Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Evropa e 1889-s në sytë e një intelektuali osman

Në kohën kur shteti osman kishte thelluar reformat modernizuese në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe kur ende ishte në kërkim të një zgjidhjeje, një intelektual, romancier e publicist u ishte futur leximeve për qytetërimin që tashmë po sundonte botën.

Ahmet Mithat Efendi ishte intelektuali që gati për pesëmbëdhjetë vjet po hulumtonte e kërkonte për Evropën, duke ndërtuar kështu një imazh më shumë imagjinar nga Stambolli për pjesën e botës që ende nuk e kishte parë. Kishte shkruar për Parisin, por ende nuk e kishte parë. Frëngjishten e kishte mësuar shumë mirë, por ende nuk kishte qenë në Francë. Përderisa një ditë do të pranonte një letër nga sarajet e sulltanit.

Ai ishte përzgjedhur nga vetë i pari i shtetit për ta përfaqësuar shtetin osman në Kongresin VIII Ndërkombëtar të Orientalistëve, që në vitin 1889 do të mbahej në dy shtete evropiane, në Suedi dhe Norvegji, konkretisht në Stokholm dhe Oslo (që në atë kohë quhej Kristiania). Duke mos qenë vetëm një vizitë personale turistike, por duke përfaqësuar në të njëjtën kohë edhe shtetin e tij, ai do të përshkonte mes për mes Evropën, nëpër qendrat e mëdha ekonomike e kulturore të saj. Nga syri i një studiuesi e intelektuali, Evropa do të kalonte nëpër llupën e tij të syrit kritik, me zhvillimin teknologjik, arkitekturën, urbanistikën, shkencën, jetën kulturore e shumëçka tjetër.

“Një udhëtim në Evropë” është vepra që Ahmet Mithat Efendiu do ta linte si monument jo vetëm për Evropën, por edhe si një vepër e rëndësishme e përsiatjes dhe një vështrimi nga një kulturë tjetër.

Nga imagjinarja në reale

Në shtetin osman në të cilin kishin filluar reformat e Tanzimatit që me Mahmutin II, në skenë kishin dalë edhe intelektualë të njohur, të cilët përmes letërsisë e publicistikës po kontribuonin në gjetjen e një formule në vazhdën e procesit modernizues të shoqërisë osmane. Të njohur si “otomanët e rinj”, një plejadë intelektualësh me në krye Namëk Kemalin, që tashmë kishin përqafuar konceptet e revolucionit francez, si të Monteskieut dhe Rusoit, po kërkonin një sistem të monarkisë kushtetuese sikurse në modelet evropiane.

Evropa për ta ishte qendra tashmë e qytetërimit në botë dhe shëmbëlltyra e modeli më i mirë për një shoqëri tjetër joevropiane. Namëk Kemali do të jetonte e vepronte për disa vite në Evropë, duke botuar edhe gazeta në dy qendrat e mëdha evropiane, si Paris dhe Londër. Si një progresist i thekur, ai do të ngrinte Evropën në piedestalin më të lartë, nganjëherë edhe duke e hiperbolizuar.

Artikuj të ngjashëm