Kulturë

“Fragments of Utopia” si rrugë drejt ndryshimit nëpërmjet artit

Me temën “Fragments of Utopia” ka nisur edicioni i tetë i “Mural Fest Kosova” në Ferizaj. Me plot ngjyra e forma, konceptet e artistëve nga Kosova e vende tjera të botës, në këtë edicion synohet të paraqitet një utopi, mbase e paarritshme. Por, në murale e prekshme. Të shpërndara anekënd këtij qyteti shërbejnë si një fije shprese që të shtyn drejt reflektimit për një jetë më të mirë.

Është pikërisht ajo nëpër çka ka kaluar thuajse çdonjëri qytetar i Kosovës që u kthye në inspirim për temën e edicionit të sivjetmë. Andaj, secili domen i jetës kthehet në një fragment utopik nëpërmjet artit. Tërë qyteti i Ferizajt ka filluar të shndërrohet në një ekspozitë të hapur, veprat e së cilës mbartin me vete shumë histori. Momente sfidash e copëza krenarie, krejt të formësuara në art, i cili tashmë e karakterizon këtë qytet.

Drejtoresha e Festivalit, Lebibe Topalli, e ka theksuar se tema e këtij viti është caktuar gjatë edicionit të kaluar. Vendosja e një teme a slogani nën të cilin realizohet Festivali është një pjesë jo fort e lehtë e procesit. Ky vit shënon 150-vjetorin e Ferizajt si qytet. Topalli ka thënë se kjo është ishte një arsye më shumë për “Fragments of Utopia”.

“Pra, jemi në edicionin e 8-të, ‘Fragments of Utopia’, një temë pak më ndryshe përderisa kemi trajtuar tema të ndryshme, e kemi trajtuar edhe temën ‘Home’ ku trajtohet realiteti i hidhur që e kemi kaluar ne si popull. Kësaj here kemi dashur gjithashtu me paraqitë diçka më utopike, më të mrekullueshme dhe diçka që dëshirojmë. Sidomos ta shohim vendin tonë, sepse këtë vit shënon edhe 150-vjetorin e qytetit të Ferizajt edhe kemi dashtë të paraqesim diçka më utopike”, ka thënë Topalli.

Prapa realizimit të Festivalit të muraleve është një numër i madh vullnetarësh. Të rinj e të reja artistë, secili në detyrën e vet përgjatë tërë edicionit punojnë që çdo gjë të shkojë si ishte planifikuar që në përfundim të atij paraprak.

Topalli ka thënë se kjo e bën të ndihet e lumtur dhe se Ferizaj tashmë është bërë qendër artistike. E ka përmendur edhe muralin e parë në Ferizaj të punuar nga Shukri Krasniqi në vitin 1961, i cili shpejt u kthye në simbol të qytetit.

“Unë ndihem shumë mirë dhe krenare edhe me ekipin tim, sepse jam shumë e sigurt që jemi duke i arritur qëllimet tona që i kemi pasur që në fillim edhe tashmë viteve të fundit veçse po e kuptojnë edhe të tjerët, edhe Ferizaj është bërë një qendër etiketimi sa i përket anës artistike, në këtë rast muraleve. Qëllimi ynë gjithmonë ka qenë që qytetin tonë gjithmonë ta vazhdojmë me murale, sepse dihet që murali i parë këtu ka qenë simboli i qytetit qysh moti”, ka thënë Topalli.

Përpos muraleve, këtë edicion vijnë edhe forma tjera të artit si instalacione, video e fotografi. Krejt kjo me konceptin e kuratorit Doug Gillen për të cilin Topalli ka thënë se e bën edhe më të veçantë Festivalin.

Për kuratorin e edicionit të sivjetmë kjo nuk është hera e parë që merr pjesë ne Festival. Ai ka thënë se secila vizitë në Kosovë, veçanërisht në qytetin e Ferizajt është ndryshe nga të tjerat. Kjo e bën që të kthehet sa herë që ka mundësi.

“Kur erdha në Kosovë për të parën herë ishte një përvojë e mrekullueshme. Kjo ishte një pjesë e botës të cilën kurrë nuk kisha menduar se do ta vizitoja. Të vija këtu nëpërmjet artit ishte me të vërtetë një mundësi që ta përjetoj në mënyrë unike. Kur u ftova sërish për të katërtën herë u kthye në nder e privilegj dhe po vazhdoj të vij, sepse secila herë është përvojë në vete”, ka thënë Gillen.

Muralet që do të realizohen për tetë ditë, aq sa zgjat festivali që ka nisur të premten, Gillen ka thënë se shpreson se do të shërbejnë si një pasqyrë ku reflektohen mendimet ndryshe dhe për një të ardhme më të mirë.

“Ideja ‘Fragments of Utopia’ erdhi, sepse një pjesë shumë e madhe e artit këtu është e rëndë sa u përket temave, subjekteve. Përjetimet e luftës, ushtarë e armë dhe e kuptoj këtë si dikush që vjen nga jashtë. Për mua utopia ishte perfekt, sepse këto janë vepra arti që do të shërbejnë si një ftesë, si një vend reflektimi dhe kjo jo duke e konsideruar të kaluarën, por duke parë drejt së ardhmes. Ideja e së ardhmes që mund ta ndërtojmë dhe se si ajo mund të duket”, ka thënë Gillen.

Përpos artistëve vendas, edhe të tjerë nga vende të ndryshme të botës kanë ardhur për të lënë shenjat e tyre nëpër muret e Ferizajt. Për artisten nga Anglia, Lucy McLauchlan, është hera e parë në Kosovë. Në një kënd të qytetit, pranë një rruge me shumë ngarkesë zë vend murali i saj monokromatik, gati i përfunduar i cili mban ngjyra e forma të theksuara që reflektojnë qetësi dhe një përshkrim se si autorja i sheh qytetarët e Kosovës.

“Këtu është shumë më mirë se që e kam pritur. Secili është shumë i dashur dhe i gatshëm për të ndihmuar. Kam dëshiruar që të sjell diçka më ndryshe. Çdoherë pikturoj nga intuita duke parë përreth dhe si është shoqëria e atij vendi ku shkoj. Para se të vija këtu kam dëgjuar se kosovarët janë shumë të fortë dhe prandaj edhe murali im vjen në këtë mënyrë e me këto ngjyra”, ka thënë McLauchlan.

Sidomos viteve të fundit është vështirë të gjendet një rrugë në Ferizaj ku nuk të bie në sy ndonjë mural. Doug Gillen ka thënë se krejt kjo vjen si rezultat i një entuziazmi që ai nuk e ka hasur më parë te të rinjtë dhe vullnetarët që kontribuojnë në “Mural Fest Kosova”.

“Muralet mund të jenë të rrallë nëpër qytetet e tjera të Kosovës, por jo në Ferizaj, këtu muralet janë në çdo mur, ngado që hedh shikimin mund t’i shohësh ata. Por ajo çka është njëmend sukses për mua, është entuziazmi i vullnetarëve të shumtë. Të rinj e të rritur që vijnë dhe duan të bashkëpunojnë, duan ta japin kontributin e tyre e të mësojnë nga artistët”, ka thënë Gillen.

“Mural Fest Kosova” do të vazhdojë edhe për katër ditë gjatë së cilave shtrihen një numër i madh aktivitetesh dhe performancash artistike krahas muraleve.