Kulturë

Galeria Kombëtare tkurr programin drejt zhvendosjes në “Galerinë e Vogël”

Galeria

Vepra “Vizionet” e vitit 1973 me autor Budim Berishën, pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës

Bazuar në programin e bërë publik të hënën, GKK-ja gjatë këtij viti do të ketë ekspozita që inkuadrojnë disiplina të ndryshme artistike, bashkëbisedime midis artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Sipas njoftimit, programi do të pasurohet me projekte hulumtuese dhe edukative, duke synuar përfshirjen e një publiku më të gjerë, meqë Galeria Kombëtare e Kosovës do të hyjë në proces renovimi. “Aktivitetet do të zhvillohen në Galerinë e Vogël (ish-Galeria e Ministrisë së Kulturës), tashmë pjesë përbërëse e GKK-së”, shkruhet në komunikatë

Galeria Kombëtare e Kosovës sivjet do të ndërrojë hapësirat shkaku i renovimit. Kjo çështje ka ndikuar edhe në hartimin e miratimin e programit vjetor të institucionit më të lartë të artit pamor në vend. Bazuar në programin e bërë publik të hënën, GKK-ja gjatë këtij viti do të ketë ekspozita që inkuadrojnë disiplina të ndryshme artistike, bashkëbisedime midis artistëve vendor dhe ndërkombëtar.

Sipas njoftimit, programi do të pasurohet me projekte hulumtuese dhe edukative, duke synuar përfshirjen e një publiku më të gjerë, meqë Galeria Kombëtare e Kosovës do të hyjë në proces renovimi.

“Aktivitetet do të zhvillohen në Galerinë e Vogël (ish-Galeria e Ministrisë së Kulturës), tashmë pjesë përbërëse e GKK-së”, shkruhet në komunikatë. Aty bëhet e ditur se programi do të përfshijë ekspozitën personal të fotografit Blerim Rracaj, projekt i bartur nga Galeria e Ministrisë së Kulturës.

“Puna e tij përdor fjalorë të fotografisë dokumentare të kontekstualizuar si strukturë antropologjike e mishëruar në përkatësinë e tij kulturore zakonisht i fokusuar në portreturë dhe pamje urbane si tregues semiotik të identitetit shoqëror”, shkruhet në komunikatë. Bëhet e ditur se po ashtu do të organizohet ekspozita e artistit Valdrin Thaqi me titull “Asgjë e re nën diell”, kuruar nga Domenico de Chirico.

“Puna e tij e përbërë kryesisht nga mediumi i pikturës hulumton ciklet e qëndrueshme të përvojës njerëzore, ku kujtesa, dëshira dhe brishtësia kryqëzohen në momente kalimtare dhe të përjetshme”, shkruhet në komunikatë. Gjatë këtij viti artisti i ri Kemil Bekteši do të prezantohet me një seri instalacionesh të titulluara “Ngadalë dhe i Pandalshëm” ku inspirimin e tij e merr nga puna e babait si bukëpjekës.

“Duke marrë tharmin si pikënisje, ai reflekton mbi kushtet e punës së Kosovarëve në perëndim. Ndër të tjera, do të prezantohet një ekspozitë nga koleksioni i GKK-së, duke sjellë për publikun narrativa kuratoriale që nxjerrin në pah historitë e koleksionit nga një perspektivë e re”, qartësohet në komunikatë. GKK-ja bën të ditur se pas shumë vjetësh, rikthehet ekspozita “Artistët e Rinj”, e cila mbështet artistët në hulumtim dhe komisionim të veprave të reja.

“Artistët pjesëmarrës do të përzgjidhen me anë të një thirrjeje të hapur që do të shpallet në muajt në vijim; një nga pjesëmarrësit do të mbështetet tutje përmes një rezidence artistike”, shkruhet në komunikatë. Tregohet se përveç këtyre, këtë vit do të filloj faza përgatitore për ekspozitën e parë retrospektive të artistit eminent Xhevdet Xhafa në GKK, i njohur për ndikim të thellë në jetën kulturore e artistike të Kosovës.

“Po ashtu në fazë përgatitore do të jetë edhe ekspozita personale e artistes Doruntina Kastrati e kuruar nga Natasa Petersin-Bachelez, e cila në vitin 2024 e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut dhe u nderua me ‘Mirënjohje të Veçant’, shkruhet në komunikatë. Bienalja “Muslim Mulliqi” njoftohet të jetë do të jetë gjithashtu në fazën hulumtuese nga kuratorët rreth konceptit kuratorial që ekspozita do të përmbajë.

