Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Equal” kapërcen pabarazitë në kërkim të harmonisë

Me intensitet emocional e muzikor, premiera e shfaqjes “Equal” shpërfaqi pabarazinë gjinore, jo duke dhënë përgjigje për fenomenin, por duke ngrehur pikëpyetje për gjendjen dhe indiferencën kolektive ndaj një individit. Ajo erdhi si harmoni e balancë jetësore midis dy gjinive

Ngjarjet që u ndodhin të tjerëve nuk mbesin vetëm në hallkat e largëta të veprimeve të dikujt, por ato janë edhe determinuese se kush dhe përse është i tillë. Në rastin e heshtjes ai është bashkëfajtor, ndërkaq në rastin e gjykuesit ai është i njëanshëm. Mirëpo më e vështira në këtë çështje mbetet një lloj baraspeshe që shndërrohet në mesin e artë mes individuales e kolektives.

Këtë frymë ia dha publikut premiera e shfaqjes “Equal” nga trupa e “Noa Dance Theatre Co”, nën koreografinë e Robert Nuhës mbrëmjen e së martës në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ajo doli nga petku i thirrjes në emër të pabarazisë gjinore dhe selektivititetit, por rrëfimin e ktheu në drejtim të kuptimit të vetë emërtimit të shfaqjes. Esenca nuk është fajësimi i gjinisë mashkullore për veprimet që i bëjnë, e që u ndien artistikisht nga lëvizjet me frymë bashkëkohore të valltarëve, por te çrrënjosja e mentalitetit gjykues, heshtjes, dhe harmonia midis të dyja palëve vjen si paralajmërim i epilogut.

Tymi e heshtja ishin përballja e parë e publikut brenda shfaqjes 40- minutëshe, si kërkuese të dimensioneve kuptimore. Krejt çka pasoi tutje ishte intensitet e laramani. Lëvizje të çakorduara, pakufizueshmëri shprehësie nëpërmjet gjuhës trupore, tension e emocion në rastin e ngacmimeve seksuale, dhimbje në qenien femërore, gjykim nga rrethi, mbyllje sysh për aktin, shpëtim në krahët e nënës e harmoni ishin që i paraprinë fundit të shfaqjes. Mirëpo kjo s’ishte skena kur perdja bie. Pas saj menjëherë gjithçka kthehet në pikën zero, për të mos e lënë shfaqjen të jetë përgjigje për fenomene të tilla, por të ngrejë pikëpyetje për gjendjen e secilit në raport me to.

Image

Esenca e “Equal” nuk është fajësimi i gjinisë mashkullore për veprimet që i bëjnë e që u ndien artistikisht nga lëvizjet me frymë bashkëkohore të valltarëve, por te çrrënjosja e mentalitetit gjykues, heshtjes, dhe harmonia midis të dyja palëve vjen si paralajmërim i epilogut (Foto: “Artpolis”/FB)


Vetë koreografi menjëherë pas premierës i ka thënë KOHËS se kjo ka qenë një nga arritjet e tij më të mëdha në dhjetë vjetët e fundit.

“Për mua ishte shumë interesant ndikimi që ka pasur trupa, e që prej vitit 2016 prej fillimit ka qenë një tentativë për të arritur kualitetin e duhur për të përballuar një shfaqje të tillë. Unë pashë edhe audiencën e jashtëzakonshme të njerëzve për të parë dance bashkëkohor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme për mua. Kam tentuar gjithmonë të sjell trupa nga jashtë, mysafirë e artistë që vijnë e sjellin dance të artit bashkëkohor, por të burojë diçka nga Kosova (është kënaqësi), me dalë në nivel të tillë dhe me u prit me entuziazëm të tillë nga publiku”, ka thënë Nuha.

Ai pranon se shfaqjen e ka lënë të lirë në mendjet e publikut, duke mos konkretizuar një përfundim.

“Kam dashur mos t’i jap gjini problemit, mendoj se pabarazia gjinore dhe përgjegjësia mund të jenë pak të përbashkëta. Shfaqja nuk qe përgjigje, ngre pikëpyetje dhe e bën publikun të reflektojë mbi problematikat aktuale e të përditshme”, ka thënë Nuha, profesor i koreografisë në Kolegjin AAB.

Sipas tij, shfaqja jep mesazhin se mosreagimi e bën fajtor secilin, teksa është përcjellëse e dashurisë, mirëkuptimit dhe barazisë.

Image

Muzikaliteti dhe gjallëria kanë qenë ato që janë ndier në shfaqje, teksa “Equal” bashkoi edhe kultura të ndryshme në aspektin muzikor (Foto: “Artpolis”/FB)


“Pas kujdesit të nënës natyrë, nënës si qenie, vjen një moment kur gjithçka shkrihet në dashuri e paqe. Cikli vazhdon, shfaqja kthehet në fillet e saj dhe kërkohet ledhatimi i nënës për të vazhduar tutje”, ka thënë ai.

Muzikaliteti dhe gjallëria kanë qenë ato që janë ndier në shfaqje, teksa “Equal” u bë bashkues kulturash në aspektin muzikor.

“Kam prekur disa gjuhë e brumëra të popujve, nga muzika më antike e Greqisë së lashtë e deri te e sotmja nga Lindja e Mesme e Arabia, duke përfshirë edhe (këngë) shqip. Ka qenë kolorit i qëllimshëm. Nuk kam dashur ta vendos në një vend të caktuar, por të përfshijë më gjerë popuj”, ka thënë koreografi i “Artpolis”.

Valltarët të cilët janë përgatitur në mënyrë intensive rreth një muaj, pranuan që interpretimi në këtë intensitet emocional i ka bërë të ndihen mirë.

“Procesi ka qenë mjaft sfidues, por edhe interesant. Ka qenë një ndër proceset më të bukura e më interesante deri tash. Ka pasur punë, por edhe emocione në skena të ndryshme”, ka thënë Altina Binaku. Ka cekur se për të ka qenë e rëndësishme të tregojë “se edhe femrat kanë zë”.

Ndjesi të forta pranon të ketë pasur valltari Patriot Osmani, për të cilin kjo shfaqje ka mesazh sensibilizues.

“Pjesa më kulmore ka qenë ballafaqimi me të vërtetën e me veten dhe nevoja për ta parë veten në një rreth ku duhet ambientuar e vazhduar pavarësisht rrethanave”, ka thënë Osmani.

“Mund të them se jam ndier keq”, ka thënë Genta Hoxha për skenat e ngacmimeve seksuale “Por gjatë procesit njëmujor të punës jam mësuar me këtë pjesë. Është mirë që e kemi provuar këtë gjë, të jemi në pozitën e atyre vajzave”.

Shfaqja “Equal” planifikon që pas reprizës në muajin mars në TKK, të vazhdojë edhe në qytete të tjera shqiptare si Tirana e Shkupi, si produkt artistik që koreografi thotë ta ketë krijuar për të pasur rrjedhshmëri të rrugëtimit.

Artikuj të ngjashëm