Bulevardi “George Bush” në kryeqytet është shndërruar në një zgjatim të sheshit qendror të kryeqytetit gjatë kohës së festave të fundvitit. Komuna e Prishtinës krahas tregut të Krishtlindjes ka organizuar edhe koncerte qysh prej së shtunës.
Bulevardi i rrethuar me shtëpiza të drunjta, në krye ka “skenën dimërore”. Qytetarët në këtë anë janë të shumtë.
Fiks në orën 20 e 30 para publikut janë prezantuar anëtarët e “Prishtina Brass Band”, të cilët kanë krijuar tinguj harmonikë duke e hapur kalendarin festiv të kryeqytetit, “Festo me yje”.
Majlinda Cikaqi ka interpretuar “Lamtumirë” të Muharrem Qenës. Me ritmin e këngës së mirëfilltë shqipe ka qenë gërshetimi i kulturës shqiptare me atë të këngëve botërore. Në këtë rend kanë qenë edhe “Qeshu” e interpretuar nga Tolga Kazas, që ka qenë si thirrje për të ndezur disponimin e audincës përballë.
Megjithatë, këngëtari turk ka sjellë edhe ritmin festiv me “Let it Snoë” e “Love me Tender”. Rina Bilurdagu ka kthyer në kohë këngët e vjetra botërore. Me të famshmen “I feel good” të James Brown ka synuar të përçojë pozitivitet mes audiencës, ndërkohë “All I want for Christmas is you” e Mariah Carey ka qenë një lloj mirënjohje për praninë e krejt publikut.
Prej veprave të njohura botërisht, muzika qytetare është kthyer prapë në skenë. “Ti m’ ke braktisur” e “Kënga shpirtin ma rrëmben”, interpretuar nga Teuta Kurti, kanë bërë që audienca të bashkohet në perfomancë si kor. “Have yourself a merry little Christmas” dhe “Vetë ke mbet” e Nexhmije Pagarushës janë sjellë nga sopranoja Zana Abazi-Ramadani.
“Ishte një ndjenjë shumë e bukur që të performoja në një ambient të tillë festiv dhe të ngrohtë në një natë dimri, me një audiencë aq të madhe, e cila ishte prezente gjatë koncertit të shtunës mbrëma. Kjo nuk ishte hera e parë që performova me një formacion të tillë si ‘Big Band-i’, edhe pse nuk është shumë e zakonshme për këngëtarët e muzikës klasike që të performojnë me këso formacione”, ka thënë ajo. Sipas saj, kjo është bërë e mundur nga dirigjenti dhe orkestruesi Valton Beqiri dhe Edon Ramadani, të cilët përpunuan dhe orkestruan këngët për këtë formacion.
“Dua ta përgëzoj Komunën e Prishtinës për iniciativën dhe mbështetjen e një koncerti të tillë i cili i jep një atmosferë festive dhe hijeshi qytetit të Prishtinës në prag të festave të fundvitit. Mendoj që ky organizim duhet që të bëhet tradicional”, ka thënë ajo.
Përpos përcjelljes me muzikë gjatë interpretimit të solistëve, bendi “Prishtina Brass” ka interpretuar nën udhëheqjen e dirigjentit Valton Beqiri. Me “A jazzy Christmas” kanë sjellë ritmin jazz, pas saj kanë ftuar për të ngritur dolli me “Tequila”, ndërsa kanë sjellë edhe “Soul Bossa Nova”. Të gjitha këngët janë aranzhuar nga Valton Beqiri dhe Edon Ramadani.
Valton Beqiri, njëherësh edhe profesor universitar, ka thënë se koncerti me tingujt e festës së Krishtlindjes ka qenë iniciativë e vitit të kaluar në kombinim me këngët e bukura shqipe.
“Formacione të tilla nuk funksionojnë në kuadër të institucioneve përkatëse dhe si formacione të rregullta muzikore, por ne me këto aktivitete, falë Bashkimit Evropian, Komunës së Prishtinës, besoj se kemi dhënë një rezultat të bukur dhe një mbrëmje me yje siç ishte sonte”, ka thënë Beqiri.
Festat e fundvitit festohen në mënyra të ndryshme gjithandej botës. Programi festiv i kryeqytetit, “Festo me yje” do të vazhdojë deri në natën e nderimit të moteve.