Kur kujtimet po veniteshin e transformoheshin, Dea Gjinovci do t’i përvishej punës. Erdhi në Kosovë, në Makermal të Skenderajt, fshati i babait të saj, Asllanit. Aty do ta gjente një “vendlindje” tjetër prej asaj që kishte krijuar në kokë dhe do ta ribënte atë për të ribërë edhe kujtimet e të atit, për fëmijërinë, ikjen nga Kosova, për luftën e për të zhdukurit, në mesin e të cilëve edhe gjyshja e saj. “Bukuria e gomarit” është titulli i dokumentarit, i cili do të shfaqet premierë botërore në Festivalin e Filmit në Zürich dhe është në garën zyrtare
“Bukuria e gomarit” është një film dokumentar për imagjinatën e zhdukur e të transformuar. Kësisoj e vlerëson Dea Gjinovci, e cila është regjisore e projektit, ndërsa për producent ka Ilir Hasanajn. Në film rikrijohet e kaluara: fëmijëria e babait të regjisores e të vërtetat e luftës. Rrëfimi shpaloset këtë muaj në Festivalin e Filmit në Zürich dhe është në garën zyrtare në kategorinë e filmave dokumentarë.
Për Dea Gjinovcin, ajo çfarë rrëfehet në film është më shumë sesa thjesht projekt kinematografik. “Bukuria…” ka qenë edhe një lloj vizite në rrënjët e saj. Ajo kthehet në fshatin Makermal të Skenderajt për të dytën herë në vitin 2022 për të gjurmuar kujtimet e babait të saj, Asllanit. Rrëfimet për fëmijërinë e tij i vizualizon në fshatin, të cilin e ka gjetur me imazh krejtësisht tjetër nga çfarë i ishte përshkruar. Edhe pse është zhvilluar, por edhe ngase lufta ka marrë me vete shumëçka, përfshirë njerëzit të cilët ishin pjesë e këtij rrëfimi.
Për të parën herë në jetë, Gjinovci e ka vizituar vendlindjen e babait të saj në vitin 2017. Ishte 23-vjeçare. Aty u rikthye pas pesë vjetësh për të nisur xhirimet e filmit. Skenarin për dokumentarin 90-minutësh e shkroi me të atin.
“Fillova të mendoj për ta bërë këtë film para katër vjetësh. Duke u rritur, pasi që në Kosovë kam qenë për të parën herë kur isha 23 vjeç, një gjë që dija për vendin ishin rrëfimet të cilat babai im m’i tregonte për fëmijërinë dhe për fshatin e tij, Makermal. Këto histori qëndruan në mua derisa u rrita. Kur shkova për të parën herë në Kosovë dhe vizitova fshatin, kuptova se të gjitha vendet që kishim biseduar, ishin zhdukur dhe shumë prej njerëzve me të cilët ishte rritur, kishin ikur”, është shprehur Gjinovci në një bisedë për KOHËN.

Projektin e saj kinematografik e ka konsideruar si “një film për imagjinatën e së kaluarës që është zhdukur dhe transformuar”.
“Ky film është bërë me njerëzit që jetojnë atje. Ideja ishte të punonim me fëmijët në mënyrë që të mund të rikrijojmë rrëfimet dhe nëpërmjet kësaj gjithashtu të zbulojmë se kush ishte gjyshja ime me të cilën nuk jam takuar asnjëherë, sepse ajo vdiq në luftë dhe se çfarë ndodhi me të gjatë luftës”, ka thënë ajo më tej.
Rrëfimin e filmit do ta dëgjojë për të parën herë publiku në Festivalin e Filmit në Zürich. “Bukuria...” (La Beauté de l’Âne) ka premierën botërore më 26 shtator në qytetin më të madh të Zvicrës. Pasohet nga tri repriza, më 27 shtator e 1 dhe 4 tetor.
Regjisorja Gjinovci është shprehur e lumtur që premiera botërore është në Zvicër dhe atë në një festival filmi të njohur ndërkombëtarisht.
“Kemi pasur shumë mbështetje nga ky vend dhe konsideroj se është vend i përshtatshëm për premierë. Jam shumë e lumtur që filmi është në kategorinë garuese për filma dokumentarë, sepse janë 12 filma në garë dhe vetëm dy prej tyre janë filma zviceranë”, është shprehur regjisorja e producentja e rritur në Zvicër.
E, producenti Ilir Hasanaj ka thënë se filmi është rikrijim e rijetësim i kujtimeve të Asllan Gjinovcit, i cili në vitet ’60 largohet nga Kosova për të jetuar në Zvicër. Filmi flet edhe për një pjese të dhimbshme të luftës së Kosovës, për temën e të pagjeturve, listë në të cilën bën pjesë edhe nëna e protagonistit të filmit, “Bukuria e gomarit”.
“Gjatë asaj kohe që nuk e ka pasur mundësinë ta shohë fshatin e tij Makërmal dhe nuk i është mundësuar të kthehet deri pas lufte, ato skena në kujtesën e tij i kemi rikrijuar në fshatin e tij. Një pjesë shumë e madhe është për personat e pagjetur, pra nëna e Asllanit është e pagjetur prej kohës së luftës”, ka thënë Hasanaj, regjisor e producent.
