Me temën “Fragments of Utopia” ka nisur edicioni i tetë i “Mural Fest Kosova” në Ferizaj. Me plot ngjyra e forma, konceptet e artistëve nga Kosova e vende tjera të botës, në këtë edicion synojnë ta zbërthejnë një utopi, por në murale e prekshme. Ngjyrat bashkohen si një fije shprese e shtytje drejt reflektimit për një jetë më të mirë.
Është pikërisht ajo nëpër çka ka kaluar thuajse çdonjëri qytetar i Kosovës që u kthye në inspirim për temën e edicionit të sivjetmë. Andaj, secili domen i jetës kthehet në një fragment utopik nëpërmjet artit. Tërë qyteti i Ferizajt ka filluar të shndërrohet në një ekspozitë të hapur. Veprat bartin më vete shumë histori.
Drejtoresha e Festivalit, Lebibe Topalli, e ka theksuar se tema e këtij viti është caktuar gjatë edicionit të kaluar. Vendosja e një teme a slogani, nën të cilin realizohet Festivali është një pjesë jo fort e lehtë e procesit. Ky vit shënon 150-vjetorin e Ferizajt si qytet. Topalli ka thënë se kjo ishte një arsye më shumë për “Fragments of Utopia”.
“Pra, jemi në edicionin e 8-të, ‘Fragments of Utopia’, një temë pak më ndryshe përderisa kemi trajtuar tema të ndryshme, e kemi trajtuar edhe temën ‘Home’ ku trajtohet realiteti i hidhur që e kemi kaluar ne si popull. Kësaj here kemi dashur gjithashtu me paraqitë diçka më utopike, më të mrekullueshme dhe diçka që dëshirojmë. Sidomos ta shohim vendin tonë, sepse këtë vit shënon edhe 150-vjetorin e qytetit të Ferizajt edhe kemi dashtë të paraqesim diçka më utopike”.
Prapa realizimit të Festivalit të muraleve është një numër i madh vullnetarësh. Të rinj e të reja artistë, secili në detyrën e vet gjatë tërë edicionit punojnë që çdo gjë të shkojë siç është planifikuar.
Topalli ka thënë se kjo e bën të ndihet e lumtur dhe se Ferizaj tashmë është bërë qendër artistike. E ka përmendur edhe muralin e parë në Ferizaj të punuar nga Shukri Krasniqi në vitin 1961, i cili shpejt u kthye në simbol të qytetit. Është kamerieri i famshëm në murin e hotelit “Lybeten”.
“Unë ndihem shumë mirë dhe krenare edhe me ekipin tim, sepse jam shumë e sigurt që jemi duke i arritur qëllimet tona që i kemi pasur që në fillim edhe tashmë viteve të fundit veçse po e kuptojnë edhe të tjerët, edhe Ferizaj është bërë një qendër etiketimi sa i përket anës artistike, në këtë rast muraleve. Qëllimi ynë gjithmonë ka qenë që qytetin tonë gjithmonë ta vazhdojmë me murale, sepse dihet që murali i parë këtu ka qenë simboli i qytetit qysh moti”.
Përpos muraleve, këtë edicion vijnë edhe forma të tjera të artit si instalacione, video e fotografi. Krejt kjo me konceptin e kuratorit Doug Gillen, për të cilin Topalli ka thënë se e bën edhe më të veçantë Festivalin.
Për kuratorin e edicionit të sivjetmë kjo nuk është hera e parë që merr pjesë në “MuralFest”. Ai ka thënë se secila vizitë në Kosovë, veçanërisht në qytetin e Ferizajt, është ndryshe nga të tjerat. Kjo e bën që të kthehet sa herë që ka mundësi.
“Kur erdha në Kosovë për të parën herë ishte një përvojë e mrekullueshme. Kjo ishte një pjesë e botës të cilën kurrë nuk kisha menduar se do ta vizitoja. Të vija këtu nëpërmjet artit ishte me të vërtetë një mundësi që ta përjetoj në mënyrë unike. Kur u ftova sërish për të katërtën herë u kthye në nder e privilegj dhe po vazhdoj të vij, sepse secila herë është përvojë në vete”.
Muralet që do të realizohen për tetë ditë, aq sa zgjat festivali që ka nisur të premten, Gillen ka thënë se shpreson se do të shërbejnë si një pasqyrë ku reflektohen mendimet ndryshe dhe për një të ardhme më të mirë.
“Ideja ‘Fragments of Utopia’ erdhi, sepse një pjesë shumë e madhe e artit këtu është e rëndë sa u përket temave, subjekteve. Përjetimet e luftës, ushtarë e armë dhe e kuptoj këtë si dikush që vjen nga jashtë. Për mua utopia ishte perfekte, sepse këto janë vepra arti që do të shërbejnë si një ftesë, si një vend reflektimi dhe kjo jo duke e konsideruar të kaluarën, por duke parë drejt së ardhmes. Ideja e së ardhmes që mund ta ndërtojmë dhe se si ajo mund të duket”.
Përpos artistëve vendas, edhe të tjerë nga vende të ndryshme të botës kanë ardhur për të lënë shenjat e tyre nëpër muret e Ferizajt. Për artisten nga Anglia, Lucy McLauchlan, është hera e parë në Kosovë. Në një kënd të qytetit, pranë një rruge me shumë ngarkesë, zë vend murali i saj monokromatik, gati i përfunduar, i cili mban ngjyra e forma të theksuara që reflektojnë qetësi dhe një përshkrim se si autorja i sheh qytetarët e Kosovës.
“Këtu është shumë më mirë sesa që e kam pritur. Secili është shumë i dashur dhe i gatshëm për të ndihmuar. Kam dëshiruar që të sjell diçka më ndryshe. Çdoherë pikturoj nga intuita duke parë përreth dhe si është shoqëria e atij vendi ku shkoj. Para se të vija këtu kam dëgjuar se kosovarët janë shumë të fortë dhe prandaj edhe murali im vjen në këtë mënyrë e me këto ngjyra”.
“Mural Fest Kosova” do të vazhdojë edhe për katër ditë, gjatë së cilave shtrihen një numër i madh aktivitetesh dhe performancash artistike krahas muraleve.