Në kostume të zeza vërtiten nëpër sallë. Enden me madhështi e fuqi gjashtë valltarët e “Megalomanit”. Shfaqja nuk shënoi vetëm premierën, por edhe diplomimin e tyre si koreografë. Altina Bunjaku, Lavdie Idrizi, Qëndrim Makolli, Medina Koliqi, Genta Hoxha dhe Ibrahim Tusha për një orë sa zgjati shfaqja hodhën dritë mbi fenomenin e megalomanisë.
Për objekt kanë tullumbacet, të cilat sa i frynin i pëlcisnin. Me to e kontrollojnë njëri-tjetrin, e kur vetëm njëri mbante tullumbace, të tjerët i bindeshin. Nëpërmjet artit të kërcimit, kompleksitetit teatral, qasjes bashkëkohore, e kombinimeve të gjuhës së trupit dhe fjalës, shfaqja “Megalomani” shpërfaq situatat në format komike, në të cilat trajtohen fenomenet e madhështisë, pushtetet absolute, absurditetet e këtyre fenomeneve bashkë me pasojat.
Shfaqja vjen nën drejtimin dhe konceptin e koreografit Robert Nuha, i cili ka thënë se këtë e ka bërë edhe me qëllimin e adresimit të problemeve të tjera, që vijnë si rrjedhojë e megalomanisë.
“Tema është konceptuar, është përzgjedhë dhe është drejtuar nga unë me qëllimin e vetëm që të jemi sa më koherent. Të prekim tema të cilat sot po na mundojnë dhe po na shkaktojnë gjëra të cilat nuk janë të shëndetshme as për civilizimin dhe as për ne. Disa fenomene botërore të cilat sot po i shohim dhe nëpërmjet kësaj shfaqjeje, nëpërmjet kësaj komedie dhe këtyre situatave kemi trajtuar megalomaninë si fenomen”.
Ka vlerësuar edhe performancën e gjashtë studentëve të tij. Salla e Teatrit Kombëtar ka qenë plot dhe për Nuhën. Kjo ka qenë një tregues për nivelin e shfaqjes.
“Po ndihem jashtëzakonisht krenar për punën, për investimin që është bërë tash e katër vjet që me mbërri tash ta kenë një nivel të tillë të performancës. Po shihet në sytë e të gjithëve, po shihet entuziazmi që njerëzit e kanë pritur jashtëzakonisht mirë këtë shfaqje profesionale, në të cilën edhe diplomuan gjashtë studentë të koreografisë”.
Ibrahim Tusha i ka thënë se realizimi i shfaqjes “Megalomani” ka qenë më pak sfiduese, meqenëse kjo është shfaqja e dytë që po e japin premierë.
“E para ka qenë “Equal”, e cila për ne ka qenë shumë më e vështirë për shkak se kemi qenë më fillestarë. Tash jemi nëse mund të them më profesional në këtë aspekt. E kemi pasur më të lehtë, përveçse kemi ushtruar shumë dhe kemi mbërri deri te kjo pikë që e kemi përballuar shumë lehtë”.
E suksese të mëtutjeshme atyre u ka uruar koreografi Dilaver Kryeziu. Ka thënë se me titull tashmë janë koreografë e përballë vetes kanë shumë punë e koreografi të reja për t’i dhuruar skenës.
“Unë jam shumë i kënaqur që këta studentë të cilët kanë qenë edhe studentë të mi, për të cilët mund të them sinqerisht që është gjenerata e parë që në mënyrën më profesionale e kanë mbrojtur diplomën dhe ju uroj suksese. Ata shumë bukur thanë në shfaqje, ‘unë jam koreografi i parë’, në fakt ata me diplomë, kurse me punë ende, por duhet të bëjnë edhe koreografi që ta quajnë veten koreograf. Ju uroj suksese dhe dashtë zoti që sa më shumë të kemi koreografë në Kosovë, sepse kemi shumë të rinj të interesuar si në aspektin e klasikes, edhe atë popullore”.
Altina Binaku, pjesë e gjashtëshes që diplomuan të martën mbrëma, tërë procesin deri te premiera e ka vlerësuar si të fuqishëm. Ka thënë se shpreson që t’u hapen dyert në rrugëtimin që sapo kanë nisur.
“Pikërisht kjo shfaqje ka pasur një proces mjaft të fuqishëm qoftë teknikishts e qoftë edhe nga koncepti. Vjen si shfaqje me koncept shumë interesant, pra ka për temë megalomaninë e cila është një temë mjaft aktuale që haset pikërisht te ne. Është më tepër se që njeriu realisht është dhe i duket vetja që është përherë e më i madh”.
“Megalomani” do ta vazhdojë rrugëtimin edhe nëpër festivale e skena teatrore jashtë kufijve: nga teatri eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, “Albania Dance Meeting Festival” dhe “Prizren Fest” i kanë marrë 3 ftesat e para.