Është art krejt i veçantë që autori i veprës “garden GOround”, Brane Zorman, i është referuar si ecje auditive. Marrëdhëniet problematike mes njerëzve dhe bimëve e sidomos sjellja ndaj këtyre të fundit është elementi thelbësor i veprës. Arsyeja e manifestimit të kësaj ecjeje është ndërgjegjësimi për ruajtjen e tyre. Pas Sllovenisë, Francës e Greqisë, mesazhi i veprës ka mbërritur edhe në Prishtinë në festivalin “HAPU” për të reflektuar mbi natyrën, por edhe duke baraspeshuar hapësirën reale me atë imagjinare nëpërmjet efekteve të zërit.
Kufjet janë esenciale në veprën “garden GOround” me zërim të Brane Zorman dhe tekst të Irena Pivka nga Sllovenia. Krijohen efektet e një gjysmërrugëtimi në një botë imagjinare. Nisur nga sheshi “Nëna Terezë” në kryeqytet, duke kaluar nëpër ato që njihen si “kafetë e rakisë”, më tej te rruga “Agim Ramadani” e deri në “Parkun e Qytetit”, ato pjesë të frekuentuara shpesh, kësaj radhe kanë qenë më të veçanta se zakonisht. Sidomos në këtë hapësirën e fundit ka pasur më shumë elemente si cicërimat e zogjve e loja e fëmijëve.
Grupi prej gjashtë vetash ka shëtitur nëpër krejt shtegun e “Parkut të Qytetit” për ta përjetuar edhe më shumë veprën.
Kompozitori i audios, Brane Zorman, ka treguar se vepra ishte punuar pesë vjet më parë. Ai ka thënë se ajo flet se si njerëzit manipulojnë me natyrën dhe gjithçka në të. Në të njëjtën kohë janë edhe pasojat e reagimet e natyrës se me çfarë katastrofash do të mund të përballej bota pa ato.
“Historia është për një grua që flet dhe e tregon storien e saj të të qenit në natyrë, në male, e simpatizuar me bimët, me kafshët, vijon zëri i hapave. Krejt procesi është një zë i hapave teksa dëgjon pjesët e narracionit, që e ka shkruar kolegia ime Irena Pivka. Është një kompozim të cilin e kam krijuar unë dhe vjen në formën e një kompozimi radiodrame do të thosha. Duhet të zhvillohet jashtë. Duhet të ecësh në natyrë në mënyrë që të absorbosh natyrën, kafshët, atë që të rrethon. Nga qyteti shkon në park”, ka treguar Zorman për KOHËN.
Vepra ishte dashur të përshtatej për t’u zhvilluar në Prishtinë pasi parashihej ecja edhe afër një lumi.
“Në këtë qytet nuk patëm një vend me ujë, si një lloj lumi. Ka qenë e prezantuar në Strasburg dhe në Lubjanë, kështu që e bëmë atë gjë sipas veprës. Nga qyteti shkuam në park dhe ecëm atje, sepse është një park i madh, me të vërtetë u kënaqëm. Pastaj u kthyem prapë në qytet”, ka thënë Brane Zorman.
Ngjarja është realizuar në kuadër të projektit “Vital”, që një ndër partnerët ndërkombëtarë të saj është edhe teatri “Oda”. Jashtë programit të sivjetmë të festivalit “HAPU”, drejtori Florent Mehmeti ka thënë se vepra ka të bëjë me vitalitetin e natyrës. Vepra përbëhet prej katër pjesëve, dy prej të cilave janë prezantuar në Prishtinë, njëra të shtunën, tjetra të dielën.
“Temë e kësaj pune është raporti që kemi me bimët, roli i tyre në jetën tonë dhe mënyra apo etika e sjelljes sonë me bimët dhe shfrytëzimi ynë ndaj bimëve. Është e ndërtuar në mënyrë artistike me komponime të zërit dhe të muzikës, duke përfshirë edhe zërat e momentit në pjesë urbane dhe zërave që dëgjohen në ‘Parkun e Qytetit’”, ka thënë Mehmeti, i cili ka treguar se fillimisht vepra ishte e kompozuar për ecje në një park në Slloveni.
“Për këtë arsye është dashur të adaptohet për t’u përshtatur. Prej këtu do të shfaqet edhe në Strasburg të Francës e në Greqi”, ka treguar Florent Mehmeti.
“garden GOround” vjen edhe si skenar për të ardhmen e botës së florës. “Nëpërmjet prizmit të udhëtimeve të këtyre dy përkohshmërive krejtësisht të ndryshme të njerëzve dhe bimëve. Duke mos ofruar asnjë pikë të mundshme takimi, ai spekulon mbi zhvillimin e një bashkëjetese të ardhshme, të bazuar në solidaritet të njerëzve dhe bimëve. Bimët, speciet më të populluara në planet, jetojnë me ritmin e tyre në kohën e tyre, duke ecur në shtigjet që nuk mund t'u qasemi”, shkruhet për veprën.
Publiku përjeton tingullin përmes kufjeve të posaçme për këtë ecje auditive, si mjet për të eksploruar më tej peizazhin nëpërmjet audios. Sjell paqen në një formë mes zhurmës së qytetit dhe e avancon në një formë përjetimin e qetësisë në park.
Ecja auditive “garden GOround” është realizuar në kuadër të projektit slloven “Vital”, ku pos teatrit “Oda”, anëtarë janë edhe disa organizata ndërkombëtare, si “Apollonia” nga Strasburgu i Francës, “Cona Institute” Lublana e Sllovenisë dhe “Out of the Box” nga Athina e Greqisë.
Në përshkrimin e projektit tregohet se synon të krijojë një ekosistem artistik inovativ, që respekton mjedisin dhe kontribuon në luftës kundër ngrohjes globale dhe ndotjes atmosferike. “Në metodën e punës së ‘Vital’ qytetarët luajnë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe marrin pjesë në të gjitha fazat e procesit artistik, sikur dizajnimi, prodhimi, operimi dhe përjetësimi, tërësisht i bazuar në parimet e bashkëprodhimit. Përveç ndërgjegjësimit të artistëve dhe publikut të synuar e atij të gjerë, synimi ynë është të krijojmë një dinamikë evropiane dhe një rrjet për prodhimin dhe promovimin e veprave miqësore me mjedisin në hapësirën publike, me përfshirjen e autoriteteve lokale”, shkruhet për programin e “Vital”.
Më kuadër të aktiviteteve të “HAPU” ishte mbajtur edhe audioinstalacioni “MOSS” i artistit britanik Mark Barrott, i krijuar prej myshku, që ndërvepronte duke marrë të dhëna nga cilësia e ajrit.