Jazz kompozitorja shqiptaro-zvicerane, Elina Duni vjen me performancë në Anibar.
Me tingujt e saj unik të gërshetimit te tradicionales dhe jazzit, këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, më 16 gusht në Karagaq të Pejës do ngjallë pjesën dëfryese të festivalit Anibar, transmeton Koha.net.
Elina Duni që nga viti 2012 ka nënshkruar kontratë me ECM Records. Ajo pa dyshim është një prej artisteve të rralla krijuese dhe interpretuese.
Kombinimi i këngëve tradicionale folklorike shqiptare me jazzin ka zgjuar kureshtje dhe duartrokitje, tek njohësit e muzikës.
Për këtë projekt, Elina Dunit do t’i bashkëngjitet kitaristi Rob Luft, i vlerësuar si një prej yjeve në ngritje të skenës bashkëkohore të Jazzit Londinez.
Performanca e Luftit përmban oshëtime të Afrikës Perëndimore, folklorit anglez dhe rock indie, të cilat gjejnë një homologe ideale në vokalin e Elina Dunit.
Për të kompletuar formacionin, me këtë rast, dyshja fton bateristin italian Enzo Zirillin tingujt e të cilit i pasurojnë këngët e përjetshme popullore.
