Janë rrëfime autentike ku regjisorët përfshijnë situata a periudha reale. Secili prej projekteve filmike është i bazuar në ndodhitë, përjetimet e rrëfimet reale. Me ta edhe përmbushet programi kombëtar i Festivalit ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest. E stërmbushur ka qenë kinemaja “Lumbardhi” për filmat në kategorinë “National”
Tematika të jetesës që nga koha e komunizmit që përthekohen deri me atë të sotmen në kohë migrimi për një jetë më të mirë janë shpalosur në ekranet e kinemasë “Lumbardhi” e asaj në platenë e “DokuKinos”. Përfshihet edhe mitologjia. Janë rrëfime autentike ku regjisorët përfshijnë situata a periudha reale. Secili prej projekteve filmike janë të bazuar në ndodhitë, përjetimet e rrëfimet reale. Me ta edhe përmbushet programi vendor i Festivalit ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest.
E stërmbushur ka qenë kinemaja “Lumbardhi” për filmat në kategorinë “National”. Kanë sjellë tjetër emocion dhe histori nëpër të cilat gjejnë veten. “Sheets” ka qenë i pari që ka nisur të shpaloset të mërkurën. “Sheets”(Çarçafët) nën regji të Evi Gjonit përshkruan jetën e një familjeje në kohën e komunizmit. Aty jepen lajmet e ndalimit të tentativave për t’u larguar nga vendi në një radio të vjetër. Një i afërm i tyre thuhet se po vuan pasojat, pasi iu kundërvu pushtetit. Ndërkohë, një familje emigrantësh shfaqet. Po kërkoheshin nga pushteti. Kryefamiljarja që luhet nga Melihate Qena thërret policinë. Aty lajmërohet i biri i saj, pasi vendos të mos lajmërojë ata, por t’i ndihmojë me ushqim.
Regjisorja e filmit, Evi Gjoni, ka thënë se frika si ndjenjë vjen e para në rend të filmit të shkurtër “Sheets”. “Doja që të shihja dy gjëra që ishte frika nga të panjohurit dhe emigrantët. U munduam të përmbledhim të dyja, për më tepër që në Shqipëri rrodhën ato gjëra, deri njerëzit lëviznin lirshëm nëpër botë”, ka thënë ajo.
Në rreth 20 minuta, filmi tjetër “Prishtinë 2002” shpalos miqësinë e dy adoleshenteve, ku tendencat e tyre për ta ndryshuar vetveten i çojnë në përballje me të papriturat. Hapet me skenën ku Leti luan me top dhe ka stil djemsh. Fillon të imagjinojë e trillojë gjëra që shpejt i zbulon shoqes së saj Donës se nuk janë ashtu.
Ngjarja vendoset në Prishtinë në vitin 2002 siç vjen nga emërtimi i filmit. Regjisorja Trëndelinë Halili, ka thënë se “filmi është iniciuar si ide duke diskutuar për manifestimin e mënyrës se si fëmijët janë njëfarë mjeti shumë i fuqishëm i bartjes së sjelljeve për brezat e ardhshëm”. “ Është një kujtesë që më ka kthyer në kohë dhe kam filluar të shkruaj se çfarë ka ndodhur në vitin 2002. Ka qenë asi lloj manifestimi në shoqëri me lojëra të ndryshme, me një ambient të pasluftës. Unë kam qenë fëmijë në një kohë kur gjithçka ka ndodhur, por edhe ka ndryshuar shumë shpejt”, ka thënë Halili.
Halili ka thënë se në skenat e filmit ka shumë elemente që e kishin shoqëruar atë në fëmijërinë e saj. “Janë grafitet ku ato shkruajnë emrat e tyre, por aty janë shenjat e serbëve, pasi bota e tyre është krijuar në një ambient shumë të ashpër. Ka shtëpi të braktisura, ka grafiti, vetura të Bashkimit Evropian, për shkak të sigurisë e të tjera”, ka thënë ajo.
Historia e filmit ishte shpalosur së pari në festivalin prestigjioz të filmit të metrazhit të shkurtër në Clermont-Ferrand të Francës, në janar të këtij viti. Kishte marrë çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar.
Filmi “Hana e Re” prezanton udhëtimin e katër shoqeve gjatë të cilit zbulojnë frikërat dhe të vërtetat e njëra-tjetrës. Hana është ajo që do të martohet shpejt dhe që po pret një fëmijë, por që nuk ndihet e gatshme të bëhet nënë. U thotë mikeve se do të abortojë dhe aty fillojnë të zbulohen personalitetet e tyre. Besa që zbulon se ka qenë në të njëjtën situatë e udhëzon të marrë veprimet që i ndjen dhe të bëjë zgjedhjet pa u ndikuar nga askush.