“Të gjitha këto janë të planifikuara të realizohen gjatë pjesës së dytë të vitit 2026, pas renovimit të GKK. Gjatë këtij viti, programi do të ketë fokus primar projektet edukative, përmes hulumtimeve, botimeve dhe diskutimeve”, qartëson GKK-ja nëpërmjet njoftimit.

 Hulumtimi “E kaluara, e tashmja dhe e pas-ardhmja: Bashkëbisedim për teorinë e artit kosovar” nga filozofi Labinot Kelmendi dhe studentët e tij, sipas GKK-së do të ravijëzojë në formë të bashkëbisedimit teorik, hulumtues një trajektore të gjerë të zhvillimit të artit në kontekstin kosovar, duke u bazuar në koleksionin e GKK-së dhe më gjerë.

“Era Qena me hulumtimin ‘Karikatura si formë rebelimi’ synon të gjejë kufijtë e fshehur me të cilat kanë operuar subkulturat në Kosovë. Ky hulumtim do t’i vënë pah karikaturisët kryesorë të cilët punuan për gazeta e revista, dhe që e përdorën karikaturën si formë arti për të krijuar rezistencë”, shkruhet në komunikatë. Më tej tregohet se Dardan Luta me “Gjurmimi i Matej Rodiqit” do të hulumtoj më shumë për jetën dhe veprën e artistit Matej Rodiqi. GKK-ja është vënë edhe në përkrahje të projektit “Archiving Transitions” të “Fondacionit 17” i cili synon të shqyrtojë ndikimin që ka pasur çmimi “Artistët e së Nesërmes”  në jetën artistike e kulturore në vend, prodhimin e artit bashkëkohor, formësimin e skenës artistike, dhe në frymëzimin dhe zhvillimin e brezave të rinj të artistëve. GKK-ja ka angazhuar edhe historianen e artit Drita Kabashi për hulumtimet dhe publikimet mbi arkivin e GKK-së si vazhdimësi e suksesit të nismës ekzistuese të shkrimeve “Nga Arkivat e Galerisë”.

“Këto shkrime pasqyrojnë përkushtimin e Galerisë Kombëtare për të ofruar analiza dhe kritika mbi skenën artistike të Kosovës dhe historitë e ekspozitave. GKK do të vazhdojë punën e digjitalizimit të plotë të arkivave, duke i bërë këto materiale të qasshme për studime, historianë dhe artistë ndër të tjerë”, shkruhet në komunikatë ku tregohet se programi është përzgjedhur nga Këshilli Drejtues i GKK-së i kryesuar nga Renea Behluli, dhe i përbërë nga anëtarët Linda Gusia, Agron Blakçori, Somer Şpat, Guri Çavdarbasha dhe Bariu Zenelaj.

Institucioni pret që sivjet të nisë restaurimi i plotë i ndërtesës.

Në fillim të këtij viti, KOHA ka raportuar se planet e Ministrisë së Kulturës për renovimet e restaurimet e ndërtesave kulturore kanë mospërputhje midis çmimeve, me të cilat tenderohen dhe planeve që i ka bërë vetë ky institucion në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për këtë vit.

Mospërputhjet janë të vërejtshme në shumë projekte. Përderisa janë veç 500 mijë euro të parapara për këtë vit për kinematë e Prishtinës, Pejës e Prizrenit, Ministria e Kulturës synon që ta kalojë disa herë këtë shumë veç në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren.  Për këtë projekt është në procedurë të prokurimit, e për “Jusuf Gërvallën” në Pejë pritet të nisë procesi. Te renovimi i Galerisë Kombëtare të Kosovës situata është e njëjtë.

Nëpërmjet thirrjes së hapur, Ministria e Kulturës ka kërkuar kompani për të kryer punët që me tender titullohen “Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe të inxhinierisë për renovimin e ‘Galerisë Kombëtare të Kosovës’ në Prishtinë dhe Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe të inxhinierisë për rivitalizimin e kinemasë ‘Lumbardhi’ në Prizren”. Vlera e parashikuar për këto ndërhyrje është fiks 2.7 milionë euro.

Por me Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti si projekt kapital figuron “Renovimi i Galerisë Kombëtare” me 500 mijë euro. Kurse nga 700 mijë janë paraparë për dy vjetët pasuese.

Ministria e Kulturës nuk ka ofruar sqarime se si do të mbulohen shpenzimet e parapara, të cilat nuk korrespondojnë me planifikimet e bëra sa i përket buxhetit.

Galeria Kombëtare e Kosovës e themeluar më 1979 prej vitit 1999 funksionon në ndërtesën ku institucioni gjendet aktualisht. Prej kohësh, zyrtarët e këtij institucioni kanë pasur kërkesa për ndërhyrje sidomos sa u përket hapësirave ku mbahen veprat e koleksionit të përhershëm të institucionit.