Para 100 vjetësh, në Ibriktepe të Turqisë, u lind Theofan Stilian Noli. Dijetarit që njihet si Fan Noli, të enjten në Tiranë, i është shënuar 100-vjetori i lindjes. Njëkohësisht, në Muzeun Historik Kombëtar është shënuar edhe 140-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në konferencën shkencore “Fan Noli poliedrik”, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Akademisë së Shkencave. Sipas tij, qëllimi i Konferencës ishte që të nxjerrë në pah Fan Nolin si një figurë e shumanshme.
Ai nëpërmjet kumtesës së tij “Përvjetori i një Titani”, ka folur për rrugëtimin historik të Nolit dhe pjesët deri te themelimi i Kishës Autoqefale Shqiptare. Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi, ka thënë se Noli është një prej mendjeve më të ndritura që ka nxjerrë historia shqiptare dhe një person me formim enciklopedik të papërsëritshëm. Akademik Gjinushi ka thënë se Noli do t’i bënte nder çdo populli, gjuhe dhe historie. Ka pasur edhe një thirrje.
“Le të japim të gjithë së bashku kontributin tonë që kjo figurë të ndriçohet më mirë në këtë përvjetor”, ka thënë ai.
Sipas tij, Noli ishte shkencëtar i shquar, të cilit i dukeshin të pamjaftueshme dy doktorata, një në historiografi e një tjetër në muzikologji. E ka përshkruar Nolin si orator që trondiste Asamblenë e Lidhjes së Kombeve në vitin 1924, poliglot që mund t’u fliste popujve të Ballkanit e të Evropës, madje dhe të persëve të periudhës klasike në gjuhët e tyre.
“Përkthyes, për të cilin u tha me të drejtë se vetëm Fitzgeraldi mund t’i afrohej; meshtar, peshkop e kryepeshkop, figura kryesore dhe me rol vendimtar për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare dhe i pari që mbajti një meshë shqip në pikëpamjen kronologjike”, ka thënë ai. Sipas të parit të Akademisë së Shkencave, Noli ishte lider shpirtëror i mërgatës shqiptare, themelues i “Vatrës” dhe i “Diellit” e revolucionar në misionet qytetare dhe konservator në zgjedhjet kulturore e letrare.
Edhe
Jehona e botimit të “Skënderbeut” në shqip
“Pa dyshim kryeministri më i kulturuar që ka nxjerrë ky vend që nga njohja e pavarësisë më 1920”, ka thënë Gjinushi. Ai ka shtuar se pa dyshim veprimtaria krijuese dhe shkencore e Fan Nolit, kontributet e tij për oksidentalizmin e kulturës dhe të qytetërimit shqiptar, meritat e tij për çlirimin e mendësisë shqiptare nga trashëgimia anadollake e bëjnë atë një akademi më vete”, ka thënë akademik Gjinushi.
Në konferencën njëditore, kontributin me kumtesat e tyre shkencore raportohet ta kenë dhënë edhe midis të tjerësh edhe Fatos Tarifa, Ksenofon Krisafi, Pëllumb Xhufi, Hamit Kaba, Beqir Meta e të tjerë. Fan Noli vdiq më 1965 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ditët e fundit të jetës së tij, Shqipëria nuk ishte ajo që e kishte lënë pas kthimit të Ahmet Zogut në dhjetor të vitit 1924 e as ajo që e la Mbreti Zog në prill të vitit 1939. Qe vend komunist që nuk e bënte hesap njërin prej intelektualëve më të mëdhenj që ka njohur historia shqiptare.