Siç ka thënë, “filmi shtjellohet midis këtyre të dyjave: në njërën anë kërkojnë përgjigje për atë se çfarë ka ndodhur me gjyshen e Deas dhe për ta parë se si është zhvilluar fshati, si ka ndryshuar dhe çfarë ka marrë lufta me vete”.
Më tej ka treguar se banorët e fshatit Makërmal luajnë në film dhe i rikrijojnë momentet e kujtimet e dikurshme.
Filmi është në kategorinë “Documentary Competition” në edicionin e 21-të të festivalit. Bashkë me të garojnë edhe filmat: “In search of stolen time” nga Konrad Wakolbinger, “Fighter” nga Sunniva Sundby dhe Mari Bakke Riise, “How Deep is your Love” nga Eleanor Mortimer, “I love you, I leave you” nga Moris Freiburghaus, “Kabul, Between Prayers” nga Aboozar Amini, “Life After Siham” nga Namir Abdel Messeeh, “Whispers in the Woods” nga Vincent Munier, “Seeds” nga Brittany Shyne, “Singing Wings” nga Hemen Khaledi. Gjithashtu në garë për filmin më të mirë dokumentar të Festivalit janë edhe filma, si: “The Dating Game” nga Violet Du Feng, “The Golden Spurtle” nga Constantine Costi, “The Ground Beneath Our Feet” nga Yrsa Roca Fannberg dhe filmi “Unanimal” nga Sally Jacobson dhe Tuva Björk.

Më i rëndësishëm se çmimi, për Gjinovcin është prezantimi i kësaj historie në ekranin e festivalit dhe në të tjerë pas atij në qytetin zviceran.
“Shpresoj se marrim një çmim, por e rëndësishme për mua është që filluam rrugëtimin nëpër festivale. Më pas do të marrim pjesë edhe nëpër festivale të tjera në të cilat jemi përzgjedhur, si në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Chichago në tetor dhe pastaj në disa festivale të tjera, pjesëmarrja në të cilat është ende konfidenciale”, është shprehur ajo.
Edhe producenti i filmit, Ilir Hasanaj, është shprehur se audienca e gjerë e festivalit është e rëndësishme për tregimin e filmit.
“Normalisht se duam të fitojmë, e kemi bërë maksimumin që kemi mundur me ato mjete që kemi pasur. A fitojmë apo jo, është çështje e jurisë, por kryesisht me rëndësi është që filmi shihet dhe i jepet kjo mundësi, sepse Festivali i Filmit në Zürich sjell yje botërore të filmave, ka shumë vizitorë. Kjo na gëzon, që këtij dokumentari, që ndoshta është pak më alternativ, i mundësohet kjo audiencë e gjerë”, ka thënë ai.
Edicioni i 21-të i festivalit nis më 25 shtator dhe mbyllet më 5 tetor. Mbahet çdo vit, duke sjellë rreth njëqind filma që përfshijnë premiera botërore e evropiane.
“Për njëmbëdhjetë ditë, publiku ka mundësinë unike të shohë nga afër yje të mëdhenj të kinemasë së sotme dhe të së nesërmes. Është një moment i veçantë, meqenëse festivali zhvillohet në vjeshtë, mund të shihni filmat që do të fitojnë çmimet ‘Oscar’ gjashtë muaj më vonë”, shkruhet në prezantimin e shkurtër të Festivalit.
Filmi është prodhim i përbashkët i “Astrae Productions” (Zvicër), “Unseen Films” (Kosovë), “Haut et Court Doc” (Francë) dhe “Facet” (ShBA), i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Zëvendësdrejtoresha e festivalit, Reta Guetg, e ka konsideruar filmin si “një rrëfim lirik për pajtimin dhe paaftësinë për të harruar ndër breza shfaqet midis kujtesës dhe shkatërrimit”. Ka shkruar se poezia e dhimbshme e dokumentarit e ka prekur thellë.
E sipas përmbledhjes së shkurtër, filmi përshkruhet si meditim prekës mbi brishtësinë e kujtesës.
“Pasi babai i saj, Asllani, ka jetuar në mërgim për gjashtëdhjetë vjet, Dea kthehet me të në Makermal. Ky fshat kosovar që dikur ishte shtëpia e tij u shkatërrua në luftë, duke lënë vetëm historitë e të mbijetuarve. Së bashku me fshatarët e mbetur, regjisorja zvicerano-kosovare Dea Gjinovci dhe babai i saj nisin kërkimin e gjurmëve të së kaluarës dhe përballen me plagët kolektive të komunitetit”, shkruhet aty.
“Bukuria e gomarit” synon që rrëfimin në Kosovë ta sjellë nëpërmjet ekranit të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në edicionin e ardhshëm. Po në atë, ku në vitin 2017 filmi i saj debutues “Sans le Kosovo” u zgjodh Filmi më i Mirë Kombëtar.