmave të tij dhe ka ndarë këshilla nga karriera e tij.

Në kuadër të “Neo Cinema – CH”, sonte në “Kino Armata” do të shfaqet filmi “Hotel Jugoslavija” i regjisorit Nicolas Wagnières. Më 9 maj, nga ora 14:00, në hapësirat e kësaj kinemaje do të mbahet masterklasë me këtë regjisor. Mbrëmjen e nesërme do të jepet filmi “Female Pleasure” nga Barbara Miller, për të vazhduar më 10 maj në ora 14:00 me masterklas nga regjisorja Isabel Meier. Të gjitha ngjarjet janë pa pagesë.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")