Regjisorja Jehona Berisha ka thënë se skenarin e filmit e ka bazuar në historinë e njërës prej shoqeve të saj. “Unë e kam pasur një situatë të ngjashme me njërën prej shoqeve të mia dhe prej aty kam filluar të shkruajë skenarin. Shtatzënia e saj ka qenë jo aq e dëshiruar dhe ajo njëjtë si Hana nuk di se çfarë të bëjë. Skena mbyllet me Hanën në det, sepse deti është i pafund dhe në fund të fundit, Hana do të jetë prapë vetëm në detin e saj të madh, ndërsa titulli vjen si një simbol për një jetë të re”, ka thënë ajo.
Filmi “I kemi varros baballarët” i Hekuran Isufit vë në rolet kryesore Dardanin dhe Ujkanin, baballarët e të cilëve kanë vdekur. Megjithatë, ka një humor përbrenda filmit që e bën atë edhe më atraktiv për t’u parë e shijuar çdo moment në 23 minuta. Ujkani heziton ta dërgojë Dardanin te varri i babait të tij.
Më në fund shkojnë, derisa kërkimin e përcjell zëri i gjyshit të tij të traumatizuar dhe të tronditur nga vdekja e dy të bijve. Nuk mund ta gjejnë, porse thonë se ata janë askund dhe gjithkund në të njëjtën kohë. Ujkani zbulon se baballarët e tyre janë në të njëjtin varr, pasi nuk mund të paguanin për një tjetër varr. Përkundër grindjeve dhe rrahjeve rreth kësaj situate, ngushëllimin e gjejnë prapë te njëri-tjetri. Ujkanit në fund i jepet pasaporta për t’u larguar nga vendi, për çka edhe ishte rebeluar.
Regjisori Hekuran Isufi ka thënë se filmi është si përrallë ku mërgimtarit i jepet mundësia të qëndrojë në vend, e atij në Kosovë të mërgojë. “Ngjarja e filmit është në fakt pak ngjarja ime për një të ri që jeton në Francë dhe kthehet në vendin e tij dhe nuk i sheh familjen shpesh. Më shumë kam dashur të shpalos raportin me familjen. Është film i prodhuar në shkollën time në Francë, kemi ardhur në Kosovë, sepse veç këtu mund të bëhet”, ka thënë Isufi.
Në përgjithësi, programi i filmave që garojnë në kategorinë “National” të “DokuFestit” ka nisur të shpaloset të martën në platonë e “DokuKino” në Prizren. Aty publikut së pari i është shpalosur rrëfimi i filmit “Tea & Kejsi” i regjisoreve Jonida Koçi dhe Kristina Rushiti.
Filmi hapet me Tean dhe Kejsin tek mbërrijnë me vonesë në shkollë. Flasin për filmat dokumentarë që do të përgatisin për detyrën shkollore në lëndën e filmit, për teknologji dhe teknika të ndryshme që do të përdorin si telefon a kamera të ndryshme. Në qendër janë prapaskenat e të punuarit dokumentar dhe për sfidat në të qenët regjisore të reja.
Dea kishte llogaritur në shokun e saj për t’i siguruar kamerë e drejtor fotografie. Por nënçmohet nga ai dhe nuk e merr seriozisht. Megjithatë, ato arrijnë ta përfundojnë dokumentarin, jepet premiera. Menjëherë lajmërohet miku i Deas, pasi ajo arriti qëllimin e saj.
Regjisorja Jonida Koçi ka treguar se edhe në realitet vajzat ishin studente të filmit në Akademinë e Arteve në Tiranë. “Praktika normalisht tregon se gjatë rrugëtimit ato kuptojnë se çfarë ato duan të bëjnë. Qëllimi i filmit kryesisht ka qenë për të treguar se si studentët sado që kanë një pasion, shpesh nuk dinë si ta thonë dhe atë e thonë haptazi edhe në film”, ka thënë ajo.
Ndërsa regjisorja tjetër e filmit të shkurtër “Dea & Kejsi”, Kristina Rushiti, ka thënë se filmi tregon prapaskenat e të bërit film. “Gjithmonë është mendimi se filmin e bën kamera, por nuk e bën ajo, e bën koncepti. Pra është thelbi, më pas kamera. Duhet të kemi normalisht teknikën, por nuk duhet harruar qëllimi dhe çfarë jemi duke trajtuar. Pak a shumë studentët e filmit mundohen të hedhin baltë mbi njëri–tjetrin sesa të ndihmojnë njëri-tjetrin. Me këtë filmi kemi dashur të tregojmë se filmi bëhet në ekip, jo vetëm”, ka thënë ajo.
