Përveç ngjarjeve kulturore e artistike, këtë fundvit, kryeqytetit i janë shtuar edhe tingujt e muzikës barok.
Interpretimet e korit dhe Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës i bëjnë këto ngjarje edhe më të veçanta, bën të ditur emisioni “Express” i KTV-së.
Interpretimit të tyre të fundit, këtë herë iu shtuan edhe zërat e mrekullueshëm të këngëtarëve operistikë nga Franca. Kombinimi i zërave të dy sopranove franceze me Filarmoninë e Kosovës, rezultoi në një performancë që mbushi hapësirën e kishës katolike “Shën Ndou” me të pranishëm.
Ky koncert po ashtu e shënoi 39-vjetorin e shpërblimit të Nënë Terezës me çmimin Nobel.
Pas dy muajsh prova e një organizimi të mrekullueshëm, dashamirët e muzikës patën rastin të merrnin pjesë në këtë koncert, me program të interpretuar për herë të parë, plotësisht më muzikë barokene.
Ajo çfarë e bëri këtë performancë edhe më të veçantë, ishin dy këngëtaret operistike nga Franca, Clemence Garcia dhe Caroline Champy - Tursun. Për herë të parë, ato sollën në Kosovë një ndër veprat më të mëdha të Stabat Mater.
Edhe
Filarmonia e Kosovës përsëri sjellë koncertin me muzikë barokiene
“Ne kemi performuar vepra të Stabat Materit edhe më parë, po asnjëherë së bashku me kor. Ishte me të vërtetë eksperiencë e veçantë dhe bashkëpunimi me korin dhe Orkestrën ishte shumë i lehtë. Edhe pse ishte hera e parë që kënduam me kor, shkoi shumë mirë. Më parë kemi performuar vetëm solo, ishte diçka e re edhe për ne. Ne nisnim fjalinë në tekst e kori e vazhdonte. Me të vërtetë ishte një performancë e fuqishme”, janë shprehur dy këngëtaret operistike.
Filarmonia e Kosovës këtë fundvit, ka sjellë performanca të mrekullueshme, duke bërë që edhe publiku kosovar të njoftohet me muzikën barok.
Më 23 dhjetor, Filarmonia e Kosovës do ta sjellë edhe koncertin e Vitit të Ri, këtë herë nën dirigjimin e një dirigjenti nga Gjermania.