Është art krejt i veçantë ajo që autori i veprës “garden GOround”, slloveni Brane Zorman, i është referuar si ecje auditive. Marrëdhëniet problematike mes njerëzve dhe bimëve e sidomos sjellja ndaj këtyre të fundit është elementi themelor i veprës.
Pas Sllovenisë, Francës e Greqisë, mesazhi i veprës ka mbërritur edhe në Prishtinë në festivalin “HAPU” për të reflektuar mbi natyrën, por edhe duke baraspeshuar hapësirën reale me atë imagjinare nëpërmjet efekteve të zërit.
Kufjet janë esenciale në veprën “garden GOround” me zërim të Brane Zorman dhe tekst të Irena Pivka-s nga Sllovenia. Krijohen efektet e një gjysmërrugëtimi në një botë imagjinare.
Nisur nga sheshi “Nëna Terezë” në kryeqytet, duke kaluar nëpër ato që quhen “kafet e rakisë”, më tej te rruga “Agim Ramadani” e deri në Parkun e qytetit, ajo pjesë e frekuentuar shpesh ka qenë më e veçantë se zakonisht.
Ka qenë përjetim interesant, ngase dëgjohen pjesë narrative dhe në të njëjtën kohë edhe krejt zhvillimet në ambientin në të cilin kalon. Si një lloj realiteti i përgjysmuar.
Kompozitori i audios, Brane Zorman, ka treguar se vepra ishte punuar pesë vjet më parë. Ai ka thënë se vepra flet sesi njerëzit manipulojnë me natyrën dhe me gjithçka në të.
“Historia është për një grua që flet dhe e tregon storien e saj të të qenit në natyrë, në male, e pasionuar pas bimëve dhe kafshëve, vijon zëri i hapave. Krejt procesi është një zë i hapave teksa dëgjon pjesët, narracionin e të cilit e ka shkruar kolegia ime Irena Pivka. Është një kompozim të cilin e kam krijuar unë dhe vjen në formën e një kompozimi radiodramë, do të thosha. Duhet të zhvillohet jashtë. Duhet të ecësh në natyrë, në mënyrë që të absorbosh natyrën, kafshët, atë që të rrethon. Nga qyteti shkon në park”.
Ngjarja është realizuar në kuadër të projektit “Vital”, që një ndër partnerët ndërkombëtarë të saj është edhe teatri “Oda”. Jashtë programit të sivjetmë të festivalit “HAPU”, drejtori Florent Mehmeti ka thënë se vepra ka të bëjë me vitalitetin e natyrës.
“Temë e kësaj pune është raporti që kemi me bimët, roli i tyre në jetën tonë dhe mënyra apo etika e sjelljes tonë me bimët dhe shfrytëzimi ynë ndaj bimëve. Është e ndërtuar në mënyrë artistike me komponime të zërit dhe të muzikës, duke përfshirë edhe zërat e momentit në pjesë urbane dhe zërave që dëgjohen në Parkun e Qytetit”.
Publiku përjeton tingullin përmes kufjeve të posaçme për këtë ecje auditive si mjet për të eksploruar më tej peizazhin nëpërmjet audios. Sjell paqen në një formë mes zhurmës së qytetit dhe e avancon në një formë përjetimin e qetësisë në park.
Në kuadër të aktiviteteve të “HAPU” ishte mbajtur edhe audio-instalacioni "MOSS" i artistit britanik Mark Barrott i krijuar prej myshku, që ndërvepronte duke marrë të dhëna nga cilësia e ajrit.