Ndryshe nga disa filozofë të tjerë bashkëkohorë që e reduktonin Iluminizmin në prodhim të “rrëfimeve të mëdha“ Lyotard, Foucault gjen aty një lloj të përsiatjes filozofike e cila problematizon njëherësh raportin tonë ndaj së tashmes, mënyrën e qeniesimit tonë historik dhe konstituimin e vetes sonë si subjekt autonom. Për këtë interpretim tjetër Foucault gjen mbështetje te tekstet e Kantit mbi Iluminizmin dhe në tekstet e tij kushtuar historisë, e në veçanti çështjes së qëllimësisë së brendshme të kohës dhe pikëmbërritjes së historisë së njerëzimit, shkruan sot Koha Ditore.
Foucault mendon se “është kjo hera e parë që një filozof e lidh kështu, në mënyrë të ngushtë dhe nga brenda domethënien e veprës së vet në raport ndaj njohjes, atë të një refleksioni mbi historinë dhe një analizë të mëvetësishme për momentin e veçantë kur ai shkruan dhe për shkak të të cilit ai shkruan”. Foucault e kundron modernitetin si një “atitudë e jo si një periudhë të historisë”.
Me atitudë Foucault nënkupton një mënyrë të relacionit ndaj aktualitetit, një zgjedhje të vullnetshme që bëjnë disa dhe po kështu një mënyrë të të menduarit dhe ndijimit, një mënyrë për të vepruar dhe për t’u sjellë, e cila “njëherazi shënon sa një përkatësi, aq edhe paraqitet si një detyrë”. /Muhamedin Kullashi
(Më shumë lexoni sot në Koha Ditore)