Kulturë

“Frigoriferi” në tentativën e zbërthimit të pangopësisë

Është një monolog vetëreflektimi përmes lojës së aktorit Çlirim Shabani, tekstit të Naser Shatrollit, ku frigoriferi bëhet simbol i pangopësisë së mendjes njerëzore. Vendi – në hollin e hotelit “Grand” pikërisht aty ku ditë më parë janë ekspozuar vepra piktorësh nga vendi e rajoni – nuk është zgjedhur rastësisht. Është një përpjektë për të bashkëdyzuar bashkëjetesën e të dy mediumeve artistike.

Në mes të shumë pikturave ca të mbaruara e në pritje për t’u tharë, e të tjera duke pushuar në pritje të ndërhyrjeve të tjera nga artistët, aktori qëndron në skenë krahas pikturave me një kitarë në dorë sikur synon që me forcë të gjejë prehje në pikturë e muzikë, i gatshëm për të filluar me “Frigoriferin”, regjinë e së cilës e ka bërë po ashtu Shatrolli. Premiera ka ardhur të mërkurën mbrëma. Nis me disa vargje të këngës “Wish you were here” nga “Pink Floyd”, e cila vë theksin në shkëputjen që bën njeriu nga bota përreth tij. Trajton njëfarë paaftësie mendore, madje gati një refuzim për t’u ndeshur me realitetin, natyrisht jo rastësisht, qe një hyrje e denjë për një diskutim që do të bënte aktori me ndërgjegjen e tij si tentim për ta shpëlarë atë nga papastërtitë e botës.

“Nuk krijoj dot raporte normale... jam pak cinik, siç janë cinike vetë rrethanat”, thotë ai duke tentuar të shpjegojë raportin e tij kompleks me hapësirën ku jeton. Jepet përshtypja se ky reflektim po ndodh vetëm në kokën e tij në mënyrë të nënzëshme, por audienca ka qasje në brendinë e tij dhe e dëgjon atë se çfarë i prodhon mendja. Në një moment fillon e ironizon me blegërimat e qengjit teksa ua thotë edhe vargjeve të “Qengjit të vogël”. Heshtjen hijerëndë e thyejnë sërish akordet e kitarës, këtë radhë me “Another brick in the wall”, një perlë e rockut progresiv që mes vargjeve simbolizon shtypjen dhe luftën kundër konformitetit teksa mbron lirinë individuale e mendimin kritik, njëjtë siç mëton “Frigoriferi”.

Gjatë tërë performancës duart e aktorit dhurojnë një shfaqje më vete, sikur po luftojnë me njëra-tjetrën. Një shfaqje e vërtetë diskomforti që personazhi po ndiente brenda vetes, por pajtim gjenin me t’u takuar te kitara, aty ku veprojnë natyrshëm. Gjersa silueta e aktorit përshkon hiret e një pikture që portretizon një dem të tërbuar, ai sikur i shtonte tension atmosferës me vargje të ashpra reale si “...nuk është lehtë të krijohet identitet i pastër në papastërti, sidomos në një vend të pangopur ku pangopësia bëhet normë”. Aty diku mes rreshtave autori i tekstit prek dhe problematikat aktuale të shoqërisë, por duke mos anashkaluar as spektrin global, aty ai përmend femicidin e luftërat për territor krejt si përgjigje për pangopësinë.

Përpjekjet regjisoriale fshihen pas investimit kryesor që regjisori e kanalizon vetëdijshëm te aktori dhe mënyra se si ai arrin t’i qaset tekstit dhe se si do ta artikulojë mendimin. Por kjo punë del të ketë qenë sfiduese për regjisorin

“Kjo është një dramë në të cilën e kam sfiduar shumë veten, që me pak faqe tekst të arrij të trajtoj një temë të madhe. Ai frigoriferi që ne e kemi në shtëpi dhe e përdorim për ta ngopur stomakun, kam dashur që përmes realitetit aktual në vend e botë ta shtyj idenë që frigoriferi si mekanizëm të mos përdoret vetëm për ngopje të barkut”, ka thënë Shatrolli teksa ka vlerësuar aktorin e ri për guximin, muzikalitetin dhe diksionin e tij, detaje këto të cilat premtojnë shumë në zhvillimin e tij artistik në të ardhmen, larg glamurit e elementeve komerciale.

“Do ta betonoja pangopësinë, në fakt betonimi është fjalë e rëndë në kohë Krishtlindjesh... frigoriferi do të ishte adapt për ngrirjen e pangopësisë... Është koha e frigoriferit, ku për dikë lumturia do të mbetet mish i ngrirë, për dikë mish i bluar e për dikë qofte e fabrikuar”, qenë vargjet drejt fundit të cilat ia hapën udhën përfundimit të performancës me një gjest gjithashtu artistik. “Frigoriferi” jo rrallë rrëshqet në patetizëm e në klishe.

Në fund aktori kthen kitarën nga shpina dhe aty ishte ngjitur një vizatim i thjeshtë i bërë nga një fëmijë si një homazh i disa vargjeve të tjera gjatë monologut.

“Lumturia është birë e madhe njerëz, lumturinë e shikoj si fletoren me vija të ngushta ku shprehen ndjenjat fëmijërore qoftë dhe me gabime sintaksore”, shkruhet aty.

Çlirim Shabani, student i vitit të katërt në Degën e Aktrimit, ka thënë se është i lumtur për bashkëpunimin me Shatrollin. “Ai zhvillon një teatër që më përshtatet mua shumë, sepse ai është hiperealist dhe ka minimalisht elemente të aktrimit, siç jemi mësuar me i pa rëndom”, ka thënë Shabani.

Regjisori Ekrem Kryeziu ka qenë njëri prej pjesëtarëve në publik.

“Kjo ishte një ecje nëpër terr, e vështirë për t’u bërë, por ata që ecin në terr dikur do ta shohin dritën”, ka thënë ai duke e vlerësuar talentin e aktorit të ri dhe duke e inkurajuar për të ardhmen.