Kulturë

Filmi “Motër” hap shtigje të reja për kinematografen Doruntina Imeri

Një familje shqiptare lufton për të qëndruar në këmbë dhe për t'u integruar në shoqëri në Zvicër. Vështirësitë në mësime të vajzës së vogël e vendosin familjen para një sfide shtesë. Prindërve u mungon koha dhe paratë për t'i mbështetur vajzat e tyre në mësime. Që të mos e rëndojë edhe më tepër familjen, motra e madhe e familjes emigrante merr përsipër të gjithë përgjegjësinë dhe i vendos nevojat e saj në plan të dytë.

Kjo është historia e shtjelluar në filmin “Motër”, nga regjisorja me prejardhje nga Kosova, Dorentina Imeri, e cila jeton në Zvicër. Me filmin “Motër” ajo ka diplomuar në nivelin bachelor. Me të diplomuar, Imeri ka thënë se me filmin e saj ka aplikuar në festivale të shumta. E së fundmi edhe në atë për film në Fribourg, ku edhe është shpërblyer me çmimin “Forein Visa Award”.

“Jam regjisore e re, sapo kam përfunduar vitin e fundit të studimeve bachelor për film. Me filmin ‘Motër’, me të cilin kam diplomuar, jam duke aplikuar në festivale. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Fribourg e mora çmimin ‘Foreign Visa Award’. Deri tash shumë jam e lumtur që pata mundësinë të merrja pjesë në festival dhe që e mora çmimin”, ka thënë Imeri në një intervistë për emisionin “Nëpër film”.

Ky film në radhë të parë është dedikim për motrën e saj të madhe, ka treguar regjisorja. Duke u rritur, ka kujtuar se ka qenë dëshmitare e sfidave nëpër të cilat ka kaluar motra e saj në mënyrë që t’ia lehtësojë situatën familjes e cila emigroi në kërkim të një jete më të mirë. Përpos kësaj, ajo ka thënë se filmin ua dedikon edhe krejt motrave dhe vëllezërve të tjerë që mbi supet e tyre nganjëherë mbajnë përgjegjësi të mëdha.

“Filmi ‘Motër’ është në gjuhën shqipe dhe atë gjermane. Synimi im me anë të këtij filmi është ta tregoj situatën e një familjeje emigrante, se çka do të thotë kur përballen me vështirësi financiare, të gjuhës dhe se fëmijët duhet të bëhen të rritur para kohës, t’i marrin obligimet mbi supet e tyre. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme këtë situatë me e tregu me një film, sepse motra ime e madhe i ka marrë obligimet shumë herët dhe për mua ka shumë rëndësi dedikimi i këtij filmi. Këtë film ua dedikoj krejt motrave dhe vëllezërve të mëdhenj, të cilët mbajnë më së shumti përgjegjësi në situata të tilla”, ka thënë Imeri.

Kastin e filmit e përbëjnë motrat Violeta dhe Leonita Berisha.

Imeri ka thënë se përzgjedhja e tyre ka qenë e vështirë dhe proces më i gjatë, por që në fund ia ka vlejtur pasi që fakti se ato janë motra edhe në të vërtetë, kimia mes tyre në film ka qenë më e fortë.

“Përzgjedhja ka qenë procedurë më e gjatë derisa i kam gjetur aktorët për rolet, derisa i kam gjetur dy vajza. Violeta Berisha dhe Leonita Berisha janë motra në të vërtetë, prandaj edhe në rolet e tyre kanë pasur kimi të vërtetë mes vete”, ka bërë të ditur ajo.

Dorentina Imeri u lind në vitin 1993 në Solothurn të Zvicrës. Në vitin 2019 ajo përfundoi një semestër jashtë vendit në Shkollën e Teatrit Pamor në Jerusalem. Në vitin 2022 ajo mori diplomën e saj bachelor për film në Universitetin e Arteve në Cyrih, me fokus në skenar. Ajo aktualisht është në fazën e post-produksionit në dokumentarin e saj të parë artistik “Mjegull”. Imeri është regjisore e pesë filmave studentorë: “TomBoy” (2021), “Motër”, “Abseits” dhe “Drüviertel” të 2022-tës dhe “Mjegull”, i cili pritet të ketë premierën në vitin 2024.

Ajo ka treguar se me aq sa ka mundësi e përcjell edhe kinematografinë e Kosovës. Ka përmendur filmat si: “Nëntor i ftohtë” të Ismet Sijarinës, “Zgjoi” të Blerta Bashollit e “Luaneshat e Kodrës” të Luana Bajramit. Pjesëmarrja e këtyre filmave nëpër festivalet e Zvicrës ka zgjuar interesim jo veç tek ajo, por edhe te shumë qytetarë të tjerë të Zvicrës.

“Interesimi për të parë më shumë filma shqip më është rritur pasi e kam parë filmin ‘Cold November’ nga Ismet Sijarina. Pas sukseseve të këtij filmi kam vërejtur se interesimi për filma shqip është rritur edhe në Zvicër në përgjithësi, pasi që nëpër festival ka zakonisht pjesë që u dedikohen filmave nga Kosova. Jashtë festivaleve kam parë “Hive”, “The Hill Where The Lioneses Roar” e të tjerë”, ka thënë Imeri.

Me filmin “Motër”, Imeri ka aplikuar edhe në festivalet e filmit në Kosovë, me shpresën që të jetë pjesë e programeve të tyre.

“Është dëshirë e imja të marr pjesë në festivalet e filmit në Kosovë. Kam aplikuar për në ‘Doku Fest’, ‘Pri Fest’ po ashtu edhe në Tiranë. Kisha për të qenë shumë e lumtur nëse filmi ‘Motër’ të bëhej pjesë e programeve të këtyre festivaleve”, ka përfunduar Imeri.

Ajo aktualisht është duke kryer një punë praktike në studimet e filmit në Institutin e Arteve Performuese dhe Filmit në Cyrih.