Gjashtë veta tashmë me diplomë koreografi nga një universitet privat kanë diplomuar duke vallëzuar në “Megalomani”, me koncept të Robert Nuhës. Në skenën e Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka shpërfaqur situatat në forma komike, në të cilat trajtohen fenomenet e madhështisë, pushtetet absolute, absurditetet e këtyre fenomeneve bashkë me pasojat
Në kostume të zeza vërtiten nëpër sallë. Me madhështi e fuqi enden gjashtë valltarët e “Megalomanit”. Shfaqja nuk shënoi vetëm premierën, por edhe diplomimin e tyre si koreografë. Altina Bunjaku, Lavdie Idrizi, Qëndrim Makolli, Medina Koliqi, Genta Hoxha dhe Ibrahim Tusha, për një orë sa zgjati shfaqja, hodhën dritë mbi fenomenin e megalomanisë.
Për objekt kanë tullumbacet, të cilat sa i fryjnë pëlcisnin. Me to e kontrollojnë njëri-tjetrin, e kur vetëm njëri mban tullumbac, të tjerët i binden. Nëpërmjet artit të kërcimit, kompleksitetit teatral, qasjes bashkëkohore, e kombinimeve të gjuhës së trupit dhe fjalës, shfaqja “Megalomani” shpërfaq situatat në forma komike, në të cilat trajtohen fenomenet e madhështisë, pushtetet absolute, absurditetet e këtyre fenomeneve bashkë me pasojat.
Shfaqja vjen nën drejtimin dhe konceptin e koreografit Robert Nuha, i cili ka thënë se këtë e ka bërë edhe me qëllimin e adresimit të problemeve të tjera, që vijnë si rrjedhojë e megalomanisë.
“Tema është konceptuar, është përzgjedhur dhe është drejtuar nga unë me qëllimin e vetëm që të jemi sa më koherentë. Të prekim tema të cilat sot po na mundojnë dhe po na shkaktojnë gjëra të cilat nuk janë të shëndetshme as për civilizimin dhe as për ne. Disa fenomene botërore të cilat sot po i shohim dhe nëpërmjet kësaj shfaqjeje, nëpërmjet kësaj komedie dhe këtyre situatave kemi trajtuar megalomaninë si fenomen”, ka thënë Nuha.
Ka vlerësuar edhe performancën e gjashtë studentëve të tij. Salla e Teatrit Kombëtar ka qenë plot dhe për Nuhën kjo është tregues për nivelin e shfaqjes.
“Po ndihem jashtëzakonisht krenar për punën, për investimin që është bërë tash e katër vjet që me mbërri tash ta kenë një nivel të tillë të performancës. Po shihet në sytë e të gjithëve, po shihet entuziazmi që njerëzit e kanë pritur jashtëzakonisht mirë këtë shfaqje profesionale, në të cilën edhe diplomuan gjashtë studentë të koreografisë”, ka thënë Nuha.
Po ashtu, ka thënë se për më tepër se një muaj kanë bërë prova për shfaqjen “Megalomani” dhe se investimit katërvjeçar në studime tashmë i është parë rezultati.
“Provat janë të zakonshme si për shfaqjet e tjera ku punohet një muaj deri në dy muaj, varësisht nga shfaqja. Kjo shfaqje i ka dashur diku një muaj e gjysmë që të vijë në këtë pikë dhe sot të jepet në këtë formë para publikut. Besoj se është arritur një nivel i mirë dhe përtej pritshmërive edhe të mia në aspektin dhe kuptimin e asaj që dance-teatri dhe ky kompleksiteti i teatrit me gjuhët dhe gjinitë e tjera nganjëherë di të jetë shumë sfidues për interpretuesit”, ka thënë Nuha.

Ibrahim Tusha ka thënë se realizimi i shfaqjes “Megalomani” ka qenë më pak sfiduese, meqenëse kjo është shfaqja e dytë që po e japin premierë.
“E para ka qenë ‘Equal’, e cila për ne ka qenë shumë më e vështirë për shkak se kemi qenë më fillestarë. Tash jemi nëse mund të them më profesionalë në këtë aspekt. E kemi pasur më të lehtë, përveçse kemi ushtruar shumë dhe kemi mbërri deri te kjo pikë që e kemi përballuar shumë lehtë”, ka thënë Tusha.
E suksese të mëtutjeshme atyre u ka uruar koreografi Dilaver Kryeziu. Ka thënë se me titull tashmë janë koreografë e përballë vetes kanë shumë punë e koreografi të reja për t’i dhuruar skenës.
“Unë jam shumë i kënaqur që këta studentë të cilët kanë qenë edhe studentë të mi, për të cilët mund të them sinqerisht që është gjenerata e parë që në mënyrën më profesionale e kanë mbrojtur diplomën dhe ju uroj suksese. Ata shumë bukur thanë në shfaqje, ‘unë jam koreografi i parë’, në fakt ata me diplomë, kurse me punë ende, por duhet të bëjnë edhe koreografi që ta quajnë veten koreograf. Ju uroj suksese dhe dashtë Zoti që sa më shumë të kemi koreografë në Kosovë, sepse kemi shumë të rinj të interesuar si në aspektin e klasikes, edhe atë popullore”, ka thënë Kryeziu.
Altina Binaku, pjesë e gjashtëshes që diplomuan të martën mbrëma, tërë procesin deri te premiera e ka vlerësuar si të fuqishëm. Ka thënë se shpreson që t’u hapen dyert në rrugëtimin që sapo kanë nisur.
“Pikërisht kjo shfaqje ka pasur një proces mjaft të fuqishëm qoftë teknikisht e qoftë edhe nga koncepti. Vjen si shfaqje me koncept shumë interesant, pra ka për temë megalomaninë e cila është një temë mjaft aktuale që haset pikërisht te ne”, ka thënë Binaku.
“Megalomani” do ta vazhdojë rrugëtimin edhe nëpër festivale e skena teatrore jashtë kufijve. Teatri eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, “Albania Dance Meeting Festival” dhe “Prizren Fest” janë tri ftesat e para.