Kulturë

“Apostulli” e bën Nolin të flasë për veten, zbulon të pathëna

Një biografi e re vjen nga Ilir Ikonomi si një vepër që hedh dritë mbi jetën dhe veprën e njërit nga personalitetet më të shquara të historisë shqiptare, Fan Noli. Vëllimi i parë i titulluar “Apostulli” është përpjekje për të rikthyer në jetë dhe për të dokumentuar me kujdes ndërthurjen e shpirtit krijues dhe angazhimit kombëtar të këtij intelektuali të shquar shqiptar. I konsultuar në arkiva historike, kjo biografi zbardh ngjarjet kyç të jetës së Fan Nolit dhe dyzimit të kontributit të tij me fatin e shqiptarëve

Shkrimi i Ilir Ikonomit tashmë është etabluar me një zhanër të veçantë të biografive. Njëjtë sikur veprat pararendëse të autorit për Faik Konicën, Esat Pashë Toptanin e Ismail Qemalin, ai tani ia jep vëmendjen edhe figurës së Fan Nolit nëpërmjet një kahu të modernizuar karshi historiografisë.

Redaktorja e librit, Suadela Balliu, e pranishme në panel bashkë me gazetarin e autorin Bashmir Xhemaj e studiuesin Bejtullah Destani, ka thënë se pavarësisht se biografitë rëndom nuk janë ”bestseller”, këtë teori e theu “Apostulli” i Ikonomit pasi që tirazhi i parë mbaroi pas kërkesave të shumta për librin.

“Zotëri Ikonomi në këtë vëllim të parë nuk bën gjykime, ua ka lënë në dorë lexuesit, fakteve dhe vetë Nolit të flasë për jetën dhe veprën e tij”, ka thënë ajo.

Bejtullah Destani ka vënë në pah kërkimet e Ikonomit në arkiva të ndryshme si Itali, Amerikë, Vjenë, Londër, ku në të kaluarën jo çdokush ka pasur qasje për të lexuar për historinë e Shqipërisë.

“Për mendimin tim, Iliri e ka studiuar gjithë biografinë shqiptare edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë dhe ka një stil të jashtëzakonshëm, ashtu siç ka shkruar edhe librin e parë për Faik Konicën, Ismail Qemalin, Esat Toptanin, ai na sjell informacione jashtëzakonisht të reja”, ka thënë Destani.

“Apostulli” ndjek veprimtarinë e Nolit hap pas hapi si një djalosh 24- vjeçar ambicioz e vizionar për çështjen kombëtare, ndiqen ngjarjet historike përmes figurës së Nolit jo si protagonist, por përgjatë ngjarjeve shënjuese të historisë shqiptare dhe përfshirjes së tij përmes kishës shqiptare. Noli vjen si personazh shumëngjyrësh me një rrugëtim shumëdimensional jo vetëm si klerik, por dhe si gjuhëtar, poet, historian dhe sigurisht si politikan.

Image

Pos përmbajtjes së librit me fakte të reja, Bashmir Xhemaj ka folur për qasjen e autorit.

“Iliri ka sjellë një modalitet në mënyrën se si shkruhen dhe portretizohen këto figura kombëtare, duke i dhënë edhe një kah tjetër historiografisë, nëse mund ta quaj komuniste”, ka thënë ai.

Vetë Ikonomi me të marrë fjalën në përurimin e librit të tij të enjten pasdite në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, ka thënë se procesi i shkrimit të këtij libri ishte një rrugëtim i gjatë nëpër arkiva dhe biblioteka, duke theksuar mbështetjen e tij mbi faktet historike.

“Kur shkruaj për një personalitet shqiptar nuk nisem nga ajo që kanë thënë të tjerët para meje për të, por e filloj punën nga e para, nga arkivat, duke shikuar se çfarë ka në arkiv për atë njeri e jo se çfarë kanë thënë të tjerët për të. Unë kur nisa të shkruaja këtë libër u bazova krejtësisht në dokumente, njëjtë si me figurat e tjera që kam trajtuar”, ka thënë autori.

