Galeritë në Qendrën për Artet dhe Shkencat Humane në Arvada të Kolorados janë hapur dhe po ofrojnë disa mënyra nëpërmjet të cilave mund të eksplorohet më shumë frymëzimi për vepra arti të realizuara me dru.
"Ne, si njerëz, tashmë kemi një mirëkuptim dhe një rehati me drurin”, ka thënë drejtori i galerive dhe kuratori i Qendrës Arvada, Collin Parson.
“Wood.Works” është ekspozita që shpërfaq punën e 24 artistëve, shumica e të cilëve jetojnë në Kolorado. Puna e tyre shfaq drurin në pothuajse çdo formë që mund të mendohet: i prerë, i gdhendur, i ngjitur, i shtresuar, i pikturuar, i njollosur apo edhe i djegur.
“Më pëlqen shkathtësia e drurit. Kur isha duke u rritur si fëmijë, mbaj mend tek thosha: ‘Oh, ju nuk merrni thes letre”. Sepse ‘ju doni t’i ruani drunjtë'. Por tani ne e shohim drurin si një burim të qëndrueshëm”, ka shpjeguar Parson.
Një artist ka gdhendur profilet e anëtarëve të familjes së tij dhe i ngjiti ato në një tavolinë, një kujtim i darkave familjare. Një tjetër artist bëri kolazhe me gjësende të gjetura. Aty, po ashtu, mund të gjeni edhe video-prezantim rreth drurit dhe disa skulptura.
“Unë thjesht shpresoj që të zgjeroj mendimin e tyre për atë që është art, çfarë mund të jetë art dhe çfarë mund të bëhet nga druri si një medium artistik”, ka thënë Parson.
Artisti Patrick Marold përdori mediumin në formën e tij më të pastër. Ai krijoi një cikël jete përmes pemëve që mbolli në një galeri.
“Origjina e të gjitha këtyre veprave është një pemë”, ka thënë Marold për CBS4. Ai dëshiron që vizitorët të shohin pyllin e krijuar nga pemët.
“Shpresoj se ata thjesht të ndiejnë diçka kur të hyjnë ose kur janë duke ecur... të marrin një ndjenjë të atmosferës”, ka thënë ai.
Ai mblodhi pemët në pyllin afër shtëpisë në një kodër të Kolorados. Ka thënë se i pëlqen të punojë me dru, sepse është një material i gjallë që vazhdon të përgjigjet edhe kur punohet me të.