Filmi “Of cats and daughters” i regjisores Elda Sorra ka në qendër Adean, një vajzë e re që pasqyron jetën si vajzë në Shqipëri. Filmi hapet me fëmijët që luajnë në rrugë. Derisa vajzat e tjera luajnë me llastiqe, Adea është në grupin e djemve duke luajtur futboll. I do macet dhe shpreh dëshirën ta marrë një në shtëpi, por babai i saj e mbyt macen në sytë e saj. “Fakti se macet vriten në Shqipëri ka qenë thelbi i filmit për mua personalisht. Është diçka shumë personale dhe dokumentare, pasi kam dëgjuar shumë njerëz që kanë treguar për dikë që vret macet. I gjithë filmi është nga perspektiva e fëmijës. Qëkur kam filluar ta shkruaj, nuk më ka interesuar pse prindërit janë të rreptë apo diçka tjetër. Nuk desha të shpjegoj pse ajo e ka jetën e rëndë, desha të përqendrohem te vajza. Ajo është në çdo skenë”, ka thënë regjisorja e filmit, Elda Sorra.
Prindërit e Adeas janë të rreptë, nuk e lejojnë të bëjë gjërat që do, për hir të asaj se çfarë flasin njerëzit përreth. Regjisorja Sorra ka thënë se këtë fenomen e ka parë veçanërisht në familjet në Shqipëri. “Shoh sidomos në Shqipëri që mamatë janë shumë të ashpra, apo kanë qenë ashtu dhe fëmijë gjejnë lehtësi tek gjyshja. Kjo pjesë është shumë biografike, është temë identiteti që kur vajza del nga normat, ka dëshirë të luftojë, por në Shqipëri është problematike dhe nuk ke hapësirë”, ka thënë ajo më tej.
Shtjellimi historive në këtë kategori ka përfshirë edhe mite popullore, si ai për këlshedrën në bjeshkën e Pashtrikut në filmin “Pashtriku” të Ana Morina. Derisa vijojnë pamjet nga peizazhi i malit, vjen rrëfimi për këlshedrën që jetonte dhe shkaktonte tërmete e cunami. Kishte 13 vjet që regjisorja nuk e kishte vizituar atë vend. Rikthimi aty e kishte bërë të ndihej përsëri fëmijë. Rrëfimet e saj dhe bisedën me malin i zhvillon në një shpellë të vogël aty.
Regjisorja e vlerëson si tregim për këlshedrën e njeriun, dy qenie që sipas saj dikur mund të bashkëjetonin aty. “Për mua pyetja e parë ndoshta ka qenë të shkoj tek ai vend dhe të shoh se a është njëjtë sikur kur kam qenë fëmijë, të shkoj pas 13 viteve dhe të shoh se ndjenja mistike ka qenë complete. Më ka shtyrë të krijoj diçka prej saj. Jam ndier prapë fëmijë. Kam dashur t’i tregoj ndjenjat dhe njerëzit të shohin se prej mitologjisë, apo tregimeve si fëmijë, më ka dërguar në një ëndërr duke qenë zgjuar”, ka thënë Dea Morina për filmin e shkurtër që ishte prodhuar në kuadër të shkollës “Neo School” të “Kino Armatës” në Prishtinë.
Në fund është shfaqur edhe filmi “M me lule” i regjisores Mona Riza. Rrëfen për ikjen nga Kosova. Gjyshi dhe nëna e saj flasin aty. Ky i pari rrëfen se si djali i tij ishte larguar nga vendi dhe ishte martuar me një grua austriake. E kjo flet sesi po punonin atje në një verari dhe për eksperiencën e vizitës në Kosovë derisa shoqërojnë pamjet e hapësirave të braktisura. Ruajtja e gjakut dhe vazhdimësia e mbajtjes së mbiemrit të tyre Riza është në qendër të filmit të shkurtër dokumentar.
E pranishme ka qenë regjisorja e filmit, e cila është fokusuar në shprehjen e përdorur shumë në Kosovë për të përkufizuar një të mirë mes së keqes apo anasjelltas. “Mënyra se si e thoshte babai im, nënkuptonte se diçka e keqe po ndodhte, apo se diçka e mirë po rritej brenda së keqes, ka kuptime të ndryshme. Më ka interesuar se si gjyshi dhe gjyshja e kanë parë lëvizjen e ikjes nga Kosova. Ata frikësohen se e ndryshojmë identitetin, qoftë emrin apo për arsye të tjera”, ka thënë Mona Riza.