Në këtë vëllim “Apostulli” e përcjell Fan Stilian Nolin që me arritjen e tij në ShBA, në vitin 1906, duke mbaruar me largimin e tij për në Shqipëri në vitin 1920. Element dallues i biografisë janë aspektet konkrete me të cilët autori ka ndërtuar figurën e Nolit dhe mjedisin ku ai jetonte. Ikonomi ka përdorur një fond të gjerë të dhënash historike që përfshijnë Arkivin Qendror të Shqipërisë, Arkivin Kombëtar Amerikan, Arkivin e Ministrisë së Jashtme Austriake dhe disa burime të tjera dokumentuese. Trajton mjedisin ku vepronin shqiptarët e Amerikës si një shesh beteje, plot me mospajtime, por rolin e Nolit në Amerikë, pavarësisht vështirësive, e sheh si shumë të rëndësishëm në kultivimin e idesë kombëtare.

“Noli ishte ai që kuptoi se ka ende shpresë për popullin shqiptar, prandaj dhe lufta për autonomi filloi në SHBA, ideja e autonomisë mes shqiptarëve u hodh nga Fan Noli, fillimisht me idenë e autonomisë së kishës shqiptare”, ka thënë Ikonomi, duke vlerësuar figurën e Nolit si një vizionar i cili e kishte të qartë se çfarë do të duhej të bënin shqiptarët që të prosperonin.

Përmes kishës Noli predikonte ungjillin në gjuhën shqipe, por pas liturgjisë ai mbante fjalime politike, të cilat mbështeteshin në idenë e pavarësisë dhe shtetit të së ardhmes duke përhapur kështu ide iluministe për shqiptarët. Por, nuk u mjaftua vetëm me kaq. Punoi deri në vitin 1907 në redaksinë e gazetës së parë shqipe në ShBA “Kombi”, kurse në vitin 1909 themeloi gazetën javore me emrin “Dielli”. Këta paraqiten si hapat e parë drejt një udhëtimi të pasur për konsolidimin e kombit shqiptar.

Image
Në hapje të promovimit autori me të pranishmit ndau një moment gjatë Panairit të Librit në Tiranë, një dhuratë që ia kishte lënë një lexues nga Kosova, të cilit ai u shpreh se nuk ia dinte emrin dhe shpresonte që ta takonte. Një bluzë me kopertinën e librit të shtypur në të, një dhuratë të cilën ai e cilësoi si vlerësimi më i mirë nga një lexues

Si një kohë e rëndësishme për shqiptarët në diasporë 1912-a qe viti kur Noli u bë pjesë e federatës “Vatra” të Amerikës, si pjesëmarrës aktiv në krijimin e kësaj organizate. Detaj tjetër i përfshirë në biografi janë dhe fjalimet dhe konferencat e tij me përmbajtje politike që e bënë atë të njohur dhe të respektuar. Kontribut të madh dha edhe për gjuhën shqipe, duke përkthyer tekstet kishtare nga greqishtja në shqip. Kjo filloi të bëhej edhe sfidë për Nolin për shkak të angazhimeve të shumta të tjera dhe si rezultat i kësaj ai fton si redaktor të revistës “Dielli” Faik Konicën dhe bashkëpunimi i këtyre dy figurave të shquara nis në mënyrë mjaft të veçantë.

“Kur erdhi Faik Konica nga Londra në Boston, në vitin 1909, zbriti nga anija i veshur me një veshje kombëtare shqiptare. E kishte bërë këtë me qëllim që të vinin gazetarët dhe të bënin intervista me të, duke tentuar të tregonin se ne shqiptarët kemi veshjet tona, jemi një popull me karakter, dhe ashtu ndodhi. Ai dha intervista dhe njërën nga to e kam gjetur në gazetën e Bostonit”, ka thënë Ikonomi, duke shtuar se Konica e Noli ishin njerëz të kulturës së lartë, dy simbole të shqiptarëve që kulturuan shqiptarët me dijet e tyre në Amerikë dhe në botë.

