Në kapitullin e parë të titulluar “Enter”, narratori, apo ujku i vetmuar, hyn në ferr, me fjalë të tjera në shtetin modern të Kosovës. Njëlloj si të gjithë shtetet e tjerë të rinj, edhe Kosova është duke përjetuar atë që anglishtja e quan “nationbuilding”. Autori bashkëkohor kosovar Ag Apolloni duke iu referuar “Komedisë” së Dantes e koncepton këtë gjendje si një ferr të vërtetë. Në fundin e tij, në kapitullin me titull “Exit”, ekziston një dalje, por ajo nuk rezulton në Parajsë as në një katarsis pozitiv. “Sepse vetëm kur budallenjtë ta djegin botën, do të marrë fund dëshpërimi i të mençurve”, shkruan sot Koha Ditore.
“Ulurima”, një prozë emocionale
Ky roman, me një kompozicion të pazakontë, por të rregullt, në pjesën më të madhe të tij është roman postmodern epistolar. Përveç tregimit të hapur të jetës intime, të cilën ia rrëfen të dashurës, narratori i jep asaj edhe këshilla, qoftë për lexim, qoftë për jetë. Kjo është pak a shumë përmbajtja e librit që krahas çekishtes është përkthyer në tërësi në gjuhën maqedonase dhe pjesërisht në serbisht, italisht dhe anglisht.
Teksti është i shoqëruar me aluzione të shumta nga vepra të tjera letrare, muzikore e artistike. Gjithashtu përmban edhe shumë fusnota. Ag Apolloni (lindur më 1982) vendos në të njëjtin nivel citime nga Jacques Derrida (si “çdo diskurs është brikolazh”) ashtu edhe nga Rihanna ose Eminemi (“I love the way you lie”). “Dashuria fizike nuk mund të paramendohet pa dhunë”, citon Kunderën. Ky është tashmë një proces tradicional, të cilin e hasim shpesh në letërsinë postmoderne ose moderne bashkëkohore.
Apolloni nuk e quan veten autor postmodern, sepse proza e tij është emocionale. Lexuesi, pasi e përfundon leximin e përshkrimeve të jetës intime (dhe ndoshta disi i frymëzuar nga aluzionet dhe shënimet në tekst, vendos të shikojë ndonjë nga videoklipet e sugjeruar në YouTube), do të gjejë pasazhe ku autori gjerë e gjatë shkruan për fëmijërinë e tij në Kosovë ose për luftën, të cilën familja e tij e kaloi në Maqedoni. Në roman reflektohet edhe gjendja politike, gjendja trishtuese e sistemit shëndetësor si dhe procesi i pajtimit të ngadaltë me padrejtësitë e luftës në rrugët e sotme të Prishtinës. Në këto momente fusnotat pakësohen, intertekstualiteti ngushtohet dhe pasazhet e tekstit bëhen më të lexueshme, i flasin drejtpërdrejt botës së brendshme të njeriut dhe janë më universale./Julie Ginzberg
(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)