Përveç vlerësimit të figurës së Nolit, Ikonomi, duke synuar një përshkrim sa më real të figurës së tij përmes fakteve historike, shtjellon detaje të panjohura më parë dhe pozicionimin e vetë Nolit krahas zhvillimeve historike shënjuese për shqiptarët.

“Noli kishte një ego të madhe, por ai kishte ambicie reale, të cilat e shtynin atë përpara”, ka thënë Ikonomi duke u ndalur te shkuarja e Nolit në Evropë me synim që t’i bashkohej grupit të Ismail Qemalit për të shpallur Pavarësinë më 1912. Ka ndarë një të pathënë rreth aspiratave të Nolit për një pozitë në shtetin shqiptar. Ai ndan me lexuesit edhe gjetje të tjera rreth figurës së Nolit duke i quajtur edhe si zbulime të shpërndara nëpër libër. Ndër to është edhe historia e përgjimeve që i bëheshin Nolit nga FBI-ja, sepse ai konsiderohej si agjent i Austrisë, si diçka e përmendur më parë por pa kontekst, ku në këtë rast autori shkon më thellë duke trajtuar në detaje dosjet e përgjimeve dhe duke nxjerrë në dritë pjesë të historisë së panjohura më parë.

I pranishëm në promovimin e librit, ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, e ka përgëzuar Ikonomin për zellin dhe cilësinë e punës së tij duke inkurajuar atë që të mos ndalet, por të vijojë me vëllime të tjera që do të përfshinin edhe detaje tjera mbi jetën e Nolit. E një të tillë e ndau me të pranishmit.

“Tani gjatë bisedës m’u kujtuan disa momente kur Noli mbajti një fjalim për shqiptarët me oratorinë e tij të jashtëzakonshme në një tubim ku natyrisht fjalimet e tija ndiqeshin nga çdo shqiptar pavarësisht përcaktimeve fetare dhe në fund një imam shkon dhe ia puth dorën. Pas fjalimit ky i fundit pyetet se si po e puth dorën e një prifti. Ai ia kthen se do t’ia puthë dorën përgjithmonë, sepse ky është prifti që na ka bërë shqiptarë”, ka kujtuar Spahiu duke ilustruar përmes këtij shembulli rolin bashkues që përbënte figura e Nolit për shqiptarët, e cila u pohua edhe nga vetë autori i biografisë.

Si shembull në shtjellimin e figurave të ndritura shqiptare, punën e Ikonomit e vlerësoi dhe ambasadori i Kosovës në Poloni, Drilon Gashi.

“Ka zbardhur shumë të pathëna të figurave shqiptare, në të gjithë librat e tij ka një të përbashkët, ato nisen nga studime të thella duke nxjerrë fakte të rralla, të cilat lejojnë që përshtypja e fundit të krijohet nga vetë lexuesi duke pasur të gjitha faktet para vetes përmes librit”, ka thënë Gashi në një prononcim për KOHËN.

Kjo biografi definon lidhjen e ngushtë mes jetës së Fan Nolit me kontekstin historik e politik të Shqipërisë. Përmes kësaj vepre lexuesit i ofrohet klima e krijimit të një perspektive të thellë mbi ndryshimet që po ndodhnin në botë përmes këndvështrimit shqiptar. Nga zmbrapsja e Perandorisë Osmane nga Ballkani, krijimi i principatës shqiptare me një mbret të huaj, më pas shpërthimi i Luftës së Parë Botërore dhe Konferenca e Paqes në Paris si një sfidë e re për Shqipërinë, e shumë momente të tjera që shkruan historinë shqiptare të shekullit XX.